×
  • Lajme
  • Insajderi

    KEK-u nuk e ka shtrenjtuar rrymën në Kosovë, KESCO blen nga KEK-u një kilovat për 2.95 cent euro

    Insajderi
    28 February 2022 - 09:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përkundër rritjes së çmimeve për tarifat e energjisë elektrike nga ana e kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) mbi 100 për qind për ekonomitë familjare, Korporata e Energjetike e Kosovës (KEK) nuk e ka shtrenjtuar as edhe një centë tarifat për kompaninë KESCO.

    Me çmimet e reja, KESCO rrymën e blerë nga KEK-u 2.95 cent e shet 12,5 cent në tarifën e ditës dhe 6.75 cent në tarifën e natës.

    Madje këto çmime të prodhuesit, në këtë rast KEK-ut, mbeten tejet të ulëta për KESCO-n, vetëm 0.0295 centë (afër 3 centë) në 24 orë ditën dhe natën, krahas çmimeve të larta që ishin deri në 500 euro për një megavat në tregun ndërkombëtar.

    Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli konfirmon për KosovaPress se KEK-u nuk është palë e përfshirë në procese të ndryshimeve të çmimeve nga ZRRE-ja dhe si rrjedhojë çmimi i energjisë elektrike për mbulimin e konsumit të Shërbimit Universal (KESCO) mbeten në nivelin aktual 29.50 euro për një MWh(megavat) apo 0.0295 centë kilovatin.

    Bucolli thotë se çmimi për mbulimin e humbjeve në Distribucion dhe Transmetim mbetet në nivelin aktual 36.00 për Mwh apo 3.60 kWh.

    “Nuk ka asnjë ndryshim në çmimet e KEK-ut për konsumatorët e rregulluar. Për më tepër, duke marr për bazë që Tarifat (çmimet) e Energjisë Elektrike të KEK-ut Gjenerimit nuk i nënshtrohen rregullimit tarifor nga ZRRE që nga dt: 01.04.2017 me ndryshimet e realizuara në legjislacionin primar (Ligjet) dhe sekondar (Rregulloret e ZRRE-se). si dhe udhëzuesin e ZRRE-së për Liberalizimin e Tregut të Energjisë, çmimet e energjisë elektrike të KEK-ut janë bazuar në treg të lirë, me negocim të palëve për çmime”, thotë Bucolli.

    Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të KEK-ut, Nexhat Llumnica, KESCO furnizohet 24 orë në ditë me çmim prej 29.50 euro për një megavat energji elektrike nga KEK-u, kurse KESCO siç tha ai ka fitim shumë fish më të lartë se prodhuesi, KEK-u.

    “KEK-u furnizon KESCO-n me çmim prej 29.5 euro për një megavat energji elektrike, ndërsa KESCO një megavat ia shet konsumatorëve deri ne 125 euro me tarifat e reja. Kjo gjithnjë edhe me subvencionimin e qeverisë. Për çka ne konsiderojmë ky fitim kaq i madh i KESCO-s është i pa drejtë”, thotë Llumnica për KosovaPress.

    “Derisa KEK-u e shet një megavat 29.50 euro KESCO-s, kjo e fundit këtë e faturon tek konsumatorët 125 euro megavatin në tarifën e ditës, që i bie 400 për qind më shumë se KEK-u”, thotë ai.

    Sikur zyrtarët e KEK-ut kanë theksuar edhe drejtues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE).

    Petrit Pepaj drejtor menaxhues në ZRRE thotë se që nga viti 2017, Zyra e Rregullatorit për Energji nuk I përcakton të Hyrat Maksimale të Lejuara dhe as tarifat për KEK-un, rrjedhimisht çmimi i shitblerjes së energjisë elektrikë në mes KEK dhe KESCO/KEDS bëhen në përputhje me marrëveshje nga të dyja palët.

    “Çmimi aktual me të cilin KEK shet energjinë elektrike KESCO-s për mbulimin e konsumit të konsumatorëve me shërbim universal është 29.5€/MWh, ndërsa çmimi me të cilin KEK i shet KEDS-it për mbulimin e humbjeve është 36€/MWh”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga ZRRE.

    Ndryshe, ZRRE-ja kishte marrë vendim më 8 shkurt që të shtrenjtohet rryma për ekonomitë. Për këtë kategori tarifat e energjisë elektrike janë ngritur 104 për qind për tarifën e natës, ndërsa për tarifën e ditës 85 për qind.

    Qeveria e Kosovës është zotuar t’i ndaj 100 milionë euro për subvencionimin faturave të energjisë elektrike për bizneset dhe për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë.

    Vendimi i ZRrE për shtrenjtim të energjisë elektrike ka hyrë në fuqi më 9 shkurt, vendim ky që po kundërshtohet nga qytetarët, partitë opozitare si dhe nga iniciativat qytetare.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark