×
Insajderi / Ballina 5

Konfirmon prokuroria – Hamide Magashi e kishte denoncuar dhunën nga Sokol Halili në muajin korrik

Insajderi
01 December 2022 - 12:20
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Me 20 korrik të këtij viti, Sokol Halili ishte denoncuar për ushtrim të dhunës ndaj tashmë të ndjerës Hamide Magashi.

Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka konfirmuar se nga Komuna e Shtimes, kishte pranuar kallëzimin penal për këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” nga neni 248, paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në konfirmimin e Prokurorisë. 

Që prej kur ishte pranuar kallëzimi për dhunën që ishte ushtruar nga Halili ndaj tashmë të ndjerës Magashi, deri ditën kur prokurori e kishte intervistuar atë kishin kaluar gati 20 ditë, shkruan Insajderi.

Menjëherë pas intevistimit prokuroria kishte bërë kërkesën për udhër të mbrojtjes.

“Prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës”, thuhet në konfirmimin e Prokurorisë së Ferizajt. 

Vetëm një ditë pas kësaj, është ngritur aktakuza ndaj Halilit.

“Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në konfirmim. 

“Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023”. Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e  urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet më tej në detajet që ka dhënë prokuroria. 

Gazeta Insajderi, raportoi se brenda periudhës gjashtë mujore sa ishte në fuqi urdhëri për mbrojtjen e Hamide Magashit, edhe një zhvillim tjetër kishte ndodhur në organet e drejtësisë.

Sokol Haliti, që ishte kapur nga Policia e Kosovës me armë të zjarrit, shpëtoi lehtësisht edhe përkundër që kishte aktakuzë për kanosjen e bashkëshortes dhe urdhër të prerë që të mos i afrohej.

Gjykata i dha vetëm dënim me gjobë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në konfirmimin nga gjykata.

“Mbajtës i familjes, pendim i sinqertë”, janë arsyet se pse vrasësi Sokol Halili u dënua vetëm me 300 euro gjobë

Gjatë krejt kësaj periudhe prej muajit gusht e deri natën kritike, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga paraburgimi.

Halili e vrau ish-gruan dhe foshnje që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre ditësh, por u largua pa arritur të kapej nga Policia. Ndodhet në arrati edhe pas gati 20 orësh prej kur kreu vrasjet. Derisa trupi i Hamide Megashit ndodhet në Institutit të Mjekësisë Ligjore për Obduksion. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark