×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Komuna e Suharekës e subvencionon OJQ-në ku themeluese është asamblistja e AAK’së, kjo e fundit mohon të ketë ndikuar

    Insajderi
    29 February 2024 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pushteti i Bali Muharremajt në Suharekë ka shpërblyer me subvencion 2 mijë e 500 euro organizatën joqeveritare, ku themeluese është asamblistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Saranda Bajraktari.

    Organizata joqeveritare “Fuqizimi i gruas dhe rinisë Suharekë”, kryeson listën e përfituesve të ndarjes së subvencioneve të ndara gjatë vitit 2023 në Komunën e Suharekës të udhëhequr nga Bali Muharremaj i AAK-së.

    Kjo organizatë joqeveritare kishte fituar subvencionim nga Komuna e Suharekës shumën prej 2 mijë e 500 euro me projektin “Fuqizimi i të rinjve përmes pjesëmarrjes në aktivitete kulturore”.

    Mirëpo, organizata joqeveritare “Fuqizimi i gruas dhe rinisë Suharekë”, është themeluar nga Saranda Bajraktari dhe dy persona të tjerë.

    Saranda Bajraktari është asambliste nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në komunën e Suharekës.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me asamblisten Saranda Bajraktarin, e cila ka mohuar se ka pasur ndonjë ndikim në lidhje me subvencionimin.

    “Shoqata FGRS, është themeluar me 31/01/ 2019, dhe unë kam qenë themeluese( në atë kohë s kam pas funksion politik),ne kemi pas mbështetje në vlera minimale nga Komuna po mbështetje kyçe e kem pas nga MKRS. Prej momentit që jam betuar si asamblisite 28.01.2022 unë kam paraqitur kërkesën time për pezullim për shkak që bie ndesh me ligjin dhe konsiderohet konflikt interesi”, tha ajo.

    Ajo shtoi se në kohën kur ka filluar punën e asamblistes ka paraqitur ankesën për pezullim nga kjo shoqatë duke u shkëputur nga aktivitetet.

    “Bordi shoqatës ka vendosur që përfaqesues e shoqatës të jetë Erza Muqaj, e cila nga 2022 është drejtoreshë e shoqatës FGRS. Unë jam e shkëputur nga çdo aktivitet që bën shoqata dhe pozita ime nuk lidhet aspak në subvencionim. Në mbas të faqes që ka shoqata kam pa që ka qenë përfitues nga MKRS po nuk do të thot që tani kam ndikim ne subvencionim se aty udhëheq VV”, tregoi Bajraktari për Insajderin.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me komunën e Suharekës, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigjje.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark