×
  • Lajme
  • Lajme

    I vdiq foshnja pas disa orësh – Gruaja që lindi në banesë ishte në muajin e 8 të shtatzënisë

    Insajderi
    17 October 2023 - 10:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një nënë që ishte në pritje të ëmbël lindi papritmas në banesën e saj në Prishtinë, ku për pasojë foshnja nuk mbijetoi dhe më pas vdiq. Për rastin janë deklaruar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se tashmë kanë nisur hetimet.

    Sinjali ka mësuar se gruaja ka lindur foshnjën në javën e 34/35 të shtatzënisë (muaji i tetë) pra lindje e parakohshme dhe nuk është trajtuar më parë në Klinikën e Gjinekologjisë.

    Kjo është konfirmuar edhe nga Zef Ndreja, drejtor i kësaj klinike, i cili në një përgjigje për Sinjalin tha se nëna është pranuar në klinikë të dielën rreth orës 23:00, ndërkohë që foshnja është transferuar nga mjekët në Klinikën e Neonatologjisë.

    Sipas tij, rasti është trajtuar si i dyshimtë dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente.

    “Rast social që ka kryer lindjen në shtëpi me dt. 15 dhe është pranuar në KOGj rreth orës 23:00. Foshnja është transferuar menjëherë te kolegët tanë kujdestar në Klinikën e Neonatologjisë. Ndërsa (nëna e foshnjës)po trajtohet në KOGj. Mund të ju informoj se rasti është pranuar  si i dyshimtë (rast social )për çka menjëherë janë informuar organet kompetente sipas detyrës zyrtare, të cilët janë duke u marrë me rastin.”, tha Ndreja për Sinjalin.

    Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, ku gruaja u drejtua për në Gjinekologji bashkë me foshnjën e porsalindur.

    Por pavarësisht intervenimit të mjekëve, fatkeqësisht, pas disa orësh, fëmija ka ndërruar jetë dhe është njoftuar menjëherë Policia.

    Sipas të njëjtave burime, gruaja ka qenë në banesën e saj kur i kanë filluar dhimbjet, si një sinjal i fillimit të procesit të lindjes. Ndonëse akoma nuk dihet se në cilin muaj të shtatzënisë ishte e njëjta, ajo lindi në banesë – situatë kjo që e alarmoi dhe menjëherë familjarët e dërguan në QKUK bashkë me foshnjën

    Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, pra pa u bërë 12 orë nga lindja, foshnja ka ndërruar jetë.

    Nga spitali është njoftuar Policia, ndërkohë që njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që ka ndodhur.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark