Gjatë ditës së djeshme është plagosur me thikë një infermier në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK).
Sipas mjekëve të QKUK-së, viktima aktualisht është në tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë përcjell Insajderi.org
Përmes, raportit 24 orësh Policia ka dhënë detaje për këtë rast.
Sipas Policisë, i dyshuari pas kryerjes së veprës penale është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe ëhstë duke u kërkuar nga këta të fundit.
“Është raportuar se nga i dyshuari mashkull kosovar, është therë me thikë viktima mashkull kosovar (infermier). Viktima është në tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë sipas mjekëve të QKUK-së. I dyshuari pas kryerjes së veprës penale është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është duke u kërkuar nga policia”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.
Nga ministria kanë deklaruar se sulmet ndaj mantelbardhëve janë të papranueshme si rrjedhojë kanë kërkuar ndëshkimin e kryesit të veprës.
“Pavarësisht rrethanave të cilat kanë çuar te ky sulm, të cilat duhet t’i zbardhin organet e rendit, MSh konsideron se ofendimet, sulmet dhe dhuna ndaj profesionistëve shëndetësor janë të papranueshme dhe kryerësit e këtyre akteve kërkon të ndëshkohen në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Pas këtij sulmi, i menjëhershëm ishte reagimi nga Sindikata e infermierëve të Kosovës, të cilët e dënuan ashpër këtë sulm.
Ata kërkuan nga Policia e Kosovës që të ndërmarrin masa të menjëhershme në mbrojtje të infermierëve, sepse sipas tyre ky nuk është rasti i parë që po ndodhë./Insajderi.org