×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kush (s’)i pranoi “gjashtë kushtet” e Kurtit për Asociacionin?

    Insajderi
    11 February 2023 - 16:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte Këshilli Evropian i cili në tri prej konkluzioneve të miratuara pas samitit të liderëve të Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi kërkoi që marrëveshjet “të zbatohen plotësisht dhe pa kushte”, shkruan Insajderi.

    Kjo në dritën e shfaqjes së “gjashtë kushteve” të artikuluara nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me mundësinë e zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dakordësuar në vitin 2013.

    Në anën tjetër, Serbia ka kushtëzuar nisjen e negociatave në kuadër të planit franko-gjerman, me zbatimin e Asociacionit të vitit 2013 në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit. Nuk mund të ketë marrëveshje të reja, pretendojnë ata, pa u zbatuar të vjetrat.

    Asociacioni është kthyer në mollën kryesore të sherrit për caktimin e hapave të mëtejm të dialogut Kosovë-Serbi, dialog ky i rikornizuar në bazë të planit franko-gjerman.

    Gjermanët, shprehen kundër kushtëzimeve aktuale.

    “Nevojitet urgjentisht qasje konstruktive për shkak të gjendjes së brishtë në Veri të Kosovë, dhe asaj nuk duhet t’i vendosen parakushte”, ka thënë Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin para disa ditësh, pyetur se si i vlerëson ambasadori gjerman Jorn Rohde zhvillimet e fundit në vend lidhje me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë, Sebastian Leuschner, për Insajderin tha se “për Kosovën një pjesë e rëndësishme e marrëveshjeve është të zbatojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të pajtuar më 2013/2015”.

    “Marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen nga Kosova dhe Serbia”, tha ai.

    As amerikanët nuk kanë komentuar në lidhje me kushtëzimet e reja të vendosura nga Albin Kurti. Pyetur nga Insajderi, një zëdhënës i DASh thotë se s’kanë asgjë për të shtuar nga shkrimi autorial botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

    Ishte zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, i cili gjithashtu tha se BE ka vërejtje në dy prej gjashtë kushtet e vendosura nga shefi. Megjithatë, ai nuk i shpaloi se cilat janë ato.

    Një ditë më pas, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, pretendoi të dijë njërin prej këtyre kushteve të cilat i ka kundërshtuar BE’ja.

    Arbër Rexhaj, ka lënë të kuptohet se kushti i kundërshtuar nga BE, ka qenë ajo për reciprocitet në të drejta për minoritetin shqiptar në Serbi, përkatësisht shqiptarët në Luginë të Preshevës.

    Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës prej gjashtë kushteve të artikuluara e kishte edhe reciprocitetin për shqiptarët në Luginë.

    “Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, kishte thënë Kurti.

    Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili kohëve të fundit qëndroi në Uashington, ku takoi zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë për median serbe “kosovo-online” pretendoi se zyrtari amerikan i ka trhënë se “ShBA nuk është e interesuar në kushtet e Kurti”.

    Ndërkaq, edhe Kosova e ka gjetur veten “të kushtëzuar” në sfera tjera.

    Euronews në gjuhën serbe raportoi se Uashingtoni ka kushtëzuar futjen në agjendë të Kosovës në Këshillin e Evropës deri kur “Kosova të merr një qasje konstruktive” sa i përket themelimin të Asociaiconit.

    DASh, as nuk e ka pohuar e as mohuar se a ka vendosur Uashingtoni një kushtëzim të tillë, ndërsa përgjigja e tyre ka qenë thjesht se “nuk i komentojmë shkëmbimet e pretenduara diplomatike”.

    Me këtë “kushtëzim” amerikan, siç shkruante Euronews, ishte pajtuar edhe Franca, Gjermania dhe Italia.

    Serbia vazhdon ta paraqes Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe si “parakusht i të gjitha parakushteve”, derisa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqa, mohoi madje edhe se do të udhëtojë për në Bruksel pa u formuar ky Asociacion.

    Kjo pasi Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, njoftoi se javëve në vijim do të thërrasë Takim të Nivelit të Lartë mes liderëve.

    Gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin

    Kushti i parë është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, tha Albin Kurti javën e kaluar.

    Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, të ndërrojë emrin, të mos ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.

    I treti që të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane

    Kushti katër që para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i armëve ilegale.

    I pesti që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke; dhe atë vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

    Dhe kushti i fundit që presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjejes së 19 prillit 2013./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark