×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Kurti u arsyetua se edhe shtetet tjera kanë problem me pasaporta, e demanton edhe Shqipëria

    Insajderi
    13 January 2023 - 14:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndryshe nga rasti i pazakontë i Kosovës e cila në mungesë të letrës s’ka mundur të lëshojë pasaporta për shtetasit e saj, madje duke i kërkuar edhe Gjermanisë që të lejojë shtetasit kosovarë të udhëtojnë edhe me pasaporta të skaduara, Republika e Shqipërisë problem të tillë nuk ka, shkruan Insajderi.

    Xhezair Dashi

    “Sa i përket çështjes së rezervave të lëndës së parë për prodhimin e dokumentave të identitetit për shtetasit tonë, në dijeninë tonë, nuk ka patur probleme”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë në një përgjigje për gazetën Insajderi.

    Çështja e mungesës së materialit të parë për lëshimin e pasaportave u bë brum për debat të ashpër në vend, ku madje Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se një problem të tillë e kanë edhe vendet e tjera.

    Por, së paku në rajonin tonë, një problem i një natyreje të tillë nuk gjendet.

    “Pajisja e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrike sigurohet në bazë të kontratës koncesionare, nëpërmjet Aleat Sh.p.k., kompani që operon në Shqipëri, Ministrisë së Brendshme dhe konsorciumit të IDEMIA SA (Francë) dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve (Shqipëri) për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit e pasaportave biometrike. Kontrata e koncesionit u ratifikua me ligjin nr. 9972 datë më 27.08.2008, si dhe u ndryshua me ligjin nr. 129/2013, data në 25.04.2013”, thanë nga MPB e Shqipërisë për Insajderin.

    Insajderi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë së Veriut, të cilët po ashtu qartësuan se një problem të tillë nuk e kanë.

    “Gjer më tash, Maqedonia e Veriut nuk ka pasur ndonjë problem serioz në lidhje me këtë”, tha Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut për Gazetën Insajderi.

    “Ministria e Brendshme [e Maqedonisë së Veriut] ka lidhur marrëveshje me një operator ekonomik nga Republika Federale e Gjermanisë për prokurimin e sistemit për lëshimin e dokumenteve personale për qytetarët dhe i njëjti operator prokuron formularët bosh për dokumentet personale: pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferi dhe dokumente për të huajt”.

    “Deri më tani, shteti nuk ka pasur ndonjë problem serioz sa i përket mungesës së formularëve. Dokumentet personale si formularë bosh merren nga operatori ekonomik”, thanë ata për Insajderin.

    As Mali i Zi nuk ka telashe të kësaj natyre, shpjegoi për Gazetën Insajderi, redaktorja për politikë në gazetën më të madhe malaziase “Vijesti”, Biljana Matijaseviç.

    “Jo, kurrë s’kemi pasur problem të këtillë”, tha Matijaseviç, derisa shtoi se “për katër ose pesë ditë lëshohen pasaportat”.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar ende përgjigje.

    Republika Federale e Gjermanisë ka konfirmuar se më 6 janar ka pranuar një kërkesë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për lejimin e udhëtimit të shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara.

    “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës”. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, tha për Gazetën Insajderi, zëdhënësja e Ministrisë të Brendshme dhe Komuniteteve, Sascha Lawrenz.

    Ministria e Sveçlës thotë se nga fundi i janarit ky problem do të zgjidhet.

    Nga fundi i janarit pritet të fillojë furnizim me material për prodhimin e pasaportave, lejeve të vozitjes e letërnjoftimeve. Kështu ka konfirmuar sot Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Insajderi.

    “Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigje./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark