×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti e Sveçla të bindur se bashkëluftëtari i Adem Jasharit ka keqpërdorur 107 mije euro, të parapara për zjarrfikësit

    Insajderi
    19 October 2022 - 22:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një betejë disa mujore është duke u zhvilluar mes ministrit Xhelal Sveqla dhe ish-drejtuesit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Fadil Kodrës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Fatin e kësaj beteje e ka vulosur kryeministri Albin Kurti. Shefi i ekzekutivit ka marrë vendim për shkarkimin e Kodrës.

    Shumëkush e ka kritikuar këtë vendim të Kurtit. Është vlerësuar si hakmarrës ndaj njerëzve të UÇK-së.

    Fadil Kodra ka qenë prej luftëtarëve të parë të UÇK-së dhe një prej bashkëluftëtarëve të afërt të Adem Jasharit.

    Por, cila është arsyeja zyrtare e shkarkimit të Kodrës?

    Ai sipas Kurtit e Sveqlës është personi që dyshohet për keqpërdorime financiare.

    Dyshimet e tyre bëhen të ditura në vendimin për shkarkimin e ish-drejtorit të AME’së.

    Më 14 korrik, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte marrë vendim për lirim nga detyra të Kodrës, i cili ishte u.d. i drejtorit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave

    Një muaj pasi Ministri Sveçla e pati pezulluar atë vjen shkarkimi i Fadil Kodrës nga kryeministrit i vendit.

    Në vendimin që mban nënshkrimin e kryeministrit Kurti, thuhet se arsyeja që dërgoi në shkarkimi e Kodrës ishte keqpërdorim i detyrës zyrtare.

    Vepra penale me të cilën ngarkohet Kodra, niset nga një raport i auditorit të përgjithshëm, të vitit 2020.

    Sipas vendimit të Kurtit, Kodra kishte keqmenaxhuar parat e parapara për zjarrfikësit, shkruan Insajderi.

    “Me datën 13 tetor 2022, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka suspenduar z. Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, sipas nenit 9 par.2 të Ligjit Nr.04\L-230 për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent. Vendimi i ministrit Sveçla është bazuar në raportin e brendshëm dhe të jashtëm të Auditimit, këtu përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit, të gjeturat e të cilave dëshmojnë keqmenaxhim, dhe me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, vepër kjo e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

    Në raportin e Auditorit të vitit 2020, të cilët i referohet kryeministrit thuhet se Kodra kishte kompensuar stafin e AME-së për punë jashtë orarit, ndërrimeve të natës dhe festive.

    Gjetja e auditorit tregon se buxheti i ndarë për kategorinë paga dhe mëditje për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent ishte 1,426,442 euro.

    Në kuadër të këtij buxheti shuma prej 179,424 euro ishin ndarë për kompensimin e orëve shtesë, për punëtorët e ndërrimeve të natës dhe festave për vitin 2019.

    Në bazë të korrespondencave me Thesarin këto mjete ishin dedikuar për zjarrfikësit.

    Shuma në vlerë 179,424 euro ishin ndara për zjarrfikësit për pagesën e orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe festive.

    Para të cilat ishin shpërndarë me aprovim të drejtorit të AME-së pra Fadil Kodrës dhe ZKF-së në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së.

    Stafi përbëhej nga 71 zjarrfikës dhe 107 staf tjetër, që të gjithë kishin përfituar kompensim në vlerë 960 euro (bruto) në pagën e muajit mars, të vitit 2020.

    Ndërsa, shuma e kompensimit për stafin që nuk kishin qenë zjarrfikës kishte arritur vlerën 107,856 euro, duke përfshirë edhe kontributin e punëdhënësit.

    Sipas Auditorit të Përgjithshëm, për këtë para që janë ndarë për punëtorë nuk janë ofruar ndonjë dëshmi që e arsyeton shpenzimin e ndodhur për mbajtjen e orëve shtesë, punën në ndërrimin e natës apo punën gjatë festave.

    Mirëpo, kjo ka ndodhur për shkak të analizave të pa mjaftueshme për ta shpenzuar buxhetin e ndarë në përputhje me qëllimin e dedikuar.

    Në raport nuk përmendet që paratë të jeni shfrytëzuar nga Kodra për përfitime personale apo diçka tjetër.

    Ndonëse, ky vendim ishte shpallur i pabazuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe ishte anuluar shkarkimi i Kodrës.

    Këshilli kishte obliguar ministrin e Kurtit, Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.

    “Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” – ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.

    Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.

    Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark