×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    LDK shkon në Kuvend për adresimin vjetor të Presidentes

    Insajderi
    15 December 2022 - 10:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në adresimin vjetor të Presidentes Vjosa Osmani.

    Deputetët e kësaj partie janë parë në sallën e Kuvendit, ku për pak minuta pritet të nisë adresimi i Osmanit.

    Dy partitë e tjera opozitare, PDK e AAK’ja, kanë thënë se s’do të marrin pjesë në seancë.

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani, sepse, siç tha, konsideron se është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje.

    “Është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes. Gjuha jounifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse e presidentes Osmani, apo heshtja kur e ka obligim të jetë në shërbim të çdo qytetari nga frika se mos nuk është në pajtim me partnerin e saj politik, janë shembuj tipikë të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon”.

    PDK tha se për këto deklarata të tyre kanë shembuj të shumtë, “përfshirë edhe ato të ndërhyrjeve në punësime të familjarëve, shkarkimeve politike dhe mosmbështetjes së punonjësve në sektorin e arsimit, atë të shëndetësisë dhe shërbyesve civilë”.

    Grupi Parlamentar i PDK-së vlerëson se” po të mos ishte prirja joparimore e këtij pushteti për të prodhuar performanca të tilla neveritëse mbase këtë ngjarje ky pushtet ka qenë e udhës ta organizojë në zyrat e Vetëvendosjes përballë aktivistëve të kësaj partie, e jo para të deputetëve të Republikës”.

    Edhe AAK’ja ka thënë se s’do të marrë pjesë, duke thënë se Osmani ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj unifikuese.

    “Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga AAK

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark