×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ​Këta janë kandidatët e certifikuar nga KQZ për zgjedhjet në veri të Kosovës

    Insajderi
    28 November 2022 - 13:39

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Dy partitë e mëdha, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të kenë në garën e 18 dhjetorit nga 4 kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.

    Kandidatët e certifikuar të PDK-së janë Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut). Kurse, kandidatët e certifikuar të Vetëvendosjes janë: Lulzim Hetemi (Leposaviq), Flatron Hasani (Zubin Potok), Fetah Peci (Zveçan) dhe Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut).

    Aleksandër Jabllanoviq, i cili njëherësh është kryetar i partisë Partija Kosovskih Srba, është certifikuar si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.

    Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviq.

    Në këto zgjedhje, është certifikuar një kandidate e pavarur, Sladjana Pantoviq, e cila garon për kryetare të komunës së Zveçanit.

    Para mbledhjes, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pas përfundimit të procesit të aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve, i cili është përmbyllur më 25 nëntor, KQZ-ja ka komunikuar me institucionet e ndryshme shtetërore për të verifikuar nëse kandidatët e paraqitur janë në pajtueshmëri me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

    Ky nen, tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjestar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjesëtar i PZAP-it.

    Gjithashtu, sipas KQZ-së, është komunikuar edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark