15:46 - 10 Tetor 2022

“Nuk e kam shkarkuar ministrin e Shëndetësisë, ai ka dhënë dorëheqje”, ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti sot kur u pyet rreth largimit të Rifat Latifi nga i pari i Shëndetësisë, shkruan Gazeta Insajderi.

Kryeministri madje vlerësoi lartë figurën e Latifit.

“Nuk ekziston asnjë projekt që ministri Latfi ka nisur e ne po e ndalim. Doktor Latifi ka vlerë të madhe”, tha Kurti para gazetarëve.

Këto komente Kurti i bëri nga Gjilani, atje ku sot mori pjesë në vendosjen e gurthemelit për një qendër të mjekësisë familjare.

Ministri Latifi ka dhënë dorëheqje me 6 tetor.

“Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si Ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time“, ka njoftuar Latifi.