×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Jashtë vendit” – si po i ikë Gjykatës njeriu i dënuar për blerje votash për partinë e Ministrit Elbert Krasniqi

    Insajderi
    07 April 2023 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    U dënua se bleu vota për partinë IRDK të Ministrit të Qeverisë Kurti II, Elbert Krasniqi. Rasti tash është kthyer në rigjykim, por seancat po dështojnë. “Jashtë vendit”, ky ka qenë arsyetimi që ka dhënë Elvis Halimaj, videot e krimit të të cilit i kishte publikuar Gazeta Insajderi

    Gazeta Insajderi

    Ishte marsi i vitit 2021, Ende po vazhdonte procesi i certifikimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit të atij viti. Gazeta Insajderi pati publikuar audio e video-incizime që ngritën dyshime serioze se për nevoja të partisë Iniciativa e Re Demokratike (IRDK) që për kryetar e ka Elbert Krasniqin ishin blerë vota me para kesh.

    Pas formimit të qeverisë së tij të dytë, Kryeministri Albin Kurti e emëroi Elbert Krasniqin Ministër të Pushtetit Lokal.

    Hulumtimi i Insajderit kishte zbuluar se në qendër të kësaj tregtie me vota ishte Elvis Halimaj, si përfaqësues nga diaspora që dilte se ishte i afërt me Elbert Krasniqin.

    Elvis Halimaj

    Halimaj dushkohej se kishte blerë 40 euro një votë për partinë e Elbert Krasniqit dhe kandidaten Albiona Halimaj. Në emër të Elbert Krasniqit, Elvisi ka kërkuar votat e 5 anëtarëve të një familje në këmbim të parave.

    Rasti në fjalë ka të bëjë me video incizimet për blerje votash në shumën prej 40 eurosh, ashtu siç është raportuar nga Insajderi”, ka thënë Prokuroria Special e Kosovës në një përgjigje për Insajderin.

    Në këtë institucion kanë treguar se ata e hetuan, akuzuan, dhe në fund u dënua Halimaj për votat që kishte blerë për nevoja të IRDK-së së Elbert Krasniqit, por Gjykata e Apelit vendosi që rastin ta kthente në rigjykim.

    Prokuroria Themelore në Pejë, më datë 23.08.2021, ka pranuar kallëzimin penal kundër E.H. si i dyshuar për veprën penale ‘’Dhënie apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’  nga neni 212 të KPK-së. Ndërkaq, më 10.01.2022 ka marr aktvendim për fillimin të hetimeve kundër të pandehurit E.H. Më 16.02.2022 kjo prokurori ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.H”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Insajderin.

    Sipas informacioneve të tyre, më 28.02.2022 Gjykata Themelore në Pejë veçse e kishte ka shpallur fajtor Elvis Halimajn për veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, por në korrik të vitit të kaluar Gjykata e Apelit mori një vendim që rastin ta kthente në rigjykim.

    Rigjykimi nisi, por tash Gjykatës Themelore në Pejë i kanë dalë telashe me të akuzuarin Elvis Halimaj. Ka munguar në dy seanca, me arsyetimin që është ‘jashtë shtetit’.

    Pasi lënda është kthyer në rigjykim fillimisht, është caktuar seanca me datë 20.01.2023, e cila nuk është mbajtur për shkak se prindi i të pandehurit ka njoftuar se i pandehuri nuk mund të paraqitet dhe  seanca është shtyrë për datë 24.02.2023, e cila po ashtu nuk është mbajtur për shkak se prindi i të pandehuri e ka njoftuar gjykatën se I pandehuri gjendet jashtë shtetit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës për Insajderin.

    Në këtë çështje penale trupi gjykues përbëhet nga gjyqtari Murat Hulaj – Kryetar i Trupit Gjykues, gjyqtari Arben Haskaj dhe gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj – anëtar. Seanca e radhës caktuar tek më 28 korrik 2023.

    Si i blinte Halimaj votat për IRDK-në e Elbert Krasniqit?

    Elvis Halimaj, tashmë një herë i dënuar për blerje votash, por që rasti u kthye në rigjykim, sipas dëshmive që i kishte publikuar Gazeta Insajderi kishte vendosur një çmim prej 40 eurosh për votë.

    Ai, në dëshmitë e publikuara, audio e video-incizime kishte blerë 40 euro një votë për partinë e Krasniqit dhe kandidaten Albiona Halimaj,

    Në emër të Elbert Krasniqit, Elvisi kishte kërkuar votat e 5 anëtarëve të një familje në këmbim të parave.

    Qytetari votat e të cilit dyshohet se i bleu Halimaj, fillimisht i thotë t`ia dërgoj 100 euro e pastaj “goditemi”. Halimaj e siguron se kush voton për këtë parti i merr 40 euro për një votë.

    “Nëse osht qashtu na 5 veta jena”, i përgjigjet qytatari.

    “Kush mi jem mue 200 euro nëse votojnë 5 veta”, iniston të dijë ai.

    Halimaj, sipas bisedave të siguruara nga Insajderi, mundohet ta bindë qytaterin se paratë do t`i marr patjetër edhe atë përmes motrës së tij.

    “Bone IRDK edhe nr 18. Unë i tham motrës teme edhe zatetesh në Istog e ti jep valla”, i thotë Elvisi qytetarit me të cilin bënë  pazar për pesë vota.

    Për ta quar punën deri në fund, Elvisi kërkon që anëtarët e familjes së këtij qytetari ta dëshmojnë me foto votën për IRDK-në e Elbert Krasniqi dhe kandidaten Albiona Halimaj.

    “Nëse mundesh me ba foto me pa ai njeri se pagun ai se une te besoj ty”, i thotë ai.

    Pasi që qytetari dëshiron të bindet se do t`i marrë paratë, Elvis Halimaj e telefonon duke e siguruar atë se parat do t`i marrë patjetër dhe se personat tjetër të afërm të tij tashmë i kanë marrë paratë në këmbim të votës.

    “Paret qat ditë ke me i marrë. Nesra është e dille, nesra janë votimet të dillen ki mi marr paret për pare mos ta nin unë i thom … me t`i pru. Unë i kallxoj …ki mja jep qiti qiti që ka votu për ata mos ta nin. Burr sbesoj që bajnë dallavere kur të thotë Elvisi qishtu qishtu qe, anena ka na i kanë marrë tan”, thotë ai.

    “Pazari” ishte arritur me sukses mes këtyre dy personave. Dhe të dilen  e 14 shkurtit 2021  është votuar partia e Elbert Krasniqit dhe kandidatja Halimaj, këtë si dëshmi ky qytetar ia kishte dërguar Elvisit me video.

    Mijëra euro kesh, pa mbulesë – Skandali tjetër i partisë së ministrit të Kurtit

    Gazeta Insajderi muaj më parë ka publikuar edhe një hulumtim që lidhet me partinë e Ministrit Elbert Krasniqi.

    Raporti i auditimit i financave të kësaj partie alarmon se  janë mbi 6 mijë euro te nxjerra nga banka si para kesh. Nuk ka mbulim me dokumente se si u shpenzuan këto mjete. Janë dy raste me mbi 900 euro secila. Auditori që i ka shikuar financat e kësaj partie nuk ka hasur në shpjegime të duhura se çfarë ka ndodhur me këto para.

    IRDK nuk ka regjistrime në librin e arkës të transaksioneve të kryera për blerjet ose furnizimet me para të gatshme në vlerë prej 6,110 euro të cilat mjete janë tërhequr nga llogaria rrjedhëse bankare për pagesat e shpenzimeve me para të gatshme”, konstaton raporti i auditimit të financave të kësaj partie.

    Auditorët konkluduan se kjo formë e tërheqjes së parave bie ndesh me ligjin për financimin e subjekteve politike.

    Ne e kishim të pamundur të verifikojmë me saktësi nëse transaksionet e raportuara janë të sakta dhe valide, të regjistruara drejt dhe se i takojnë aktivitetit të vet SP (Subjektit Politik) IRDK”, thuhet në raport.

    Raporti gjen edhe vlera tjera që nuk kanë arritur ti shpjegojnë. Në së paku dy raste të tjera.

    Detyrimet dhe fondet e subjektit politik tejkalojnë asetet e SP për 941.65 euro”, thuhet në raport dhe bëhet përsëri me dije se në mungesë të shënimeve përkatëse auditorët e kishin të pamundur të përcaktojnë nëse IRDK e Ministrit Elbert Krasniqit ka mbivlerësuar burimet e financimit apo ka nënvlerësuar asetet e prezantuara.

    Edhe te shpenzimet për ushqim, komunikim e karburant IRDK del se ka blerje me kuponë fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, që do të mund të arsyetonin dhe mbështesnin shpenzimet e ndodhura .

    “Për vlerën e shpenzimeve prej 967 euro SP nuk posedon asnjë dëshmi mbështetëse”, tërheq vëmendjen raporti në një rast tjetër.

    Auditorët janë kujdesur që në raportin e tyre të përmendin edhe shkeljet e ligjit.

    Subjekti Politik nuk e ka të definuar me Statut, mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjes për transaksione financiare, ashtu siç parashihet në ligjin.. për financimin e subjekteve politike”.

    Në Prokurori dhe Komisionin Qendror Zgjedhor i kanë thënë Insajderit që raportet e vitit 2020, ku përfshihet edhe ky raport, janë dërguar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës.

    Insajderi ka dërguar pyetje në partinë e Elbert Krasniqit, IRDK, për ti pyetur për vet raportin në fjalë, por edhe nëse janë kontaktuar nga ATK-ja, apo Prokuroria, por të njëjtit deri tash nuk janë përgjigjur.

    /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark