×
  • Biznes
  • Biznes

    KODE Labs, që po automatizon ndërtesa në mbarë botën nga zemra e Kosovës, siguron $30M investim në Serinë B

    Insajderi
    15 April 2024 - 21:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ashtu si shumë emigrantë, horizonti i qytetit të Nju Jorkut ishte një nga pamjet e para që vëllezërit e rinj Edi dhe Etrit Demaj morën kur arritën në SHBA mbi 20 vjet më parë. Dyshja, së bashku me familjen e tyre, kishin ikur nga lufta e 1999 në Kosovë, dhe ata ende e mbajnë mend pamjen teksa avioni i tyre fluturonte sipër.

    “Ndërtesa e parë që pamë ishte Empire State Building,” kujton Etriti.

    Familja Demaj u vendos shpejt në Detroit, ku vëllezërit përfunduan shkollimin e tyre dhe krijuan kompani të ndryshme, duke përfshirë më të fundit, KODE Labs, e cila integron dhe automatizon sisteme të ndryshme në ndërtesa tregtare – duke përfshirë Empire State Building.

    “Kjo është ëndrra amerikane,” tha Etriti.

    Kur vëllezërit Demaj themeluan KODE në 2017, ata kërkuan të sillnin menaxhimin e ndërtesave në epokën e ‘cloud computing’. Ata zhvilluan një software që mbledhë të dhëna nga sisteme dhe paisje të ndryshme të funksionimit të një ndërtese, përfshirë sistemin e klimatizimit, sensorët e ajrit, alarmet e zjarrit, ashensorët, dhe të tjera, dhe më pas i kontrollon ato në një mënyrë që të rrisë efikasitetin e këtyre paisjeve. Platforma e KODE mund të komunikoj me mbi 130 sisteme të ndryshme, me integrime te reja që shtohen rregullisht.

    Themeluesit e krahasojnë atë me një sistem operativ (si një ‘Windows’ për ndërtesa) që integron sistemet e ndërtesës në një platformë qendrore.

    “Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të mbledhim të dhëna dhe t’i përdorim ato për të ndërtuar aplikacione për ta bërë sistemin operativ më të dobishëm duke orkestruar efikasitetin e energjisë dhe duke ofruar përvojë të veçantë për të gjithë përdoruesit e KODE,” tha Edi për TechCrunch.

    Ndërtesat, në pikëpamje të jashtme mund të duken se nuk shkaktojnë ndotje, por n fakt ato gjenerojnë 16% të të gjithë ndotjes së karbonit në SHBA, sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA e SHBA). Mënyra se si operohen shumë prej tyre nuk është vetëm e dëmshme për mjedisin, por edhe e kushtueshme.

    Sot, ndërtesat komerciale menaxhohen dhe operojnë në mënyrë joefikase, gjë që mund të adresohet përmes automatizimit. Me këtë proces, jo vetëm që do të uleshin emetimet e karbonit, por pronarët e ndërtesave do të kursenin edhe shuma të konsiderueshme parash.

    Mes 2020 dhe 2050, adoptimi global i automatizimit mund të zvogëlojë emetimet e karbonin nga 9.5 miliardë deri në 14 miliardë tonë metrikë dhe t’iu kursejë pronarëve të paktën 2.3 trilion dollarë, sipas Projektit Drawdown.

    KODE ka zhvilluar gjithashtu një sërë aplikacionesh në platformën e tyre, duke i lejuar klientët të monitorojnë përdorimin e energjisë, emetimet e karbonit dhe konsumin e ujit. Jo vetëm që këto ndihmojnë për të mbajtur kostot në nivel të ulët, disa nga të dhënat janë të domosdoshme për t’iu përmbajtur ligjeve në qytete të ndryshme, duke përfshirë qytetin e Nju Jorkut, ku Ligji Lokal 97 kërkon që ndërtesat mbi 25,000 metra katrorë të ulin emetimet e tyre të karbonit me 40% deri në fund të dekadës.

    “Me të gjitha synimet dhe ligjet në fuqi në shumë vende të botës, pronarët e ndërtesave nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të vazhdojnë të ndjekin rrugën e automatizimit,” tha Etriti. “Tashmë, softueri i kompanisë përdoret nga menaxherët dhe pronarët e ndërtesave në pesë kontinente dhe rrjeti i klientëve tonë përfshinë korporatat e mëdha Fortune 100 dhe institucionet e arsimit të lartë,” shtoi ai.

    KODE është rritur ndjeshëm që nga mbledhja e Serisë A prej 8 milionë dollarësh në vitin 2022, me më shumë se 40 punonjës në Detroit, 150 në Kosovë dhe në vende të tjera rreth globit.

    Duke e kapur hapin e rritjes dinamike, KODE së fundmi siguroi financim në vlerë prej 30 milionë dollarësh përmes serisë B të investimeve. Kjo seri e investimeve u udhëhoq nga Maverix Private Equity, me pjesëmarrje të Telus Ventures dhe përkrahje të vazhdueshme të I Square Capital. Ky investim synon të përshpejtoj zgjërimin e tregut të KODE dhe rritjen e ekipit për zhvillimin e produkteve të reja me fokus në inteligjencën artificiale.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark