×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    ‘Katër viktima brenda hapësirave menaxhuese të Ministrisë se Shëndetësisë’ – Kush mbajti përgjegjësi morale e institucionale?

    Insajderi
    07 January 2023 - 15:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një foshnje që u fut në lavatriçe në spitalin e Pejës, një operacion i ‘suksesshëm’ që rezultoi me vdekje, një shtatzëne që u vra para shkallëve të Gjinekologjisë, janë katër viktimat që frymëmarrjen e fundit e lanë brenda hapësirave menaxhuese të Ministrisë se Shëndetësisë. Asnjë dorëheqje nuk erdhi nga krerët udhëheqës të këtij dikasteri.

    Por, kush mbajti përgjegjësi për rastet që ‘goditën’ Ministrinë e Shëndetësisë?

    Rasti i foshnjës në Pejë shkarkoi vetëm 12 persona por jo edhe drejtorin ekzekutiv në spitalit e Pejës.

    Ndërsa, për rastin e Hamide Magashit dhe foshnjës së saj institucionet përgjegjëse heshtën totalisht, që nga drejtori i Gjinekologjisë, ShSKUK-ja dhe MSH-ja

    Kurse, për rastin e operacionit që la të vdekur një 63 vjeçar, deri më tani pati vetëm përplasje, jo dorëheqje, jo shkarkime.

    Gazeta Insajderi sjell kronologjinë e ngjarjeve.

    Futja e foshnjës në lavatriçe në Spitalin e Pejës

    Më 13 dhjetori, një rast i tmerrshëm kishte ndodhur në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e lindur pa shenja jete u fut së bashku me çarçafë në lavatriçe.

    Rasti dyshohet se u mundua të mbahet fshehtë nga përgjegjësit e spitalit të Pejës, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    Më 13 dhjetor, një grua ka lindur fëmijën e saj në javën e 32-të, për shkak të problemeve shëndetësore. Lindja është kryer me prerje cezariane dhe foshnja ishte nxjerrë e vdekur.

    Pas operacionit foshnja është vendosur në hapësirat e sallës. Nga pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, foshnja ishte ngatërruar me çarçafët ku bashkë me ta ishte futur në lavatriçe nga një punonjës i pastrimit. Më pas, ishte nxjerr copa-copa nga lavatriçja.

    Rasti ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës të cilët kanë deklaruar se hetimet kanë nisur.

    “Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorёt e shendetёsisё. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit dhe inspektorёt e shendetёsisё” thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Operacioni i “suksesshëm” në QKUK që la të vdekur 63 vjeçarin

    Një mjek i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK e kishte shpërndarë si sukses një operacion të rrallë të kryer ndaj një 63 vjeçari. Vetëm disa orë pas intervenimit pacienti ka vdekur. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk ka marr asnjë masë deri tani për kardiokirurgët që operuan pacientit pa pasur kompetenca.

    Kardiokirurgu Kushtrim Shala përmes një postim në Facebook, të publikuar 18 orë më parë ka pretenduar se ka kryer me sukses operacion “David”, një nga operacionet më të rrallë tek një pacient me diseksion akut të aortës.

    Lidhur me këtë rast drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Dr. Rifat Brahimaj, ka thënë se mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për këtë intervenim, pasi nevojitet përvojë e gjatë dhe ekspertizë.

    “Jam në pushim por jam informuar për rastin. Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, ka deklaruar Brahimaj për Shnetën.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, të dijë se si mjekët jokompetet kanë bërë një intervenim të tillë.

    Duke injoruar në total pyetjet, ShSKUK në përgjigjen e tyre kanë komentuar vetëm publikimin e fotografisë nga kardiokirurgu.

    ShSKUK ka thënë se asnjë mjekë apo drejtore klinikë nuk ka të drejtë të publikoj pamje nga institucionet ku punon, pa autorizim të zyrës për media.

    Tutje, nga ShSKUK thanë se drejtori Brahimaj ka obligim të ndërmarr masat e nevojshëm ndaj kardiokirurgut dhe ekipi të tij.

    “Secili drejtor i institucionit, në këtë rast edhe drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisê, ka obligim që të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi, për mosrespektim të kësaj urdhërese”, thuhet me tej.

    Kurse, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se ka aktivizuar mekanizmat e tyre për zbardhjen e rastit.

    Pranë Klinkë së Gjinekologjisë u vra Hamide Magashi me foshnjën e saj

    Një grua 35 vjeçare me foshnjën e saj që pritej ta sillte në jetë, u vra nga ish-burri i saj, para Klinikës së Gjinekologjisë. E ndjera e kishte denoncuar për dhunë ish-burrin dhe ishte në proces divorci derisa ndaj vrasësit të saj ishte ngritur aktakuzë për “Kanosje”, kishte edhe një urdhër gjykate të mos i afrohej asaj.

    Rasti makabër që ndodhi me 30 nëntor 2022, bëri që dikasteri i Shëndetësisë të kryqëzohet edhe më shumë për jotransparencë dhe papërgjegjësi.

    Një ‘urdhër’ i prerë ndërpriti çdo formë komunikimi apo transparence me udhëheqësit e këtij dikasteri, e që kishte të bënte me tragjedinë që ndodhi brenda institucioni publik.

    Që nga drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj i cili për më shumë se një muaj  nga ngjarja nuk nxori asnjë reagim lidhur me vrasjen që ndodhi para klinikes që ai udhëheq.

    Kurse, ud. e drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci dhe ud ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku në mbledhjen e komisionit parlamentar të Shëndetësisë zgjodhën heshtjen kur u pyetën për dorëheqjen morale dhe përgjegjësi.

    Në mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e Gjinekologjisë, Sokol Halilit me armë zjarri ia mori jetën asaj dhe foshnjës që pritej të vinte në jetë.

    Vrasësi u arratis nga vendi i ngjarjes e trupi i Hamide Magashit mbeti aty për më shumë se dy orë. Tre ditë pas Sokol Halili u vetëvra, më 2 dhjetor 2022.

    Abuzimi i logopedit Iljasa Fazliut me fëmijën me autizëm

    Insajderi ka publikuar një audio incizimin se si logopedi i QKUK-së, Iljasa Fazliu abuzon psiqikisht me një vajzë të mitur autike në ordinancën e tij.

    A.V (inicialet e së cilës janë ndryshuar nga redaksia) kishte kohë që po e dërgonte vajzën e saj 3 vjeçare në ordinancën logopedike AAR logo + në Gjilan.

    Nëna e saj kishte vërejtur se gjendja e vajzës së saj vetëm se përkeqësohej dita ditës.

    Në atë ordinancë, vajza e saj po ofendohej e shahej nga vetë doktori Iljasa Fazliu duke i shkaktuar edhe presion psiqik.

    Gazeta Insajderi ka siguruar video inqizime ku Fazliu dëgjohet duke e urdhëruar pacientin që të ndaloj së qari disa here me radhë.

    ”Plaq atje…Ik atje budallicë, ta q*ft bota nanen…ik aty… jepja bre topin q*ja nanen qaty… nalu ta q*ft dreqi nanen…çka po don çka, çka?… na e lodhe b**hen”, këto janë fjalët që dëgjohen në videon e siguruar.

    Insajderi po ashtu raporti se Fazliu nuk kishte as licencë pune si profesionist dhe kjo ishte konfirmuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës të cilat kanë thënë se ai nuk është i licencuar.

    I njëjti logoped, në shtator të vitit 2022 ishte emëruar si ud. i shefit të shërbimit të Logopedisë në QKUK nga ud.drejtoresha e SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi.

    Por, nga SHSKUK-së i thanë Gazetës Insajderi se logopedi kishte licence të lëshuar vetëm nga Ministria e Shëndetësisë.

    Për këtë skandal, vetëm logopedi Iljasa Fazliu u pezullua nga puna në QKUK dheu shkarkuar nga pozita e shefit të Logopedisë në Klinikën e ORL-së.

    Infermierja që rrahu 70 vjeçaren në shtëpinë e kujdesit “Orenda” në Pejë

    Një video e publikuar në media ku shihej infermiera Aurona Pelaj, e cila godiste në fytyrë dhe në pjesën e barkut një grua të moshuar, 70-vjeçare ishte skandali i radhes i cili përfshiu dikasterin e Shëndetësisië.

    Në këtë rasti ishin të përfshira Infermierja Aurona Pelaj, Giltiana Neziri, Altina Rexhepi dhe Remzije. Të njëjta u arrestuan menjëherë pas publikimit të videos skandaloze të ushtrimit të dhunës ndaj të moshuarës.

    Ato u suspenduan nga puna dhe oda e infermiereve ua hoqi licencën e punës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Edhe me skandaloz këtë rast e bëri fakti që në shtëpinë e kujdesit ndaj të moshuarve “Orenda”,  nuk kishte shkeluar asnjhërë këmba e Inspektoratit Shëndetësor.

    Protagonistet e videos që ushtruan dhunë ndaj të moshuarës dhe kolegët tjerë të tyre, nuk kishin pasur asnjë herë punë me kontrollë nga shteti. Derisa dhuna ishte shprehuar hapazi edhe disa herë tjera.

    Në raportin mjekësor të ekzaminimi të të moshuarës që ishte viktimë ka rezultuar se ajo ka pasur lëndime trupore edhe më herët.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark