×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Si e terrorizoi Kurti popullatën të dielen me statistika të rrejshme?

    Insajderi
    05 September 2022 - 15:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti, tha të dielen se janë 140 prokurorë që kanë lejuar parashkrimin e rasteve e 200 gjykatës që kanë shqiptuar dënime me kusht, rreth rasteve të dhunimeve seksuale në vend. Por sipas këtyre dy insitucioneve të drejtësisë, statistikat që prezantoi kryeministri Kurti nuk janë të vërteta. Sipas Këshillit Prokurorial janë vetëm 62 prokurorë që merren me këto lëndë, derisa sipas Këshillit Gjyqësor vetëm 123 gjykatës merren me rastet penale në krejt Gjykatat Themelore

    Rasti i dhunimit të 11 vjeçares nga Prishtina, në dy raste të ndara nga 11 persona, tetë prej të cilëve të moshës madhore e tre të mitur, ka nxjerrë në pah shumë parregullësi të trajtimit të këtij rasti nga organet e drejtësisë.

    Ndërsa përpjekja për të mbuluar dështimin e njëri tjetrit, ka bërë që edhe kryeministri Albin Kurti të dal me statistika aspak të sakta për prokurorët e gjykatësit, dhe rastet e dhunës seksuale që janë trajtuar nga ta. Lidhur me këtë huqje të Kurtit, pati reagime e konferenca.

    Ndonëse janë vetëm 182 prokurorë në sistemin prokurorial të Kosovës, sipas kryeministrit Albin Kurti, 140 prej tyre u janë parashkruar lëndët e dhunimëve sekseuale. Por sipas statistikave zyrtare vetëm 62 prej tyre merren me këto lëndë. Sipas Këshillit Gjyqësor janë vetëm 123 gjykatës merren me rastet penale në krejt Gjykatat Themelore, ndonëse sipas Kurtit 200 prej tyre kanë dhënë dënime me kusht, shkruan Insajderi.

    Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiun të dielen, ka deklaruar se 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve e 200 gjykatës kanë shqiptuar dënime me kusht, lidhur me rastet që lidhen me dhunime e sulme seksuale në vend.

    “Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë, kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë dhe rreth 140 prokurorëve nga gjithsej 200 sa janë u janë parashkruar rastet”, ka thënë ai.

    “Nëse s`gaboj ministre Kosova i ka mbi 400 gjykatës”, tha më tej Kurti duke i përsëritu shifrat e më larta.

    Menjëherë rreth këtyre deklaratave, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës. Nëpërmes komunikatave kanë demantuar statistikat që i ka prezantuar kryeministri Kurti, pasi sipas tyre nuk qëndrojnë.

    “Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste, që kanë pasur të bëjnë me dhunën seksuale. Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial”, thuhet në reagimin e KPK.

    E pas huqjes së madhe të kryeministrit me statistikat, e reagimit nga Këshilli Prokurorial, mbrëmjen e se dieles, Ministria e Drejtësisë ka dalë me komunikatë gjojase për të sqaruar se pse kjo huqje.

    Thanë se veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e të shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun.

    Mandej u ankuan se nuk kanë qasje në statistika e KPK-së e KGJK-së.

    “Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpijnë te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do t’i lejohej veprim tjetër. Qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve. Deri tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor lidhur me mundësimin e qasjes së Ministrisë në statistika”, thuhet në reagimin e MD-së.

    Derisa sot kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, ka reaguar duke thënë se Qeveria po e shënjestron këtë inistucion në mënyrë tendencioze.

    Zogaj tha se është e pavërtetë dhe e papranueshme ajo që ka deklaruar Ministria e Drejtësisë, se nuk ka qasje në statistika.

    Zogaj, në konferencë për medie foli me statistika lidhur me rastet e dhunës seksuale. Tha se 786 rastet e pranuara nga viti 2017 e deri më sot, që hyjnë në kapitullin e veprave penale të cenimit të integritetit seksual, diku 140 prej tyre janë të papërfunduara, prej tyre 60% janë me aktgjykim dënues,

    Sipas tij, nga 786 rastet, diku 140 prej tyre janë të papërfunduara, prej tyre 60% janë me aktgjykim dënues, 15% janë me aktgjykim lirues, 10% janë me aktgjykim refuzues dhe 10% janë format tjera, ku përfshihet edhe parashkrimi.

    Zogaj tha se është e pavërtetë ajo që u prezantua nga Kurti.

    “Por, ajo që është prezantu në publik është krejtësisht e pavërtetë, në mënyrë të thjeshtë e provuar e kundërta. Sistemi gjyqësor ka 431 gjyqtar sot, në funksion 382, 49 prej tyre janë në akademinë e drejtësisë. Nga të gjitha gjykatat që punojnë në çështjet penale, ne sot kemi 123 gjyqtarë aktiv në gjykatat themelore”, deklaroi Zogaj.

    Zogaj tha se 40 % e rasteve kanë të bëjnë me të mitur dhe gjykohen nga 9 gjyqtarë, respektivisht 11 gjyqtarë.

    “Por pse nuk ka ma shumë, për shkak se nuk ka buxhet dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Qeverisë së Kosovës në sistemin gjyqësor. Në buxhetin e vitit 2022, vetëm 9 pozita janë leju për gjyqtarë dhe ato për Gjykatën Komerciale. Shpresojmë të kemi një reflektim më të thellë në vitin 2023”, tha ai.

    “Deri në momentin kur nuk kemi kapacitete të mjaftueshme me gjyqtarë, bashkëpunëtorë profesional, staf tjetër profesional, nënkupton që do të kemi parashkrime në sitemin gjyqësor, sepse mungesa e kapaciteteve nënkupton se nuk mund të trajtohen të gjitha çështjet me kohë”, deklaroi tutje Zogaj.

    Statistikat nga EULEX-i për gjykimet e dhunës seksuale në Kosovë

    Misioni i EULEX-it, ka publikuar një raport për rastet e dhunimeve seksuale, në korrik, në të cilin janë përmbledhur statistikat nga viti 2019 deri në vitin 2021. Del se gjatë kësaj periudhe në gjykatë janë dërguar mbi 170 raste të dhunës seksuale.

    “KGJK-ja ka raportuar se 173 raste të dhunimeve kanë arritur në gjykatat themelore në periudhën 2019-2021. Nga këto 173 raste, 76 janë përfunduar dhe në 38 raste janë shpallur aktgjykime dënuese, ndërsa në 38 rastet e tjera, gjykatat kanë nxjerrë aktgjykim lirues, refuzues ose lëndët janë parashkruar”, thuhet në raportin e EULEX-it.

    Sipas raportit të misionit EULEX, janë 16 raste që kanë përfunduar me lirimin e të dyshuarve.

    “Nga 36 raste të analizuara, 16 ishin me aktgjykime liruese (15 lirime nga akuza, një refuzim). 67 arsyet e shqiptimit te aktgjykimeve liruese ishin të ndryshme. Ngjashëm me arsyetimet për mbylljen e hetimeve të theksuara më sipër, këto aktgjykime liruese përqendroheshin kryesisht në mungesën e provave të dhunës (duke përfshirë mungesën e lëndimeve në zonën gjenitale të viktimave) dhe pamundësinë e mëvonshme të paraqitur nga gjykatat për të provuar se i pandehuri e ka kryer krimin. Një arsye tjetër lidhej me tërheqjen e deklaratës nga viktima gjatë procesit gjyqësor. Në një rast, viktima deklaroi se kishte gënjyer gjatë procesit gjyqësor“, thuhet në raportin e EULEX-it.

    Sipas asaj që shkruan në këtë raport në një rast tek aryetimi i gjykatës thuhet se dhunuara, viktima e rastit dha miratim në heshtje për krimin, pasi sipas tyre ajo ka shkuar ne vendin e krimit me personat e panjohur.

    “Gjykata e ka arsyetuar lirimin nga akuza duke u bazuar në faktin se pala e dëmtuar kishte shkuar në vendin e krimit të pretenduar me persona të panjohur. Gjykata konstatoi nga këto veprime se viktima në heshtje ka dhënë pëlqimin për marrëdhënie seksuale”, thuhet në këtë raport të EULEX-it. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark