×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kemi mbetur pa leje pune, pa bukë duam të kthehemi në Kosovë” – mbi 600 qytetarë të bllokuar në Kroaci, ambasadori Kasapolli jep detajet

    Insajderi
    28 March 2020 - 17:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Na ka kaluar leja e punës, leja e qëndrimit nuk kemi parë as për me i pagu qirat as shpenzimet për bukë, mundemi me mbet në rrugë, duam që të na vendosin në karantinë në Kosovë” , këto janë ankesat që kanë arritur në adresë të Gazetës Insajderi nga qytetarë të cilët kanë qenë duke punuar në Kroaci.

    E gjithë kjo gjendje, është shkaktuar për shkak të pandemisë globale koronavirus. Vatje-ardhjet nga shtete të ndryshme janë ndalur totalisht nga Qeveria për të parandaluar shpërndarjen e virusit.

    Bëhet fjalë për afro 600 qytetarë që duan të kthehen nga Zagrebi në Kosovë.

    Në lidhje me këto ankesat Insajderi ka folur me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

    Ambasadori ka deklaruar se Kosova nuk ka kapacitet t’i vendos në izolim (karatin) 600 persona që vijnë nga shteti i Kroacisë.

    “Ky është problemi më i madh me të cilin po ballafaqohemi deri tash, janë diku deri 600 njerëz që dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Fatkeqësisht Institucionet e Kosovës dhe Qendra për Emergjencë nuk është në gjendje me pranu një fluks kaq të madh të njerëzve për me u kthy”, është shprehur ai.

    Për ankesat e qytetarëve se mund të mbesin edhe pa bukë, Kasapolli ka treguar se si ambasadë kanë ndërmarr disa hapa për tua lehtësuar jetesën në këto kohë të vështira.

    “Çka kemi bërë ne si ambasadë është që përveç qe ua kemi vazhdu mundësitë e lejeve, ne i kemi organizu gjithë furrtarët dhe pronarët e dyqaneve shqiptare që të paktën me iu dhënë bukë pa pare”, ka deklaruar Kasapolli për Insajderin.

    Se qytetarët mund të furnizohen nga furrat e dyqanet shqiptare atje, Kasapolli thotë se i ka njoftuar përmes telefonit, imelleve e lajmërimeve të tij si ambasador në profilin e tij në Facebook.

    Si përfaqësues i Kosovës në Kroaci u dha përgjigje edhe atyre, të cilët po ankohen se duhet të paguajnë qirat e vendbanimeve në Kroaci.

    “Secili nga ta kanë ardhur individualisht, secili kanë kontratë me kompanitë e tyre që me vazhdu qëndrimin e tyre në ato banesa ku qëndrojnë deri tash. Duhet të jemi realist me këtë situatë, është gjendje lufte, gjendje kaotike – unë e kuptojë dëshirën e secilit të kthehet, për shkak se për gjithë këta secili e ka një rast urgjent, arsye për me u kthy – por kapacitetet tona në Kosovë nuk po më lejojnë as mua të ndërmarr ndonjë hap. Unë jam mes dy zjarreve”, ka thënë ai për Insajderin.

    Tutje, ai ka sqaruar se presin nga Institucionet e Kosovës që në javën e ardhshme të ju dërgojnë një numër të saktë të njerëzve që munden me u pranu nga Kroacia.

    Gjatë bisedës, ambasadori ka potencuar se kanë arritur marrëveshje edhe me Malin e Zi që tu lejohet kalimi emergjent qytetarëve që kthehen nga Kroacia.

    “Ne kemi bërë edhe marrëveshje me institucionet e Malit të Zi që me ju leju kalim emergjent të kufirit por ende jemi në pritje të institucioneve të Kosovës të na dërgojnë miratimin. Përndryshe, në qoftë se në Kosovë nuk ka kushte për karantimin të një numri kaq të madh, ne nuk jemi në gjendje si ambasadë si ambasadë të bëjmë diçka për shkak se edhe këtu jemi të bllokuar, plus ka pasur edhe tërmet dhe jemi të bllokuar për çfarëdo veprimi”, është shprehur ai.

    Përmes Insajderit ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që u skadon viza dhe leja e punës të lajmërohen përmes telefonit në Stacionin e Policisë në mënyrë që tu vazhdohet leja e qëndrimit.

    Ambasadori Kasapolli pati edhe një kërkesë për rastet sociale.

    “Për të gjithë ata që ju skadon viza apo leja e punës të lajmërohen me telefon në Stacionin e Policisë dhe ata ju vazhdojnë leje qëndrimin, e dyta kushdo që ka mbet si rast social të lajmërohet tek furrat e shqiptarëve ku i kanë në rrethinë, për shkak se çdo qendër ka furra të shqiptarëve që janë të gatshëm me ndihmu dhe janë duke ndihmu që 1 jave vazhdimisht”, ka potencuar Kasapolli.

    Duke u shprehur se ka mbetur mes dy zjarresh, ambasadori u bëri thirrje institucioneve për zgjidhjen e problemit, ndërsa luti qytetarët të qëndrojnë në Kroaci, nëse kanë mundësi.

    Institucionet e Kosovës së bashku me ato të Kroacisë kanë arritur marrëveshjen, që secilit që i skadon viza dhe leja e punës t’i vazhdohet qëndrimin në Kroaci për shkak gjendjes së shkaktuar nga COVID-19.

    Deri tani në Kroaci kanë vdekur dy persona nga koronavirusi ndërsa të infektuar janë afër 500, derisa në Kosovë për më pak se tri javë numri i të infektuarve ka arritur në 88./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark