×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    I sanksionuar nga SHBA u emërua drejtor në MMPHI, reagon Nexhat Krasniqi

    Insajderi
    18 November 2023 - 19:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nexhat Krasniqi, i cila ka hyrë në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, u emërua pak ditë më parë drejtor i departamentit të infrastrukturës rrugore në MMPHI. Ai sot ka reaguar pas kritikave të shumta kundër emërimit të tij në këtë pozitë.

    Krasniqi tha se asnjëherë nuk është dënuar në Kosovë për korrupsion e as për marrje ryshfeti.

    Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave. KURR KURR KURR asnjëherë nuk jam dënu as për korrupsion e as për marrje të ryshfetit…“, ka shkruar ai.

    Tutje, Krasniqi ka publikuar në profilin e tij në Facebook, një dokument që sipas tij është aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Eulexit, ku thuhet se Krasniqi nuk është shpallur fajtor.

    Sa i përket rastit te vitit 2005 për të cilin po thuhet se paskam keqpërdorur pozitën time publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e Ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni, që të kuptohet saktë nga të gjithë po e publikoj Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Eulexit për këtë rast“, shkroi Krasniqi.

    Krasniqi akuzohej se në cilësinë e zyrtarit kishte pranuar ryshfet nga kompania “Eltoni” lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit. Lidhur me këto akuza, Nexhat Krasniqit i ishte shqiptuar dënim prej 26 muaj burgim më 21 shtator të vitit 2015 për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Kujtojmë se, ndaj dënimit të themelores prej 26 muajsh burgim, Nexhat Krasniqi i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit me të cilin kjo gjykatë i’a kishte ndryshuar  edhe lartësinë e dënimit edhe cilësimin juridik të veprës penale.

    Apeli më 2 maj të vitit 2016, i’a zvogëloi dënimit Krasniqit në 18 muaj burgim me kusht për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kishin marrë vendim për sanksione ndaj Nexhat Krasniqit, i cili ishte edhe drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

    Krasniqi përmendet më së shumti për rastin “MTPT” për keqpërdorime gjatë kohës sa ministër kishte qenë Fatmir Limaj.

    Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi së bashku me ish-ministrin e transportit Fatmir Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal që shpërdoroi pozitën dhe autoritetin zyrtar si dhe mori ryshfete. Krasniqi akuzohej se në “rastin e MTPT-së” kishte favorizuar kompaninë ‘Tali’ që të fitonte një tender në Ministrinë e Telekomunikacionit gjersa drejtonte prokurimin. Krasniqi dhe zyrtarët tjerë janë liruar nga këto akuza.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark