×
  • Lajme
  • Lajme

    Ibrahimi: Shkarkimi im ishte politik, këtë ma tha një i afërm me VV-në

    Insajderi
    08 June 2020 - 12:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Inspektorati i Punës e ka kthyer në detyrën e kryeshefit Basri Ibrahimin, i cili më 15 prill të këtij viti ishte shkarkuar me vendim të Bordit të Përkohshëm të kësaj Ndërmarrje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lajmin për Insajderin, e ka konfirmuar vetë Ibrahimi, i cili ka thënë se Inspektorati i Punës e ka cilësuar vendimin e Bordit të Përkohshëm për shkarkimin e tij si të pa bazë.

    Ibrahimi duke komentuar vendimin e Inspektoratit për rikthimin e tij, ka thënë se gjithmonë ka deklaruar se ky vendim ka qenë politik.

    “Unë gjithmonë e kam potencuar, po ashtu edhe në ditën që jam shkarkuar se këto vendime ndaj meje , por fatkeqësisht edhe ndaj shumë të tjerëve janë vendime politike të cilat nuk kanë pas fare qëllim për me e ç’kap si e quanin ata shtetin ose kompanitë publike, por përkundrazi ka qenë qëllimi për kapjen e kompanive publike dhe punësimin e militantëve të vet dhe për me e zhvat kompaninë publike”, ka deklaruar Ibrahimi, për Insajderin.

    Madje, ka treguar se një person shumë i afërt me Vetëvendosjen, e ka kontaktuar menjëherë pas shkarkimit dhe i ka thënë se ky vendim për shkarkimin e tij është diskutuar edhe më herët.

    “Unë po ju jap një informatë që nuk e kam dhënë deri më tash, një i afërt i VV-së, mua më ka thirr menjëherë në ditën e parë që jam shkarku dhe më ka thënë që po më vjen keq që të kanë shkarkuar sepse ata kanë biseduar dhe ai ju ka thënë para se ta shkarkoni njeriun, gjejeni njeriun adekuat që do të thotë protesta dhe greva e punëtorëve ka qenë vetëm shkas, e jo shkak. Ata vetëm kanë kërku një moment ose një shkas , pra një arsye krejt banale për të më shkarkuar, pra ata e kanë pas qëllimin mem shkarku dhe këtë moti e kanë diskutu, por kanë lyp një shkas, mem shkarku, pra vendimi i tyre është krejtësisht politik”, ka deklaruar Ibrahimi.

    I pyetur se kush është personi që e ka kontaktuar, Ibrahimi nuk ka dashur të jep më shumë detaje, duke shtuar se nuk mund ta tregojë emrin e tij për shkak të mirëbesimit.

    “Jo nuk e jap emrin e tij, sepse njeriu kur të thirr në mirëbesim dhe shpreh keqardhje nuk është mirë ta zbuloj, dhe ta denigroj sepse pastaj menjëherë kundër tij fillon fushata dhe ju e dini se çdo njeri që del kundër tyre ata fillojnë fushatën dhe shkojnë deri në çështje më banale dhe personale dhe familjare, kështu që besoj që keni konsideratë dhe nuk mund ta zbuloj emrin e tij, por është njeri shumë I afërt me VV-në, por megjithatë ka pas një respekt dhe më ka tregu”, ka shtuar ai.

    Po ashtu, në këtë vendim të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se vendimi i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të Drejtorëve të  “Trepçës”, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Punës, neni 70, paragrafi 1.5, 1.6.1, 1.6.2, paragrafi 3, Neni 71, paragrafi 2.

    Me këtë vendim, obligohet Bordi i Përkohshëm i “Trepçës”, që të anulojë vendimin për shkarkimin e Basri Ibrahimit.

    Anëtarët e ri të Bordit të përkohshëm të Trepçës, të emëruar në muajin Mars, janë: Sylejman Hyseni, kryesues dhe drejtor i bordit, Bahri Hyseni, drejtor-përfaqësues i Republikës, Shyqri Kelmendi drejtor-përfaqësues i Republikës, Shyqri Sadiku, përfaqësues i punëtorëve.

    Ditë më parë, Inspektorati ka aprovuar ankesën edhe të Njazi Thaçit, ish drejtorit të KEK-ut dhe Bedri Istrefit, kryeshef i Telekomit./ Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark