×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    KOSOVA e meriton LIBERALIZIMIN

    Insajderi
    12 October 2022 - 08:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, kjo është konfirmuar tashmë edhe nga organizmat ndërkombëtarë se qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë në vendet e BE-së”.

    Rrezarta Krasniqi, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, ka dhënë shpresë që agjenda e liberalizimit të vizave për kosovarët nuk do të shtyhet.

    “Përderisa ekziston ky optimizëm edhe nga ana e shteteve anëtare të BE-së për përkrahjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, nuk presim që të shtyhet agjenda e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo për Gazetën Insajderi.

    Ajo ka thënë se Kosova duhet ta gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë, pasi ka përmbushur të gjitha kriteret.

    “Pritjet tona janë optimiste për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, kjo është konfirmuar tashmë edhe nga organizmat ndërkombëtarë se qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë në vendet e BE-së. Mbesim me shpresë se padrejtësia në raport me vizat të marrë fund sa më shpejtë për qytetarët tanë”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane për Gazetën Insajderi.

    Krasniqi ka zbuluar se Komisioni që ajo drejton “është angazhuar vazhdimisht për çështjen e vizave, edhe së fundmi gjatë qëndrimit në Bruksel kemi takuar përfaqësuesit e shumë vendeve të Parlamentit Evropian duke kërkuar mbështetje për lëvizje të lirë”.

    Por, kur kosovarët mund të lëvizin pa viza, sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës?

    “Janë disa procedura administrative të cilat i parasheh Bashkimi Evropian, në rast se marrim mbështetjen e duhur nga vendet anëtare të Parlamentit Evropian, besoj se gjatë vitit të ardhshëm qytetarët mund të nisin lëvizjen pa viza në vendet e BE”.

    Se kjo mund të ndodhë vitin e ardhshëm e ka thënë për Gazetën Insajderi edhe Time Kadrijaj, anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane.

    “Në vizitën e fundit në Bruksel kemi takuar zyrtarë të të gjitha shteteve dhe kemi kërkuar mbështetjen e tyre për vizat. Ata kanë dhënë sinjale pozitive, dhe ka shpresë që liberalizimi do të ndodhë”.

    Ajo ka thënë se edhe eurodeputetët e kanë pranuar se Kosova i ka përmbushur kriteret.

    “Ne kemi kërkuar edhe nga vendet skeptike që vizat të liberalizohen, duke thënë se kosovarët nuk duhet të privohen nga e drejta e lëvizjes së lirë”, ka thënë Kadrijaj, e cila ka zbuluar se për këtë çështje e kanë marrë përkrahjen e nevojshme.

    Lexo edhe:

    Çfarë pritet të ndodhë sot dhe nesër në Këshillin e Evropës?

    Para disa muajve e kërkoi enkas Holanda, kurse tashmë u është dorëzuar të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

    Bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “Non-Paper” të përpiluar nga Komisioni Evropian që thotë se Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat, kjo pasi shteti i ri, në periudhat e fundit kohore, ka vendosur “kornizë të fortë ligjore e operacionale” për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përballje me rreziqet e sigurisë e ato të migracionit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në dokumentin që ka pasur qasje Klan Kosova, i cili s’është publik, thuhet se komisioni i qëndron prapa raporteve që i bëri më 2016 e 2018, që konfirmojnë përmbushjen e kushteve për heqjen e regjimit të vizave.

    Ndërkohë të mërkurën dhe të enjten bëhet hapi i parë i madh drejt hyrjes së liberalizimit në agjendë.

    Më 12 dhe 13 tetor, sipas njoftimit zyrtar, Grupi Punues për Vizat në kuadër të Këshillit Evropian, shqyrton dokumentin e lartpërmendur. Plani fillestar ishte që grupi të mblidhet vetëm më 13 tetor.

    Ndërkaq, të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e Punëve të Brendshme të Unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.

    Aty do të diskutohet situata e përgjithshme, me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe do të vendosin veprime në këtë fushë.

    Vendimin final për liberalizim, pas kryerjes së procedurave paraprake, e merr Këshilli Evropian (KE) me shumicë të kualifikuar.

    Deri më 31 dhjetor, presidencën e BE-së e mban Çekia, që lëvizjen e lirë për kosovarët në zonën Shengen e ka vendosur si njërin prej top prioriteteve të saj, sa i përket Ballkanit Perëndimor.

    Lexo edhe:

    “Shkallët” deri te liberalizimi i vizave

    Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.

    Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave, Kosova ka arritur deri në të 4-ën, shkruan Gazeta Insajderi.

    1. Korrik 2018: Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

    2. Gusht 2018: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

    3. Shtator 2018: Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

    4. Shtator 2019: Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

    Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:

    5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

    6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

    7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

    8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

    9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

    10. Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

    11. Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

    12. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

    13. Liberalizimi hyn në fuqi.

    Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

    Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark