×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    KE-ja do t’i përgjigjet Qeverisë për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta serbe

    Insajderi
    24 November 2023 - 14:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komisioni Evropian nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve specifike rreth propozimit që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të përfshihen në liberalizimin e vizave.

    Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Por, në propozimin e ri, KE-ja ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë arsye për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Anita Huper, ka paralajmëruar se komisionarja për Punë të Brendshme, Ylva Johanson, do të mund të përgjigjet në letrën dërguar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

    “Komisioni Evropian më 16 nëntor ka miratuar propozimin me qëllimin për të siguruar përfshirjen e të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në mundësinë e udhëtimit pa viza në BE. Komisioni është në pritje që kjo të miratohet nga ligjvënësit në BE”, i është përgjigjur ajo pyetjes se cili është qëndrimi i Komisionit rreth vërejtjeve që ka dhënë Qeveria e Kosovës, dhe disa organizata joqeveritare nga Kosova, se me këtë propozim Komisioni do ta pengojë integrimin e serbëve në Kosovë dhe se një e gjë e tillë shkel integritetit territorial të Kosovës, raporton REL.

    “Sa i përket çështjes së dytë, ajo do të përcillet nga komisionarja Johanson në përgjigjen e saj për pyetjen specifike”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian duke iu referuar letrës që Qeveria e Kosovës i ka dërguar Komisionit Evropian.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor i ka dërguar një letër Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku thotë se ky propozim shkel sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e serbëve në Kosovë dhe hap rrezikun e përdorimit të të dhënave të pasakta çka paraqet edhe kërcënim të sigurisë.

    “Lëshimi i pasaportave nga Qendra ilegale koordinuese e Serbisë, që i konsideron komunat në Kosovë si pjesë e juridiksionit të Serbisë, është shkelje serioze e sovranitetit”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, ku rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka konsideruar Kosovën si të vetmin autoritet legjitim për regjistrin civil me të drejtë të lëshimit të pasaportave për qytetarët që jetojnë në hapësirën e saj.

    Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pohimet se serbët nuk do të përfshiheshin në liberalizimin e vizave pasi ata, me procedurë të përshpejtuar dhe të thjeshtëzuar, mund të pajisen me pasaporta të Kosovës.

    Në letrën e Qeverisë së Kosovës jepen edhe shifrat, sipas së cilave vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti 4.350 serbë të Kosovës kanë marrë pasaporta të Kosovës, që është rritje prej 29 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

    Lidhur me propozimin e KE-së kanë reaguar më herët gjatë 21 nëntorit edhe mbi 20 organizata të shoqërisë civile.

    Përmes një letre të hapur drejtuar Ylva Johansson, komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, shoqëria civile ka kërkuar që KE-ja të tërheqë propozimin.

    Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Schengen.

    Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, nëse propozimi i KE-së nuk jetësohet, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark