10:45 - 04 Gusht 2022

Nga Besarta Taçi!

Jam larg Shqipërisë në këtë moment por…

Hap telefonin dhe shoh vdekje, përdhunime, ulërima, denoncime, aludime, komente denigruese, të gjithë kundër dikujt, dikush kundër vetes. Ndjej një çoroditje komunitare totale prej shumë vitesh, qytetari mesatar i këtij vendi nuk e ndjen veten që i përket ketij shteti, nuk e ndjen veten të mbështetur, të siguruar të përkrahur nga askush.

Detyrimisht kjo ndikon në marrëdhëniet me njeri tjetrin me ndjenjën e përgjegjesisë që secili duhet të ketë për veten dhe të tjerë, kjo na bën të jetojmë së bashku në Komunitet dhe të identifikohemi me të ose në të kundërt ta godasim atë komunitet.

Arsyet pse në Shqipëri mund të bëhesh vrasës apo viktimë janë të shumta, por në një pikë ngjajnë as i pari as i dyti nuk ndjen që është dikush sipër tij që nëse thyhen rregullat e ndëshkon me drejtësi, dhe i dyti nuk ndjen sigurinë që nëse cënohet, lëndohet apo vritet do tutelohet deri në sekondin e fundit.

Ndjej dhe lexoj në sfond një proces dehumanizimi që ka kohë që ka filluar, është e frikshme se ku po na dergon, fiks në këtë përçarjen që lexoj në komente!

Nevoja për tu distancuar nga ai që gabon , për të ndjerë që jemi ndryshe, tek ne ka dicka të mirë, na ben kanibal ndaj atyre që gabojnë, po ne që heshtim, nuk reagojmë a jemi shumë ndryshe?

Ndërkohë në të kundërtën në keto momente kemi nevoje për solidaritet, bashkim, afërsi, të ulemi e të shprehim merakun, dhimbjen, frikën tonë për të ardhmen, jo në ato panelet televizive sterile ku shpesh edhe më ftojnë, por kemi nevoje të dëgjojmë njeri tjetrin, ti kthehemi humanes, njerëzores brenda nesh, ti japim vlerën e vërtetë njeriut që jemi dhe njerzve që na rrethojnë!

Kemi nevoje të ndiejmë që mund ti përkasim sërish ketij vendi të quajtur jo vetem mëmëdhe vendi ku kam lindur, por Shqipëri vendi ku dua të lind fëmijët e mi, sa larg kësaj jemi, aq rrugë na duhet për të rikrijuar sigurinë në vëndin që po jetojmë çdo ditë!
Mjaft ikëm!