×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Krejt çka e gjen Serbinë nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, tregon Vuçiq

    Insajderi
    23 January 2023 - 22:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Nuk do të pranoj të jem president i një shteti të izoluar”.

    Kështu e përmblodhi “disfatën” e tij të fundit Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa artikuloi para publikut serb se pse Serbia “nuk guxon të mos e pranojë” planin franko-gjerman, plan ky i cili iu shpalua me gjuhën më tonike gjer më sot, shkruan Insajderi.

    Ky ndryshim kursi ndaj planit franko-gjerman, erdhi pas vizitës së fundit të “Pesëshes së Madhe” diplomatike të cilët zbarkuan gjatë javës në Prishtinë dhe Beograd, ku, habitshëm, Aleksandar Vuçiq u deklarua se ka pranuar planin evropian si kornizë të re të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Përndryshe, tha Vuçiq, Serbia do të pësonte humbje të mëdha.

    Delegacioni amerikan, evropian, francez, gjerman dhe italian, Vuçiq tha se i treguan tri pasoja të mëdha në rast të refuzimit të planit për normalizim. “Ndërprerje të integrimeve evropiane, ndalim dhe tërheqje të ivestimeve” derisa tha se “masa e tretë ishte e natyrës gjithpërfshirëse ekonomike që do të kishe pasoja për Serbinë”.

    “Po t’i kisha përzënë dhe t’u thoja se unë nuk negocioj, regjimi ynë i udhëtimit pa viza do të kishte marrë fund. E dyta gjë që do të na ndodhte, është se ne më investime nuk do të kishin”.

    Pozicioni i tij, tha Vuçiq në melodramaticitetin e tij të rëndomtë, është se “unë nuk do të jem president i një vendi të izoluar”.

    Për planin franko-gjerman, Vuçiq tha se “aty s’ka asgjë për çfarë të gëzohemi”, por se mospranimi i saj i sjell të lartpërmendurat. Andaj, tha ai, ajo “do të jetë korniza e re negociuese“.

    Serbia është në radarin e të gjithëve, ofshau ai, duke rikujtuar se janë i vetmi vend që s’i janë bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Federatës Ruse.

    BE-në e quajti hipokrite, por Serbia s’duhet të mbetet e vetme, tha ai.

    Periudhë e vështirë qëndron para neve. Nëse zgjedhja jonë është të izolohemi e të na sanksionojnë, do të thotë, të tërheqin investimet, të cilën gjë tri herë në fytyrë ma thanë, ose të pranojnë gjithçka që na kërkohet, që është anëtarësimi i Kosovës në OKB, unë jam në favor të një kompromisi”, tha presidenti serb.

    “Do të jetë e vështirë dhe kam frikë”.

    Veten ai e vuri në kontrast me Slobodan Millosheviqin, për të cilin tha se ai në të 90’at “nuk besonte se do të na bombardonin dhe mendonte se [perëndimi] po bënte blof”, shkruan Insajderi.

    Pyetur se “a është i shqetësuar” për anëtarsimin e Kosovës në KiE dhe OKB, ai tha se ka folur arsyeshëm për to, por gazetarët s’po e dëgjojnë mirë.

    “OKB’ja nuk përmendet. Nuk mund t’ua parandalojmë anëtarësimin në KiE, sepse s’e kemi shumicën. As në NATO nuk mund t’i parandalojmë. Sa për OKB-në, ajo është tjetër histori”, tha ai.

    Ndërmjetësi Evropian, Miroslav Lajçak, Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, dhe tri këshilltarët për politikë të jashtme nga Parisi, Berlini dhe Roma, së fundi takuan Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kjo në dritën e ofansivës së re diplomatike për konkretizimin e planit frank0gjerman për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Vuçiq, doli për herë të parë publikisht pas takimit me pesëshen diplomatike kur lajmëroi se ka pranuar të negociojë në bazë të planit.

    Megjithatë ai thotë se “kam pasur rezervë për një çështje të rëndësishme” të cilin nuk e specifikoi, ngase, siç tha ai, “plani ende nuk është publik”./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark