×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ky është prokurori që po akuzohet për zvarritjen e hetimeve për dhunimin e 11 vjeçares

    Insajderi
    14 September 2022 - 12:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Çka e bën më komplekse dhe problematike krejt këtë situatë është që prokurori i rastit është prokurori i njëjtë që nuk ka arritur që të jetë pranë të miturit tjetër në Fushë Kosovë, para disa vitesh i mituri, fillimisht ishte dhunuar pastaj është vra”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në njërën prej mediave në vend derisa ka akuzuar prokurorin për të mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ruhan Salihu për neglizhencë e jo profesionalizëm teksa fliste për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, e cila po dyshohet se u keqtrajtuar seksualisht nga 11 persona.

    Prokurori Ruhan Salihu po akuzohet se ka dështuar edhe njëherë të mbrojë një të miturë. Sot është kërkuar edhe shkarkimi i tij, shkruan Insajderi.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkuan nga Këshilli Prokurorial të shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi. Po ashtu kërkuan heqjen e lëndës së dhunimit të 11-vjeçares nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe kalimin tek Prokuroria Speciale e Kosovës për hetim të mëtejshëm.

    Sot ne i shpallim Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi. Përmes këtij institucioni mbrapa mirëmbahen neglizhentë, seksistë dhe riprodhohen prokurorë e racistë që më pas shndërrohen edhe në bashkëfajtorë të krimeve me bazë gjinore. Ne do të vazhdojmë të protestojmë deri te Këshilli Prokurorial që ta shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu”, tha aktivistja Anita Mjeku përcjell Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria për të kuptuar nëse do të merren masa ndaj prokurorit Salihu, për të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë është provuar të merret një përgjigje edhe nga vet prokurori i rastit, Ruhan Salihu për i njëjti nuk ka qenë i çasshëm.

    Si prokuror i rastit, Ruhan Salihu nuk u pa as në konferencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbajtur me 5 shtator për rastin e 11 vjeçares, aty foli veç zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

    Kush është Ruhan Salihu e për çka po akuzohet?

    Nga 22 tetori i vitit 2010, Ruhan Salihu mbanë postin e prokurorit në Prokurorinë Komunale në Prishtinë, punë të cilën e vazhdon edhe tani.

    Emri i Ruhan Salihu, Prokurorit për të mitur në Prokurorinë Themelore po përmendet për të paktën dy raste të neglizhencës. Po akuzohet se ka neglizhuar rastin e muajit qershor ndaj të mitures 11 vjeçare, e cila po dyshohet se u abuzua sekualisht nga 6 persona e vetëm pastaj edhe nga 5 të dyshuar të tjerë.

    Salihu përmendet edhe për neglizhencën e treguar për rastin e një fëmijë 11 vjeçar, Kujtim Veseli i cili i takonte komunitetit ashkali. Ai u gjet i vdekur në Fushë Kosovë, më 11 korrik të 2019-ës.

    Sipas gjykatës, Sefedin Osmani, një fqinj që jetonte afër shtëpisë së viktimës, e kishte detyruar atë që të kryente akt seksual dhe pastaj e kishte vrarë duke e goditur me një mjet të fortë. Përkundër veprës së rëndë penale për të cilën dyshohej Osmani, intervistimi nga Policia e Kosovës, ishte kryer 65 ditë pasi kishte ndodhur rasti.

    Në stacion policor, Osmani e kishte pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, por ndaj tij nuk u lëshua urdhërarrest e as nuk iu caktua masa e paraburgimit.

    Për këtë rast, u kërkua hetim penal ndaj zyrtarëve policorë si dhe prokurorëve të cilët, sipas tyre, por edhe sipas një raporti të Avokatit të Popullit, neglizhuan rrezikun më të cilin ishte duke u përballur Kujtim Veseli.

    KPK konfirmonte se kishte nisur hetimet ndaj Prokurorit Ruhan Salihu

    Pas një hetimi që u krye ndaj prokurorit Ruhan Salihu, me datë 12 nëntor 2019, Këshilli Prokurorial i Kosovës konstatoi se prokurori Salihu, kishte kryer shkelje disiplinore përmes veprimeve të tij në rastin vrasjes së Kujtim Veselit.

    “Zvogëlim i përkohshëm i pagës në 30 për qind për një periudhë kohore 6 muaj”, thuhej në vendimin e Këshillit Prokurorial për rastin derisa familjarët e viktimës e anëtarët e Shoqërisë Civile si dhe avokatja e tij kritikuan masën e ndërmarrë ndaj Salihut.

    Sipas tyre ishte absurde që të ndërmerrej një masë kaq e lehtë disiplinore, siç është zvogëlimi i pagës për gjashtë muaj, kur sipas tyre, si pasojë e neglizhencës së tij ka ndodhur edhe vrasja.

    Fotografi nga protesta e mbajtur për rastin e Kujtim Veselit/ 2019

    Se Ruhan Salihu ka dështuar ta kryejë punën e vet si prokuror e thanë sot edhe aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, të njëjtat i përmend edhe rastin e Kujtim Veselit.

    “Në këtë rast, Ruhan Salihu është i njohur për të gjitha ne, si prokuror i cili neglizhon rastet e krimeve seksuale kur në fjalë janë grupet e paprivilegjuara shoqërore. Ruhan Salihu ka qenë prokuror edhe në rastin e Kujtim Veselit, fëmija 11 vjeçar i cili u përdhunua dhe më pas edhe u vra si pasojë e neglizhimit të institucioneve. Në dy raste që ne i dimë ku Ruhan Salihu ka dështuar ta kryej punën e vetë, duke u bërë kështu bashkëfajtor në dhunim dhe vrasje, ai ende vazhdon të punojë i pa shqetësuar, duke paraqitur kështu rrezik të mëtejshëm për sigurinë e të gjithëve. Fakti që Ruhan Salihu ende është prokuror në Prokurorinë Themelore te Prishtinës na shqetëson tej mase dhe na bënë të hezitojmë t’i drejtohemi institucioneve publike në Kosovë”, tha Anita Mjeku shkruan Gazeta Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark