×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kryepatriarku serb me të cilin Kurti dëshiron ta negociojë Nenin 7 shpërthen ndaj Ukrainës për “terror shtetëror”

    Insajderi
    30 March 2023 - 10:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryepatriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka shpërthyer ndaj qeverisë dhe shtetit ukrainas të cilët i ka akuzuar për “persekutim, presion dhe dhunë” ndaj kishës kanunore ortodokse ukrainase dhe besimtarëve të saj. Porfirije madje e ka ka vlerësuar edhe si “inkuizicion” ndaj popullit, shkruan Insajderi.

    “Përndjekja e Kishës Ortodokse të Ukrainës kulmoi ditët e mëparshme me kapjen e dhunshme të tempujve në favor të strukturës skizmatike pseudo-kishtare, e cila ka statusin e një lloj ‘kishe shtetërore’ dhe inkuizicioni informal”, ka thënë ai, siç e cituan mediat serbe.

    Porfirije, me të cilin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mendon se duhet të bisedohet rreth Nenit 7 të Marrëveshjes Bazë për pjesën e formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, akuzoi udhëheqjen shtetërore të Volydymyr Zelensky-t se “qëllimi i saj përfundimtar është fshirja nga kujtesa historike e të gjithë gjurmëve të ortodoksisë origjinale në Ukrainë”.

    “Sjellja e udhëheqjes shtetërore ukrainase dëshmon se qëllimi i tij real dhe ndoshta përfundimtar është të fshijë kujtesën historike dhe të gjitha gjurmët e ortodoksisë origjinale në Ukrainë, në mënyrë që të ndryshojë kodin dhe identitetin historik që kisha ndërtoi dhe ruajti me kujdes gjatë shekujve, nga Princi i Shenjtë Vladimir e deri më sot”, thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse Serbe.

    “Kisha Ortodokse Serbe është e bindur se Zoti do t’i japë kishës forcën për të duruar të gjitha vuajtjet që i nevojiten dhe duhet të durojë dhe ngre zërin e saj të qarë kundër padrejtësisë së tmerrshme, kundër terrorit shtetëror ndaj kishës në Ukrainë”, thuhet në komunikatë.

    Këtij reagimi i është gëzuar për së tepërmi ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko.

    “Shenjtëria e tij u ngrit për mbrojtjen e të drejtave të Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe besimtarëve së saj, ai shprehu shqetësimin e thellë për persekutimin e Ortodoksisë kanonike nga autoritetet e Kievit”, shkroi ambasadori rus, përcjell Insajderi.

    Kujtojmë se Kryeministri Kurti tha se çështja e Nenit 7 për formalizimin e Kishës Ortodokse Serbe duhet të negociohet me Patriarkun e jo Presidentin e Serbisë, sepse “presidenti nuk është patriark”.

    “Sa i përket Kishës Ortodokse Serbe, natyrisht që ajo si një çështje ekziston në marrëveshjen bazike, dhe ajo çfarë kam shprehur unë gjatë këtij takimi është se jam i interesuar të bëjmë një bashkëbisedim të hapur, të sinqerte, për të gjitha temat që ata dëshirojnë të diskutojnë me mua, si kryeministër i Republikës së Kosovës”.

    “Më lejoni t’ju theksoj që as nuk është presidenti i Serbisë patriark, e as patriarku i Kishës Ortodkse Serbe nuk është president. Andaj, duke pas parasysh që Serbia është një shtet sekular,  unë konsideroj që do të duhej drejtpërsëdrejti që qeveria e Kosovës, unë si kryeministër, Ministri i Kulturës dhe Sportit, i cili e ka trashëgiminë kulturore dhe çështjen e lirisë fetare edhe në portofolin e tij, ndërkohë e ka edhe përzemër si çështje, do të duhej të angazhohemi drejpërdrejt me udhëheqësit, priftërinjtë e lartë të Kishës Ortodokse Serbe, sepse ne jemi të interesuar që askujt të mos i cënohen të drejtat. Ju e dini që kemi një ligj për lirinë fetare, ekziston edhe ligji që e kemi trashëguar nga propozimi i Atisarit, për zonat e veçanta dhe ai për zonën historike të Prizrenit”, ka thënë ai./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark