×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    KPK i reagon Kurtit: Rri larg institucioneve të sistemit prokurorial

    Insajderi
    23 December 2023 - 16:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të kryeministrit Albin Kurtit, i cili tha se Prokuroria e Shtetit nuk ka ngritur aktakuza të shumta për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

    KPK-ja tha se Prokuroria Speciale operon si një institucion i pavarur dhe bashkëpunon me të gjitha institucionet e sundimit të ligjit për mbledhjen e fakteve.

    “Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia”, thuhet në reagim.

    Po ashtu, KPK ka kërkuar nga Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial.

    Deklarimin e Kurtit, KPK-ja e cilëson si keqpërdorim të fjalës së lirë dhe potencon se sistemi prokurorial nuk do të ndikohet nga këto deklarata që vijnë nga qarqet e larta politike.

    “Përmes këtij reagimi publik, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese, siç është Prokurori i Shtetit, për të tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe punën e prokurorive dhe prokurorëve të shtetit, ngaqë si të tilla përbëjnë shkelje të patolerueshme në punën e pavarur të institucioneve prokuroriale”, thuhet në reagim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark