Insajderi
Lajme

Kompania “rekordmene” e tenderëve e biznesmenit të arrestuar për mashtrim ankohet se iu bë e padrejtë në një tender prej 140 mijë eurove

Insajderi
19 February 2026 - 16:06
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kompania “rekordmene” e tenderëve e biznesmenit të arrestuar për mashtrim ankohet se iu bë e padrejtë në një tender prej 140 mijë eurove
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania “Infinitt SHPK” njihet si kompani që ka fituar një numër të madh të tenderëve vitin që shkoi. Pronari i saj, Visar Krasniqi, ishte arrestuar për mashtrim me prokurim publik ndaj Komunës së Gjilanit. Kjo kompani ia mësyu edhe një tenderi prej 150 mijë eurosh në kompaninë rajonale të ujësjellësit në Prizren, megjithëse nuk e fitoi. Së këndejmi, ata kanë vendosur të bëjnë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke akuzuar “Hidroregjionin Jugor” se ia kishte dhënë tenderin një kompanie të papërgjegjshme.

“Infinitt SHPK” ka proceduar një ankesë në fillim të shkurtit në Gjykatën e Tenderëve lidhur me tenderin për furnizim me klor gas dhe hipoklorit të natriumit nga “Hidroregjioni Jugor”. Pra, për përmirësim të cilësisë së ujit, raporton Gazeta Insajderi.

Vendimin e kësaj kompanie rajonale të ujësjellësit për dhënien e tenderit Seykos SHPK, kompania, pronari i së cilës u arrestua për mashtrim me tenderë, po e cilëson si diskriminues.

Në ankesën e tyre drejtuar OSHP’së, pretendojnë se një licencë e shoferit skadon para përfundimit të kontratës me operatorin ekonomik.

“Duke qenë se licenca ADR e shoferit të OE të rekomanduar skadon në mars 2028, marrëveshja e tyre bëhet faktikisht e paqëndrueshme për periudhën e mbetur të kontratës deri në janar 2029. Një shofer pa licencë valide ADR, në asnjë rrethanë, nuk mund të ekzekutojë marrëveshjen për transportin e materieve të rrezikshme, përkatësisht klor gaz dhe hipoklorit të natriumit. Për plotësimin e këtij kriteri, OE i rekomanduar “Seykos” ka dorëzuar marrëveshjen dhe licencën ADR në emër të Mehmet Kuqit, me vlefshmëri deri më 13.03.2028“, thuhet në ankesë.

Kompania ankuese pretendon se autoriteti kontraktues ka aplikuar standarde të dyfishta duke toleruar dëshmi të mangëta për “Seykos”.

“Marrë parasysh se objekti i kontratës ka të bëjë me transportin e mallrave të rrezikshme sipas ADR-së, AK është dashur të marrë për bazë mosplotësimin e këtij kriteri nga OE në fjalë dhe ta eliminojë atë si ofertues të papërgjegjshëm. Kjo, duke pasur parasysh edhe kriterin për dhënie të kontratës, që është tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët“.

Tutje “Infinitt SHPK” pretendon se “Seykos” nuk ka nënshkruar dhe vulosur deklaratën e liferimit.

“Çdo Operator Ekonomik duhet të konfirmojë gatishmërinë për të përmbushur këto kushte në fazën e tenderimit, përmes nënshkrimit të dëshmive të kërkuara. Përndryshe, oferta konsiderohet e pasigurt në aspektin e zbatimit. Pikërisht për shkak të mungesës së licencës ADR për periudhën e mbetur të kontratës, AK do të duhej ta eliminonte kompaninë, ndërsa mungesën e nënshkrimit të deklaratës së dorëzimit duhet ta trajtonte si indikator të qellimshëm për mosrealizim korrekt të kontratës“.

Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, nga “Hidroregjioni Jugor” kanë thënë se dokumentet e dorëzuara janë në përputhje me kërkesën e tenderit.

“Në rastin konkret, Operatori Ekonomik i rekomanduar ka paraqitur vozitës që është pjesë e stafit të tij të rregullt dhe ka dorëzuar Licencë ADR valide, në përputhje të plotë me kërkesën e tenderit dhe Njoftimit per Kontrate. Dosja e Tenderit nuk ka përmbajtur kusht që licenca e stafit të brendshëm të mbulojë afat të caktuar kalendarik deri në përfundim të kontratës, prandaj Autoriteti Kontraktues nuk mund të vendosë kritere shtesë pas hapjes së ofertave“, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kush janë “Infinitt SHPK”, kompania “rekordmene” e tenderëve?

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik gjatë këtij viti ka prezantuar një pasqyrë mbi aktivitetet e zhvilluara në prokurimin publik. Në bazë të këtij raporti nëntë-mujor, figuron se kompania me numrin më të madh të kontratave përgjatë këtij viti është INFINITT SHPK.

Kompania e Krasniqit ka marrë 143 kontrata, me një diferencë prej afro gati 100 kontrata më shumë sesa kompania e dytë në listë- Europrint Group, e cila ka marrë 54 sosh.

Kjo kompani ka fituar tenderë nga institucione të ndryshme, si ato qëndroret edhe ato të nivelit lokal.

Një kontratë kornizë me vlerë të madhe së fundmi e ka nënshkruar edhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës, në vlerë prej afro 60 mijë euro.

Vetëm përgjatë këtij muaji, kjo kompani ka nënshkruar 15 kontrata publike dhe një kornizë, vlera e së cilës rrumbullaksohet rreth 50 mijë euro.

“INFINITT” SH.P.K. është aktive në tenderët publikë. Në të kaluarën ka qenë në listën e zezë të OSHP’së.

Sipas përshkrimit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, INFINITT e ka mjaft të zgjeruar veprimtarinë biznesore, megjithatë kryesorja mbetet tregtia me pakicë e librave nëpër dyqane të specializuara.

KQZ-ja doli të ishte një nga institucionet e para që kompaninë “Infinit sh.p.k” e kishte denoncuar aty ku duhet, në OSHP, për mashtrim e ia kishte shkëputur edhe kontratën e marrë sigurimin e tenderit.

Firmës së biznesmenit Visar Krasniqi ia kishte ndërprerë kontratën dhe kishte kërkuar futjen e tij në Listën e Zezë.

Gjithçka kishte nisur me kontratën për “Furnizim me Klima”. Sipas një raporti që kishte siguruar Gazeta Insajderi, operatori ekonomik kishte fituar tenderin duke ofertuar dhe garantuar furnizim me klima të markës “TOYOTOMI (GOSAI)”.

Por, situata në terren doli krejtësisht ndryshe.

Menaxheri i Kontratës në KQZ, Nexhmedin Hyseni, pas inspektimeve të kryera në zyrat e KKZ-ve nëpër komuna (përfshirë Kamenicën, Mitrovicën e Veriut, etj.), konstatoi se pajisjet e montuara ishin të një prodhuesi tjetër, konkretisht të markës “CHIGO”. Kompania del se kishte shkelur specifikat teknike.

“Operatori Ekonomik ka tentuar edhe të na mashtrojë neve si AK-KQZ, sepse ka montuar klima të prodhuesve të tjerë dhe jo sipas llojit (modelit) dhe prodhuesit të specifikuar në kontratë… Operatori Ekonomik në katalog ka ofruar llojin e klimës TOYOTOMI (GOSAI), kurse të gjithë sasinë e paraparë… e ka montuar tjetër lloj të klimave”, thuhet në ankesën e KQZ’së që e kishte siguruar Insajderi.

Përveç ndërrimit të markës, KQZ kishte evidentuar se operatori kishte shkaktuar dëme gjatë montimit në Mitrovicë të Veriut dhe Ranillug, duke lënë pas dëme dhe instalime joprofesionale.

Më datë 10.11.2025, Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Gani Nekaj, i është drejtuar zyrtarisht Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me një kërkesë për diskualifikim të operatorit “Infinit sh.p.k”.

Në shkresën drejtuar OSHP-së, që Insajderi i ka siguruar brenda këtij institucioni, KQZ kërkon që ndaj kësaj kompanie të merren masa sipas Nenit 99 paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP). Ky nen specifikon qartë sanksionet për operatorët që përfshihen në mashtrim, falsifikim apo prezantim të rremë.

“Andaj në pajtim me dokumentet dhe dëshmitë e lartcekura mendojmë që janë plotësuar kushtet ligjore… Autoriteti Kontraktues/KQZ paraqet kërkesë për diskualifikim pranë OSHP-së të operatorit ekonomik OE Infinit shpk,” thuhet në kërkesën e nënshkruar nga Nekaj, të siguruar nga Insajderi në OSHP.

Gazeta Insajderi kishte raportuar edhe se si një ditë pas arrestimit të biznesmenit Visar Krasniqi, Komuna e Drenasit i kishte dhënë tender për furnizim me pajisje të teknologjisë kompanisë së tij, “Infinitt SH.P.K”. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark