×
  • Lajme
  • Insajderi

    Jasharaj i SBASHK-ut për shaminë: Fatmirësisht nuk është debatuar një temë e tillë

    Insajderi
    02 September 2022 - 10:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi është përjashtuar nga shkolla fillore e mesme e ulët “Flamuri i Arbrit”, në Komunën e Suharekës për shkak se mbante shami.

    Përjashtimi iu bë nga ana Këshillit Drejtues i Shkollës, në mbledhjen e mbajtur të premten e 26 gushtit.

    “Që duke u mbështetur në UA.nr03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformes fetare, i gjithë këshilli vendosi unanimisht që nuk i lejohet arsimtares së matematikes, znj.Remzie Lezi ta ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë”, thuhet në vendimin e marrë nga bordi i kësaj shkolle.

    Për lejimin e vendosjes së shamisë nëpër shkolla të hënën nga Gazeta Insajderi u pyet edhe kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

    Jasharaj deklaroi se ‘fatmirësisht kjo çështje nuk është debatuar brenda sindikatës”, gjegjësisht nuk kanë një qëndrim por që respektojnë ligjet e Kosovës.

    “Pa e fshehur aspak, asnjëherë ne në organet e SBASHK-ut as në kryesi, as nuk kemi pasur ndonjë kërkesë nga ndonjë anëtarë që të deklarohemi për shami, pra nuk kemi asnjë qëndrim as timin personal as të organeve dhe prandaj nuk e di çka të them. SBASHK-u si po e respekton ligjin e grevave edhe të tjerët, i mbetet qeverisë të vendos çka thotë ligji, çka thotë Kushtetuta jonë dhe ne do të pajtohemi  me ato që e thonë ligjet. SBASHK-ut nuk ka pasur dhe nuk ka një qëndrim sepse fatmirësisht nuk është debatuar një temë e tillë ashtu siç nuk debatohet për çështjet e partive”, deklaroi Jasharaj për Insajderi.

    Nga minuta 22:50 mund të dëgjoni deklaratën e dhënë nga Jasharaj për shaminë

    Për rastin e përjashtimit të arsimtares Lezi për Gazetën Insajderi ka folur avokat i saj Muhamet Mujaj. Ai deklaroi se ajo është ofenduar dhe nuk është lejuar të hyjë as brenda në shkollë.

    “Jam kanë vet aty të premten e kam pa gjendjen qysh është. Drejtori është sjellë në mënyrë të vrazhdë se ka lanë asnjëherë me hy as brenda në shkollë, pa asnjë shkresë zyrtare, i ka bërë dhunë psiqike dhe e ka fyer me fjalë të ndyta”- tha avokati Mujaj në një prononcim për Gazetën Insajderi.

    Tutje, avokati bëri të ditur se presin nga Drejtoria e Arsimit në Suharekë që të anulohet kjo kërkesë.

    “Është shkresë që e ka nxjerrë drejtori së bashku me këshillin drejtues, sipas asaj që shkruhet aty. Po besoj që vendim duhet me marrë drejtoria e arsimit në Suharekë, kemi bo kërkesën jemi tu pritë me anulu kërkesën” – përfundoi Mujaj.

    Për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale.

    Ishin Durim Berisha dhe Liridon Kurti që kërkuan të ndryshohet Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla që ishte hartuar në vitin 2014 nga ministria e Arsimit.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), tha se janë duke e trajtuar me kujdes kërkesën për ndryshimin e një neni në udhëzimin administrativ, i cili ua ndalon vajzave me mbulesë të vijojnë procesin mësimor.

    “Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do të ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, ka thënë ministria e Arsimit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha qëndrimin e tij pro mbajtjes së shamisë për vajzat nga mosha 16-vjeçare.

    “Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, kishte thënë Kurti.

    Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.

    /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark