×
Analiza

Komiteti i Akuzave – Si u la jashtë KOK-ut edhe Majlinda Kelmendi

Insajderi
31 May 2022 - 12:16
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Presidentja, Vjosa Osmani i kishte ndarë kampiones së xhudos, Majlinda Kelmendit çmimin e heroinës “Shotë Galica”. Për më shumë, ajo shprehej se Kelmendi do të vazhdojë rrugën e saj duke u angazhuar në sport tash në forma të tjera- nëse jo si xhudiste aktive. Por, a po ndodhë kështu vërtetë?

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Nga Komiteti Olimpik i Kosovës Majlinda Kelemendi po injorohet.

InDoks, ekskluzivisht për herë të parë solli pamjet dhe debatin e ashpër që u bë brenda KOK-ut. Rezultati që doli nga kjo mbledhje e kontestuar – që në fakt la jashtë organeve kryesore drejtuese të saj Federatën më të suksesshme të krejt Komitetit- xhudon. Kjo federatë jo vetëm me Majlinda Klemendin, por edhe me sportistë të saj i ka sjellë dhe vazhdon ti sjellë medalje vendit.

Për InDoks u deklaruan ata që po denoncojnë udhëheqësin aktuale të KOK-ut. Ekspozojnë Presidentin e kësaj organizate sportive për dallavere. Ngrenë dyshime për veprime të paligjshme, keqpërdorime financiare, e përmendin edhe vepra penale. Po kërkojnë edhe largimin e tij vetëm pas një viti në karrigen e pushtetit.

Një vit pas zgjedhjes së Ismet Krasniqit në krye të KOK-ut, që ishte në mars 2021, një mbledhje tjetër u thirr nga Komiteti. Disa anëtarë të pakënaqur me mënyrën se si po e udhëhiqte ai këtë organizatë sportive po kërkonin që në rendin e ditës të futej votë-besimi, ose më thjesht: që të nisej procedura e shkarkimit të Ismet Krasniqit. Kjo u pamundësua dhe ata që e bënë krejt këtë nismë kanë treguar për InDoks se si Krasniqi e shmangu rënien nga pushteti.

Ismet Rexhepi udhëheq me Federatën e Automobilizmit në Kosovë. Ai në këtë intervistë të gjatë për InDoks ka folur për të bëmat e menaxhmentit aktual të KOK-ut. Ai nuk po flet vetëm tash. E kishte ngritur zërin me kohë edhe në asamblenë e KOK-ut, që drejtuesit e saj tentuan ti mbanin pamjet e saj larg publikut.

Ismet Rexhepi – Federata e Automobilizmit në Kosovë

“Kjo është e ngjashme sikur më herët, 89 apo 90 kur ka qenë Kuvendi i Kosovës, kur ka qenë më herët janë ata delegatë Muharrem Shabani e Buzhala e të tjerët kur për me ndrru një nen në kuadër të Kushtetutës në vitin 1974 pushteti atëherë serbë kanë përdorur elemente tjera, kanë fut deputetë pa kanë deputetë. Në mënyrë që veç me u pa duart e tyre e me ndrru atë nen”, u shpreh ai.

Rexhepi ka treguar për InDoks se pse sipas tij ajo që ndodhi në asamblenë e KOK-ut nuk ishte as normale, e siç akuzon ai, i ngjan edhe mbledhjes së Kuvendit ku Kosovës iu mor autonomia- një paralele krahasimi aspak e lehtë për tu thënë në publik.

“Sepse paraprakisht, tri federata kanë kërku sipas statutit në kohën e caktuar me u fut edhe një pikë e rendit të ditës, shkarkimi i presidentit me gjithë Bordin e Ekzekutiv. Një diçka që ata kanë mundur paraprakisht me fut si rend të ditës ose është momenti tjetër kur shkon në Kuvend, delegatë mund të vendosin nëse, futet edhe një pikë e rendit të ditës ose jo. Prej frikës që ka mundësi ajo pikë e rendit të ditës me u fut aty, kjo është edhe para miratimit të rendit të ditës që dmth është një procedurë standard, prej frikës dhe pastaj me u votu shkarkimi i tyre. Ata kanë vendosur me përdorë elemente prej anash që dmth delegatë që skanë të drejt vote, në mënyrë për cdo eventualitet nëse vjen deri tek votimi. Në momentin e parë që janë kontestu nga kryetari i KOK-ut që këta delegatë nuk kanë të drejt vote, ata kanë mbetë qaty dhe p,sh të drejtën tonë për me fol na kanë harxhu në atë pikë ne i kemi jep argumentet pse ata nuk munden delegatë me votu, së pari duhet me u evidentu – e jo me qenë e mjaftueshme aty presidenti me dalë e me thënë aty prej 100 e qekaq delegatë qenkan kaq delegatë, pastaj aty është një komision për verifikim në këtë rast ne se pamë komisionin por presidentin. Që është diçka e parregullte, është diçka nuk ka ndodhur në të kalumen”, u shpreh Rexhepi.

Ndërkaq ish-sekretari i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj tregon krejt çka ndodhi në ditën e asamblesë.

Shasivar Haxhijaj – Ish-sekretar i KOK-ut

“Fatkeqësisht vitin e fundit ka filluar të shkojë gjithçka mbrapsht dhe kjo pikërisht lidhet prej ardhjes së Ismet Krasniqit, kryetarit të komunitetit Olimpik dhe kryesisht prej ardhjes së sekretarit të ri Besim Aliti ngase veç prej ardhjes së tij e kemi një lloj paligjshmërie totale që po ndodh në KOK deri në atë shkallë sa asambleja e fundit e punës për herë të parë ne historinë e KOK-ut është mbajtë në një ambient që fare nuk i përgjan punës të udhëheqjes arrogante edhe ku ka mbreteru fryma e paligjshmërisë totale kur ke parasysh që në atë asamble kanë marrë pjesë fillimisht 5 delegatë pa të drejt vote prej dy federatave, Pentatllonit olimpik dhe Federatës së Kalërimit të Kosovës. Të dyja këto federata nuk kanë pasur të drejt të marrin pjesë fillimisht në votime mirëpo kryetari dhe sekretari i KOK-ut i kanë bë si fakte të kryera para asamblistëve, fare nuk kanë dashtë as me na njoftu që ata kanë ardhur, më pas reagimi prej disa delegatëve se kah u shtuan 5 vota prej asamblesë zgjedhore deri tash kundër kur nuk e kemi pasur një asamble që ne e kemi shtu numrin e votave ose asamblistëve në KOK, ata thonë, jo kanë ardhë edhe këto  federata, se këta janë kanë anëtarë të KOK-ut. Të qenit  anëtarë edhe me pas të drejtën e votës, janë dy gjëra të ndryshme”, deklaroi ai.

Ai ka folur për InDoks për parregullsitë që i ka parë në KOK, por para kësaj, ai kishte reaguar brenda vet kësaj organizate sportive. U injorua.

Pasi që asamble u injorua, në një intervistë të gjatë për InDoks, Haxhijaj ka treguar se çka ndodhi në këtë mbledhje, pamjet e së cilës për herë të parë ekskluzivisht i sjell InDoks. Çka, sipas tij bënë menaxhmenti aktual i KOK-ut në krye me Ismet Krasniqin për të vazhduar qëndrimin në pushtet.

“KOK-u, më konkretisht Bordi Ekzekutiv i kalum në janar të 2021 i ka shpallë zgjedhjet dhe në letrën që ju ka dërgu, ku e kam letrën dhe mundeni me pa si dëshmi në letrën që ju ka dërgu gjitha federatave sportivë iu është kërku të mbahen kuvendet e rregullta zgjedhore, ti dërgohen materialet me kohë edhe njoftimet me kohë edhe KOK-ut por edhe Ministrisë së Sportit dhe poashtu zgjedhjet duhet të jenë fer, demokratike të rregullta të pranuara prej KOK-ut në të kundërtën nëse këta nuk i mbajnë zgjedhje apo ashtu sic duhet nuk do të jenë pjesë e asambles zgjedhore, nuk përjashtohen prej KOK-ut por nuk munden me qenë pjesë në asambles zgjedhore të KOK-ut dhe po ashtu kërkohet prej gjitha federatave ti paguajnë të gjitha obligimet ndaj KOK-ut sepse është vendim i asambles edhe i pari edhe i dyti dhe këto dy vendime të asambles është e obliguar me i implementu Bordi Ekzekutiv”, tha ai për InDoks.

Ish-Sekretari i KOK-ut derisa ka dhënë shpjegime për Federata të caktuara që votuan në asamblenë e kontestuar publikisht të KOK-ut, ka treguar edhe një herë që atyre u pamundësua që të bënin veprime të më tutjeshme për këtë mbledhë. Kjo, pasi që KOK-u i drejtuar nga Ismet Krasniqi nuk ua dha videot e mbledhjes. Por, këto video i ka siguruar InDoks.

“Çka është më e keqja, Federata e Padelit ende pa u pranu në KOK për dIsa pika me radhë duke e pasur parasysh edhe pikën e rendit të ditës kur është votu… për të dyja ka votu pa u bë akoma anëtarë e KOK-ut, Federata e Padelit ndërsa Federata Mundje Krahësh derisa nuk është bë anëtare e KOK-ut nuk ka votu, mirëpo e keqja e gjithë kësaj është që ato dy federata edhe pasi janë pranu në KOK, ato nuk kanë pasur të drejtë të vote. Le që ka votu para se me qenë anëtar i KOK-ut kjo i bie si të thuash me ardhe prej rruge dhe me votu në asamble dhe fare mos me u shqyrtu kjo, me pas të drejtën një federatë pa qenë anëtare KOK-ut e me iu mohu e drejta federatave që kanë dhënë kontribut siç është Federata e Xhudos së Kosovës, ku i ka dhënë tri medalja të arta olimpike dhe gjitha federatat e tjera që e kanë lëshuar asamblenë dhe i bëhet një padrejtësi totale gjtiha atyre federatave, atyre delegatëve ndërsa voton një federatë ende pa qenë anëtare e KOK-ut, dhe po ashtu të dy federatat pasi pranohet votojnë. Për këtë ne kemi kërku me u dhënë incizimit prej KOK-ut, videoja mirëpo ende nuk na është dhënë zyrtarisht sipas kërkesave të delegatëve të votohet videoja. Ne edhe tash po kërkojmë të publikohet ajo video sepse e dëshmon të vërtetën, tregon për votimin që e kanë bë dy delegatët pa të drejtë vote dhe 5 delegatët që folëm më herët”, tha Shasivar Haxhijaj.

Derisa këto video që mund ta ekspozonin menaxhmentin aktual të KOK-ut nuk iu dhanë as delegatëve, siç tregojnë Haxhijaj e Ismet Rexhepi që edhe i kanë kërkuar, InDoks e ka siguruar krejt video-materialin e asamblesë së kontestuar të KOK.

Ismet Rexhepi që kishte dhënë vërejtjet e tij dhe po insistonte që në rendin e ditës me votat e asamblesë të vendosje se a do të nisej procesi i votë-besimit kundër Ismet Krasniqit, nuk ishte ndalur me kaq ani pse dikush nga tavolina që e drejtonte mbledhjen i thoshte: ‘U kry tash’. Ai tutje, në këtë video që e ka siguruar InDoks tregon se si në KOK desh e lanë jashtë mbledhjes së asamblesë edhe njeriun që me të cilin krenohet Republika, Majlinda Kelmendin.

Nga këto fjalime e tutje gjendja në mbledhjen e Asamblesë së KOK-ut të të bëhej kaotike. Më shumë se sa dy persona flisnin në të njëjtën kohë, por në fund menaxhmenti e bëri të veten: e pamundësoi që të futej në rend të ditës edhe mundësia që të kërkohej shkarkimi i tyre. Po e përdornin karrigen që ishin ulur në këtë mbledhje, për ta ruajtur karrigen e pushtetit në krye të KOK-ut.

Këto zhvillime lanë jashtë organeve drejtuese të KOK-ut jo vetëm Majlinda Klemendin, por edhe vetë Federatën e Xhudos, federata që jo vetëm me Majlinden, por edhe me xhudistët tjerë i ka sjell vendit shumë medalje.

Këta janë emrat e njerëzve në Bordin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës. Nuk është askund Majlinda Kelmendi. Nuk është as trajneri i saj, Driton Kuka. Nuk është askush nga Federata e Xhudos.

InDoks i ka kërkuar që të intervistojë dikë nga menaxhmenti aktual i KOK, ose të marrë përgjigje për çështjet që janë ngritur në videot që janë transmetuar ekskluzivisht në këtë episod e pretendimet e të intervistuarve, por nga KOK-u është pranuar vetëm një përgjigje që ata i kanë kthyer kohë më parë një personi tjetër. As në atë përgjigje nuk jepet sqarimi se pse në organet drejtuese të KOK-ut nuk është askush nga Federata e Xhudos, e le ma që të ishte vet Majlinda Kelmendi.

Telashet me KOK-un ka treguar për InDoks edhe Kryetari i Federatës së Notit, Astrit Haliti. AI ka treguar që pos me KOK-un, telashe po kanë edhe me Ministrinë që drejtohet nga Hajrullah Çeku.

Astrit Haliti – Federata e Notit

“Me 10 maj ka ardhë vendimi i njëjti nuk është publikuar as në ëeb faqen të KOK-ut as nuk është publikuar në Facebook ose në rrjetet sociale ku zakonisht i publikojnë vendimet por të njëjtin vendim normalisht që ne ia kemi dërguar gjithë kuvendarëve të Kuvendit të KOK-ut, gjitha mediave në mënyrë që të jenë të informuar njerëzit për atë se çka ka ndodh e po ndodh në kontunitet sigurisht do ta informojmë edhe Federatën Botërore edhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në mënyrë që edhe ata të dinë se cila është arsyeja e saktë e këtij suspendimi”, tha ai.

“Ministria e Sportit i ka dhënë një letër i ka dërgu KAS-it, të njëjtën letër e kemi kërkuar tek udhëheqësi i departamentit të Sportit i cili dy herë është kërkuar me imell. Ka qenë edhe në një emision direkt ku ka thënë që atë letër nuk e jepi asnjëherë edhe me i pas edhe 100 vjet, nuk e mbajë mend sakte qysh… e keqja është që ne nuk iu kemi drejtu askujt personalisht por institucioneve të cilat janë të të gjithëve, njerëzve që janë qytetarë të Kosovës dhe për të njëjtën e kemi kërkuar edhe nga sekretari i ministrisë por i njëjti ende nuk na ka ftu që ta marrim letrën e cila iu ka dhënë KAS-it.  Ne dëshirojmë ta kemi letrën nuk kemi paragjykimi nëse letra është e falsifikume ose është origjinale. Por dëshirojmë ta kemi se është lëshuar nga një institucion publik. Letra thotë që klubet i kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret çka nuk është punë e ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me paragjyku nëse i kanë plotësu ose jo kushtet përndryshe ato do të licencoheshin në ministrinë e Sportit dhe jo në Federatën e Notit”, u shpreh Haliti.

“Ne jemi shumë të shqetësuar, pse ministria po sillet kështu përkundër faktit që tre muaj qarkullon një dokument i lëshuar prej Departamentit të Sportit, e të cilin e ka përdor KAS si një institucion i cili ndanë drejtësi, është një gjykata sportive që përmes atij dokumenti realisht e kanë dëmtu një Federatë, atë të Notit. Dhe përkundër faktit që edhe federata sportive edhe vet sekretari i ministrisë përkatës kërkojnë nga zyrtari i departamentit sportiv që ti pajisje këto institucion me dokument jo që nuk po ndodh por realisht ata edhe e kanë guximin me thënë kur nuk iua japim, për neve është shumë shqetësuese çka është duke ndodhur me këtë ministër të kësaj ministrie që nuk e ka fuqinë me urdhru një zyrtar të një departamenti të tij që një dokument i protokulum mos me kanë në dorë të federatës përkatëse në emër të cilit është marrë një vendim”, tha kryetari i Federata e Automobilizmit.

Për këtë mbledhje të Asamblesë së KOK-ut, që si rezultat Federatën me të suksesshme, atë të Xhudos e la jashtë organeve drejtuese të kësaj organizate sportive, InDoks ka folur edhe me Agron Kukën nga Federata e Xhudos. Ai e thotë krejt atë çka po ndodhë në KOK. Me pak fjalë.

Agron Kuka – Federata e Xhudos

 “Ajo çka ndodhur në Kuvend është e papranueshme. Normal që është shkelur statuti, është mohuar dhënia e fjalës. Kalonte në pika tjera pa u thirrur komplet argument për një pikë paraprake. Kjo ka qenë që ne e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë”.

“Po është e vërtetë (Majlinda Kelmendi u largu prej asamblesë). Normal që është e vërtetë se ajo delegate e federatës tonë. Ne si delegatë nuk jemi pajtuar me rrjedhën e Kuvendit dhe normal që reagojmë”.

 Normalisht në sport duhet me ardhë njerëzit meritor. E di që demokracia përkundër të mirave të veta i ka të këqijat se normal në sport duhet me shku me meritokraci. Në radhë të parë duhet me pas vend njerëzit që janë meritor e jo njerëzit që janë të dyshimtë. Tash unë e di që kanë bë fushatë që normal nuk i përket sportit as sportistëve, e që ne nuk pajtohem, por vota e bën të veten. Tash, me vet faktin që asnjë anëtar i Bordit të Komiteti Olimpik nuk është prej Xhudos ta tregon realitetin. Do të thotë prej Federatës më të suksesshme nuk është asnjë anëtar në Bord”, tha Kuka.

Kuka duke folur për InDoks, konteston udhëheqësin aktuale të KOK-ut, pikërisht në faktin që sipas tij janë njerëz që nuk kanë dhënë kontribut në sport. I përmend edhe me pozita konkrete ata për të cilët ka vërejtje.

 “Mënyra qysh është bë dhe fushata qysh është bë edhe njerëzit qysh janë ble edhe njerëzit që janë tash në Bord janë pa meritë. Janë njerëz jo meritor. Le të më tregojnë ata secili veç e veç çfarë kontributi kanë bë për sportin në Kosovë. Atëherë unë jam në rregull.  Mua para pak kohë më ka ardhur oferta me u bë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Xhudos, më kanë bë ftesën në bazë të meritave edhe pse unë nuk kam pasur pretendime. Por ftesa ka ardhur sepse në sport shkon me meritokraci. Tek ne nuk po ndodh, është e kundërta. Le të më tregojnë, p.sh nënkryetari i parë i KOK-ut çfarë merite ka ai në sport? Çfarë kontributi ka dhënë ai?”, tha për InDoks Kuka.

Për Federatën e Xhudos foli edhe ish-sekretarit i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj.

“Realisht Federata e Xhudos ka qenë tepër korrekt në asamblenë e punës dhe asgjë ska kërku prej  kërkujt, thjeshtë, konsiderojë që nuk ka mbajtur krahë çka ka kërku Federata e Xhudos ka qenë diçka normale. Ka kërku respektim të ligjshmërisë, ka kërku respektim të statutit, rregullores dhe vendimeve të KOK-ut. Në të kundërtën, normal ka thënë unë nuk jam pjesë, nëse nuk respektohen statuti, rregulloret dhe vendimet e asamblesë. Duke e pasur parasysh këtë e ka lëshu asamblenë edhe Federata e Xhudos ashtu siç e kanë lëshu edhe delegatët e tjerë, në total janë 31 delegatë që e kanë lëshu asamblenë. Federata e Xhudos pa dyshim është federata që i ka sjell më së shumti rezultat Kosovës në historinë e sportit Kosovës. Kemi tri medalje të arta olimpike dhe të trija janë nga Sporti i Xhudos mos të flasim për medaljet botërore, evropian e të gjitha kategoritë e tjera”, u shpreh ai.

Haxhijaj që dikur ishte Sekretar i KOK-ut në intervistën për InDoks ka folur për vendime të paligjshme të kësaj organizate sportive tash, dhe madje dyshime edhe për dëmtim buxheti e vepra penale.

“Realisht këto vendime në asamble që janë marrë të paligjshme e kanë kriju një situatë të paligjshmërisë totale në Komunitetin Olimpik sepse janë votu raporti i punës, financiar, auditorit, plani i punës për vitin 2022, plani financiar dhe të gjitha janë votu me vota të paligjshme dhe ne në këtë rast kemi kërku ripërtëritje të asamblesë dhe prapë kërkojmë ripërtëritje të asamblesë për tu kthyer ligjshmëria për të marrë pjesë në asamble vetëm delegatët që kanë të drejt vote. Dhe kurrkush nuk është kundër të votohen raportet edhe planet për vitin e ardhshëm, mirëpo, ne duam që gjithçka të shkojë në mënyrë e ligjshme dhe jo në mënyrë të paligjshme”.

“Sa i përket dëmtimit të buxhetit, ka të bëjë me një proces paraprak që ka ndodh në KOK, dhe është hera e 5 më duket që është bërë kategorizimit i Sportit prej KOK-ut dhe ku janë favorizu disa prej federatave të afërta me kryetarin e KOK-ut dhe disa anëtarë të Bordit me poena me pikë të cilat kanë pasoja edhe ligjore sepse ato direkt e implikojnë ata që i kanë jep ato pikë, komisionit në këtë rast dhe Bordit Ekzekutivit në vepra penale, keqpërdorim i buxhetit, dëmtim i buxhetit, shkelje e rregullores së kategorizimit të sporteve dhe një sërë veprash tjerash penale që munden me iu numëru prej organeve përgjegjëse sa i përket kësaj pike”, tha Haxhijaj.

Në këtë ngjarje Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrullah Çeku shfaqet bashkë me Presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi. InDoks ka pritur për dy javë për të marrë një përgjigje nga ministria që ai e drejton për vërejtjet e akuzat që janë ngritur për KOK-un, por askush nga kjo ministri nuk ka dashur që të japë intervistë e as përgjigje me shkrim.

“Ne e dimë që prej kur kanë ardhë këta persona në KOK, e duke gjetur përkrahje edhe në Ministri të Sportit, konkret zëvendësministren e cila brutal po ndërhyn nëpër federata, po e favorizon këtë bord ekzekutiv edhe kur po bën shkelje. Duke marrë parasysh që në fillim ministri është arsyetu që i ka disa probleme, ska pasur kohë me u marrë shumë edhe me degën e sportit, se i ka edhe tri degë atje, po dorën në zemër edhe vet qeveria tash duhet me mëndu mirë se çfarë fitimi ka me pasur prej kësaj sjellje të Ministrisë së Sportit përmes zëvendësministres, në departamentit të Sportit në Komunitet Olimpik dhe KAS-it për me pas ne për me i përjetu ne do momente të pa përshtatshme në kohën më të përshtatshme për Sportin”, tha Ismet Rexhepi.

Shasivar Haxhijaj, për InDoks ka treguar se si menaxhmenti aktual i KOK-ut i drejtuar nga Ismet Krasniqi, e për të cilin po hesht Ministri Hajrullah Çeku edhe as denoncimeve publike për të, e ka organizuar aslamblenë e fundit të Komitetit. Se si i bëri votat që të mos nisje procesi i votë-besimit kundër tij. Se si u la jashtë Federata e Xhudos, e pashmangshëm u la jashtë pozitave drejtues vet Majlinda Kelmendi. Ka të bëjë me formën se si iu dhanë pikët federatave, pikë që u japin fuqinë e votës. Që sipas tij, në këto vendime ka shkelje drastike.

“E kemi rastin e federatës së Skitarëve të Kosovës ku ia kanë dhënë 14 poena, 14 pikë më tepër se sa që i takojnë. 10 pikë më shumë se sa që i takojnë ia kanë dhënë vetëm ku ka të bëjë pjesëmarrje e sportit në lojëra olimpike“, tha Haxhijaj.

“Në këtë rast Federata e Skitarëve qysh ka qenë më herët, ka qenë e kategorizume në kategorinë C, automatikisht me 10 pikë dhe 4 tjera që ia kanë dhënë në mënyrë të paligjshme me 14 pikë ka hy në kategorinë B, kur konsiderohet pika 1500 euro është pika B, 1200 euro për pikën C nëse i mbledhim pikët e mëhershme ose pikët meritore dhe pikët tjera që i kanë bë 38 mijë e 500 nëse nuk gabohem në shifra, janë më tepër pare që iu kanë dhënë vetëm Federatës së Skitarëve”, deklaroi ish-sekretari i KOK-ut.

“Dalim tek federate e Sportit Shkollor, që është po ashtu një prej federatave të afërta me Ismet Krasniqin që e ka mbështet vazhdimisht dhe që pa ligjshëm ja ka dhënë këtë rast 7 pikë tek statusi i federatës”.

“Të njohur nga Komiteti Olimpik Nderkombetar sporti i se ciIes nuk eshte ne programin olimpik, vleresohet me 17 pike”, pra qetu këta ja kanë dhënë 17 pikë Federatës së Sportit Universitar, Sportit Shkollor dhe Federatës së Punëtorëve Olimpik sepse organizatat e tyre njihen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ndërsa rregullorja është shumë e qartë. Këtu thotë “të njohura nga komunitetit Olimpik Ndërkombëtar, sporti i së cilës nuk është në programin olimpik”.

“Edhe e fundit është Federata Kombëtare e cila është anëtare Federatave Ndërkombëtare të njohura nga ESF, vlerësohen me nga 11 pikë, këtu këta u dashtë tek kjo kategori me qenë më i marrë nga 11 pikë e jo nga 17 pikë.  Të tri federatat që në total bëjnë 18 pikë më tepër ka 1500 euro për secilën përveç kësaj Sportit Olimpik iu kanë dhënë ka 3 pikë a 4 tjera që janë prapë të paligjshme thjesht favorizim për ato që nuk I ka arritë në total shuma që është dëmtu buxheti i Ministrisë së Sportit, është diku 80-100 mijë euro, mos me fol përmendshim duhet ndoshta me bë një kalkulim, mundeni me bë edhe ju po këto janë tek kategorizimi që ka ndodh në mënyrë të paligjshme prej komisionit dhe Bordit Ekzekutiv”.

Ismet Krasniqi drejton me Komitetin Olimpik të Kosovës tash e më shumë se një vit. Pa u bërë as një vit në mandat i kishin filluar telashet, aq sa deshën ta nisnin një proces votë-besimi kundër tij. Ata që deshën ta nisën këtë proces, tash e akuzojnë për veprime të paligjshme, dhe nuk ndalën vetëm aty: në intervistat për InDoks personazhet e këtij emisioni përmendin edhe keqpërdorime buxheti, dallavere me mënyrën se si u bënë anëtarë me drejtë vote federata  të caktuara e nuk kursehen të përmendin as veprat penale.

Vet mbajtja e asamblesë së KOK-ut po i kontestohet. Dyshimet janë rritur edhe më shumë pasi që KOK-u refuzoi që t’ua jepte videot e kësaj mbledhje delegatëve. Pavarësisht tendencës për ti fshehur këto pamje, InDoks ka arritur që të i siguroj këto video.

Ato ngrenë dyshime se si u votua dhe nga kush u votua. A patën të drejtë vote të gjithë ata që ngritën duatë? A ishin aty veç sa për ta shpëtuar Ismet Krasniqin dhe menaxhmenit tjetër të KOK nga shkarkimi? Tregojnë se si nga KOK-u u largua edhe krenaria e sportit kosovar, dhe jo vetëm, Majlinda Klemendi.

Derisa në KOK që udhëhiqet nga Ismet Krasniqi heshtin për të iu përgjigjur akuzave që po iu bëhen, njëjtë kanë bërë edhe në Ministrinë e Sportit, që drejtohet nga Hajrullah Çeku. As kjo organizatë sportive as ky dikaster i Qeverisë nuk kanë pranuar që të komentojnë për InDoks.

Pavarësisht heshtjes së tyre, personazhet e këtij emisioni, po paralajmërojnë që do të vazhdojnë betejën e tyre, siç thonë ata për të vendosur ligjshmëri. A do të mund ta arrijnë këtë? A do të munden që së paku ta kthejnë në pozitat drejtuese të Komitetit Olimpik Federatën më të suksesshme, atë të Xhudos? Apo, për një karrige pushteti në krye të KOK-ut do të vazhdojnë që të lënë jashtë pozitave drejtuese aty Majlinda Kelmendin e xhudistët e tjerë?

 “E mira e së mirë kishte me qenë me u përsëritë Kuvendi se për mua është i pa pranueshëm. Me u përsëritë Kuvendi, me u organizu se nuk është ajo kurrfarë problem për me rrespektu. Unë e di që ata e kanë bë për punën e disa votave, të disa federative që janë faktikisht fantome, federate inekzistente sepse, ne normal që e përkrahim  përhapjen e çfarëdo lloj sporti ose integrimin e sportit në Komunitet Olimpik ,por jo me çdo kusht”, tha Agron Kuka, Federata e Xhudos.

“Realisht ne do ti ndjekim të gjitha rrugët ligjore, përgjigje për asmable e kanë bë një përgjigje që kanë thënë jo, gjithçka ka shkuar në rregull mirëpo ne kemi kërku me dëshmu që gjithçka ka shkuar në rregull, kemi kërku me u publiku videoja e cila e dëshmon të kundërtën e asaj. Mirëpo ata nuk kanë guxim me publiku videon sepe e dinë, gabimet dhe paligjshmërinë që ka ndodhur në atë asamble dhe përderisa ata i kanë përjashtu të gjitha mediat prej asambleje, i kanë përjashtu me qëllimin e vetëm që mos të shohin se çka po ndodh në atë asamble  ngase KOK e ka pasur një traditë të jashtëzakonshme ku asamblet zgjedhore por edhe ato të punës kur kanë pasur interes mediat gjithëherë kanë qenë “live” të transmetuara janë transmetuar edhe në KP edhe në faqet, rrjetet sociale të KOK-ut mirëpo edhe kur mediat e tjerat kanë pasur interesim me transmetu live. Pra asnjëherë mediat nuk kanë qenë të privuara për pjesëmarrje”, tha Shasivar Haxhijaj, Ish-sekretar i KOK-ut.

“Kjo ministri është kap prej dikujt ne për vetë nuk jemi aq të zotë me ditë prej kujt, interesat e kujt janë krejt qeto që po ndodhin gjithë këto pakënaqësi e shkelje të statuteve dhe rregulloreve me të cilat ne punojmë dhe kurrkush nuk reagon, e këtu më shumë e kuptojmë bordin ekzekutiv disa persona të parëndësishëm, për momentin përmes ndërhyrje brutal ku mos me përmend unë a nuk është gjynah, gjynah po them që Xhudo, Majlinda mos me kanë në Komitetin Olimpik, Federata e Xhudos e cila i ka obligu disa ushtarë rusë me nejt gatituni me respektu flamurin e Kosovës dhe ata nuk janë, pse nuk janë sepse do persona që janë aty janë kujdes me kohë që ata mos me mujt as në Kuvend as statusin e delegatit me pas”, tha Ismet Rexhepi nga Federata e Automobilizmit.

Lexo edhe:

Veprime të paligjshme, keqpërdorime financiare e vepra penale – për InDoks flet ish-Sekretari i KOK-ut

“Njeriun me të cilin krenohet Republika” – KOK-u e injoron

Video Ekskluzive | Krenaria e Republikës, Majlinda Kelmendi mbetet jashtë KOK-ut

Kuka me akuza të rënda për KOK-un: Njerëz të shitur e jo meritor në Bord

Si në 90-tat kur u suprimua Autonomia e Kosovës, akuza të rënda kundër KOK-ut

I suspenduan federatën, Haliti flet për telashet me KOK-un e Ministrinë e Sportit

“Zhurma në KOK” – Rexhepi e krahason me atë çka ndodhi në vitin 1990 në Kuvend të Kosovës

“Gjithçka po shkon mbrapsht prej ardhjes së Ismet Krasniqit e Besimit Alitit në krye të KOK-ut”

Ekskluzive | Kjo është videoja që drejtuesit e KOK nuk do të donin ta shihnin, akuza e përplasje në mbledhje

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark