×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kthimi i logopedit Iljasa Fazliu në QKUK – Ministria e Shëndetësisë hesht karshi abuzuesit

    Insajderi
    25 January 2023 - 21:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tashmë janë bërë pesë ditë që kur Komisioni Disiplinor i QKUK-së ia hapi dyert logopedit Iljasa Fazliu për rikthim në punë, në Klinikën e ORL-së. Bazuar në vendimin e Këshilli Gjyqësor që Fazliu nuk ka dënim të formës së prerë dhe bazuar në vërtetimin që abuzimi nuk është kryer në QKUK, ka bërë që logopedi të kthehet në punë përsëri. Lidhur me këtë rast nga Ministria e Shëndetësisë po heshtin, shkruan Gazeta Insajderi.

    Iljasa Fazliu, logopedi që abuzoi me 3 vjeçaren me autizëm është kthyer në punë në Klinikën e ORL-së, në QKUK.

    Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Vitia nuk ka nxjerr asnjë reagim lidhur me kthimin në punë të logopedit abuzues.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në emalin zyrtare të ministrisë lidhur me kthimin në punë të logopedit që abuzoi me një fëmije autik, deri tani asnjë përgjigjen nuk u dha nga ky dikaster.

    Po ashtu, gazeta ka kontaktuar ministrin Vitia dhe zëvendësministres Gexha-Binjakun për kuptuar se si arriti logopedi Iljasa Fazliu të kthehet në punë në QKUK, duke e ditur që i njëjti është ende nën hetime. As nga këta të fundit gazeta nuk mori përgjigje.

    Se kush do të garantoj se i njëjti abuzim nuk mund të ndodhe në QKUK, ende nuk dihet, pasi çdo institucion përgjegjëse ka zgjedhur të heshte për Iljasa Fazliun?

    Hapi i parë që i dha të drejtë Fazliut të kthehet në punë në spitalin e shtetit ishte një vendim i lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku i njëjti nuk ka dënim të formës së prerë.

    Ndonëse, ndaj tij ende vazhdon një proces Gjyqësor. Rasti ka rreth dy muaj që është raportuar nga Gazeta Insajderi.

    “Në lidhje me rikthimin e tij në punë, ju njoftojmë se i njëjti është kthyer në punë vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit. Komision Disiplinor vendimin e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për Insajderin.

    Hapi i dytë që e bëri edhe më të lehtë procedurën e kthimit në punë ishte procesi i rilicencimit, pasi Iljasa Fazliu nuk kishte licencë të logopedit nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

    Në QKUK nuk mund të veprosh si logoped pa qenë anëtar i Odës së Infermierëve dhe të kesh licencë nën vulën e tyre.

    Një vërtetim i Komisionit Diciplinor i kishte mundësuar logopedit që të anëtarësohej në Odën e Infermierëve dhe të vazhdonte rilincencimin, në mënyrë që të riniste përsëri punën në QKUK.

    Ky vërtetim i jepte të drejtën e rikthimit në punë Fazliut, ku thuhet se abuzimi nuk kishte ndodhur brenda hapësirave të QKUK-së.

    Mbi këtë vërtetim të lëshuar nga komisioni disiplinor i QKUK-së, OIK anëtarësoi Fazliun dhe nisi procedurat e rilicencimit.

    Kështu tha për Gazetën Insajderi, kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj.

    Rrustemaj shtoi se Fazliu ka të drejtë punë përderisa është në procedurë të licencimit.

    “Ai nuk ka qenë anëtar i Odës më herët dhe as nuk ka pasur licencë nga ne, por nga MSH-ja. Tash është bërë anëtarësimi dhe po vazhdon procedura e licencimit. Ai e ka marrë një vërtetim nga komisioni disiplinorë i QKUK-së që ai nuk e ka bërë veprën në QKUK, në vendin ku punonte dhe ka të drejtë të kthehet në vendin e punës. Mbi bazën e këtij vërtetimi është bërë anëtarë i Odës dhe tash është në procedurë të licencimit. Të drejtë të punës ka derisa është në rilicencim”, tha Rrustemaj për Insajderin.

    Kërkohet shkarkimi i logopedit nga QKUK-ja

    Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka kërkuar dorëheqjen e logopedit Iljasa Fazliu nga QKUK-ja.

    Sipas tyre, vendimi i ShSKUK-së për kthimin e Fazliut në punë po i vendos në rrezik të abuzimi të gjithë fëmijët të cilët mund të kërkojnë trajtim nga logopedi Fazliu.

    Tutje, në reagimin e tyre thuhet se kthimi i Fazliut e forcon normalizimin e dhunës, duke e bërë atë institucionale dhe të pandëshkueshme.

    “Vendimi i kthimit i të Iljasa Fazliut në punë paraqet rrezik për shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës dhe precedent të dëmshëm. Rikujtojmë se abuzimet ndaj fëmijëve, sidomos të fëmijëve me autizëm të cilët paraqesin një nga shtresat më të cenueshme të shoqërisë sonë, kanë pasoja afatgjate në shëndetin e tyre mendor. Me këtë vendim, ShSKUK i vendosë në rrezik të abuzimit të mëtejshëm të gjithë fëmijët të cilët mund të kërkojnë trajtim nga logopedi, çkamund të shkaktojë, ndër të tjera, çrregullime të depresionit, ankthit, apo të shfaqë mendime për vetëvrasje. Kjo gjithashtu e forcon normalizimin e dhunës, duke e bërë atë institucionale dhe të pandëshkueshme”, thuhet në reagimin e QIPS.

    ShSKUK duhet të ketë në qendër nevojat e pacienteve e jo të ruajë abuzuesin i cili mbulohen nën petkun e profesionistit.

    “Për ne, kjo është e pa pranueshme. Si shërbim i cili duhet të ketë në qendër nevojat e pacientëve, e jo të ruajë abuzuesë të cilët mbulohen nën petkun e profesionistit, ShSKUK ka për obligim që të sigurojë standardin më të lartë të shërbimeve të cilat ofron. Andaj, ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut nga ShSKUK dhe të komisionit disiplinor të cilët e kanë mundësuar kthimin e tij. Këto shkarkime janë të domosdoshme për të ofruar një hapësirë të sigurt të punës dhe për të rifituar besimin e qytetarëve. Çdo hap tjetër është i pa pranueshëm”, thuhet më tej./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark