Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para gazetarëve të Kosovës pas përfundimit të Samitit të Berlinit. Ai ka folur për kërkesën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken i cili i ka kërkuar Kurtit ta shtyjë afatin për targat, shkruan Insajderi.
Kurti e shpërfilli kërkesën personale të Blinken për shtyrjen 10 mujore të afatit për targa.
Në paraqitjen e sotme para mediave, Kurti tha se shtyrje 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje por shtyrja mund te jetë 3 javë, një muaj ose dy muaj.
“Tash shtyrja 10-mujore nuk mund të jetë shtyrje, shtyrja mund të jetë 3 javë, një muaj, 2 muaj. Në këtë rast nuk kemi bërë shtyrje sepse jemi në të drejtën tonë. Në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë. Ne dëshirojmë të mos bëjmë kompromis për zbatimin e ligjit, edhe të mos e cenojmë paqen e sigurinë. Ka nisur zbatimi prej 1 nëntorit, nuk ka nisur konfiskimi i targave” tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se kanë qenë në koordinim me Amerikën, por që sipas tij, vendimi i Qeverisë është për sundim të ligjit dhe është vendim sovran.
“Me SHBA-në jemi vazhdimisht në kontakt, nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë e për të cilin nuk i njoftojmë partnerët tanë. Nuk do të thotë se pajtohemi për secilin vendim, por qeveria e Kosovës është sovrane, nuk mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje të qeverisë sonë ndaj brengave evropiane”, tha ai./ Gazeta Insajderi/