×
  • Lajme
  • Insajderi

    Konfirmohet: Nuk ka dyshime se policët, Enver Smakiqi e Mërgim Geci kryen vepër penale në rastin me Lushtakët

    Insajderi
    11 July 2022 - 12:47

    Të shtunën e 2 korrikut dy zyrtarët policorë, Enver Smakiqi e Mërgim Geci dyshohet se u sulmuan gjatë orarit të punës nga familjarë të ish-nënkryetarit të PDK-së në Skenderaj, Nuredin Lushtaku, shkruan Insajderi.

    Të dy policët kanë mbetur të lënduar teksa kanë pranuar edhe tretmanë mjekësore.

    Për incidentin ka folur edhe kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.

    Ai thekson se deri në këtë fazë të hetimeve thuhet se policia ka qenë e sulmuar dhe kanë qenë të detyruar të përdorin forcën.

    “Vlerësimi fillestar i prokurorit kujdestar dhe hetuesve ka qenë që në këtë fazë nuk ka dyshime për zyrtarë policor të përfshirë në vepra penale. Dhe në këtë moment që po flasim nuk ka dyshime për zyrtarë policor, atëherë është në kompetencë të Policisë të Kosovës dhe Prokurorisë që të zhvillojë më tutje hetimet. Ne jemi duke përcjellë si rast, në momentin që ka informacione dhe dalin prova që implikojnë zyrtarët policor në shkelje apo në tejkalim të forcës apo përdorim të armëve jashtë rregullave që parasheh Policia e Kosovës, sigurisht që do të kyçemi dhe do të ndërmarrim veprimet e nevojshme hetimore”, thekson Hodaj për KosovaPress përcjell Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me dy policët e lënduar. Të dy tanimë janë në gjendje stabile.

    Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

    Në mbrëmjen e 2 korrikut, rreth orës 23:55, dy policët Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci kanë mbetur të plagosur gjatë orarit të tyre të punës. Sulmi ndaj zyrtarëve policor dyshohet se ndodhi për shkak se Arbër Lushtakut, djalit të Nuredinit iu shqiptuar gjobë trafiku.

    Për rastin në natën kritike kishin dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, derisa kishin konfirmuar se njëri polic ishte plagosur me armë zjarri në këmbë e tjetrit ishte lënduar me mjet të fortë.

    Ndërkohë, ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, Nuredin Lushtaku, ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor lidhur me dyshimin se ka sulmuar dy zyrtarë policorë mirëpo nuk ka dhënë detaje, të cilat thotë se do t’i japë pas përfundimit të hetimeve.

    Për rastin ka reaguar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

    Ai të dielën e ka dënuar plagosjen e dy policëve në Skenderaj, ku i dyshuar është Nuredin Lushtaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se “policët duhet të jenë të paprekshëm dhe të papenguar”.

    “Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës”, ka shkruar ai.

    30 ditë paraburgim i ka caktuar Prokuroria për ish-nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut dhe një nga të dyshuarit për plagosjen e dy policëve në Skenderaj.

    /GazetaInsajderi

    Lexo lajme të tjera:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark