Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve F. R. dhe B. K.
Insajderi të dielën raportoi ekskluzivisht se një prej tifozëve që sulmoi portierin e Ballkanit, Stivi Frashërit, është Fidan Robelli, vëllai i drejtorit të SC Gjilanit, Sevdail Robellit.
Pas ndalesës nga ana e Policisë së Kosovës, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë Fidan Robellit.
Fidan Robelli në momentin e golit të barazimit të skuadrës së tij, arriti të futej në fushë dhe më pas sulmoi portierin Frashëri.
a mund të dënohet një person që dyshohet se ka kryer këtë vepër penale?
Sipas Kodit të Republikës së Kosovës, neni 404, paragrafi 1, kushdo që merr pjesë në turmë prej më shumë se 8 personave dhe i shkakton lëndime trupore një personi dënohet me burgim nga 6 deri në pesë vjet.
“1.Kushdo që merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personave, e cila me veprime të përbashkëta e privon personin tjetër nga jeta, i shkakton lëndime të rënda trupore personit tjetër, shkakton rrezik të përgjithshëm, shkakton dëm pasuror në vlerë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë ose kryen vepra tjera të rënda të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim apo tenton të kryejë vepra të tilla, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”
Paragrafi 2 i këtij neni thotë se “Organizatori i turmës nga paragrafi 1. i këtij neni dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.”
Kurse sipas paragrafit 3: “Secili person, që me veprimet e tij të dhunshme ose në ndihmë, ose me pjesëmarrje në veprimet huligane, duke hedhur gjësende në drejtim të personave ose të qytetarëve, të pjesëmarrësve në aktivitet sportiv, ose duke thyer, dëmtuar pajisjet, infrastrukturën publike, ose duke thyer, dëmtuar pajisjet dhe infrastrukturën dhe objektet sportive publike ose private, i vetëm ose në grup të organizuar dhe që ka për qëllim dëmtimin e personave zyrtarë, të pjesëmarrësve sportivë ose të personelit të sigurimit në detyrë zyrtare, në fushat sportive të hapura ose të mbyllura, kryen vepër penale të huliganizmit.”
Për veprën penale, të përcaktuar në paragrafin 3 parashihet dënimi me gjobë prej dyqind (200) deri dhjetë mijë (10.000) euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë (5) vjet për huliganizëm me pasoja të rënda.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Ndeshja ndërmjet SC Gjilanit dhe Ballkanit (1:1) është ndërprerë pas sulmit të Frashërit dhe tashmë Komisioni i Garave pritet të vendos për fatin e ndeshjes.
Me shumë gjasë ndeshja do të regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3 në favor të Ballkanit. /Insajderi.org/