×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Leka Ndoja: “Fatos Arapi, quaismodo i rivierës”

    Insajderi
    23 July 2023 - 22:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Leka Ndoja, studiues i letërsisë shqipe

    1. E ndryshmja te poezia e Fatos Arapit qëndron te shpallja e koncepteve të “artit poetik” të tij përmes vargjeve. Arti poetik i këtij poeti nisi të shfaqet në vargje, po kështu edhe qëndrimet estetike e kritike ashtu si te Horaci,1) vetëm me ndryshimin se ai nuk iu drejtohet “Pizonëve” por drejt për së drejti kolegëve poetë. Bie fjala poetit te paidentifikuar A.T.,2) pikësëpari, për të minimizuar rrezikun e kontaktit përmes kësaj marrëveshje mes kolegësh si me poetin A.T. apo A., perfshire ne rrjetin e infrastrukturës kulturore dhe institucionet, që kishin uzurpuar politikën e botimit.

    Në librin “Më jepni një emër” regjistri i dialogut me poetët etj. sidomos përmes dedikimeve me iniciale, u bë problematik per receptuesit e qendres. Pasi me kete teknike ndërhyej në moderacionin e kanalit të komunikimit, në “lirinë” e komunikimit përmes këtij kanali, në evidentimin dhe heqjen e censurës, për shpërfaqjen e plotë të gjuhës së “artit poetik”, “të vërtetë” pa “emfazë”, me atributet që i sigurojnë kodet e letraritetit. Kësisoj Arapi përmes vjershërimit përcjell nëpërmjet një dialogimi shqetësime dhe mesazhe jo vetëm estetike por edhe të formalitetit të së drejtës. Kuptohet se arti i tij poetik nuk pati përgjigje nga ana e poetëve të trysnuar deri në kufijtë e ekzistencës, por nga ana e kritikëve dhe funksionarëve që e sulmuan në dy drejtime: në anën artistike e akuzuan si “poet hermetik” ndërsa nga ana e pushtetit se kërkonte “liritë borgjeze”.3)

    “Më lodhi avalansh’ e figurave poetike

    kaskadat ritmike dhe aritmike

    mendimet zhurmë mëdha, që dynden e gjer orëve

    të fundit të natës.” 4)

    Por Arapi s’arriti të sulmohej për këtë veçori të artit poetik, pasi gjuha e tij tepër e stërholluar u ka ikur receptuesve për hir të hermetizmit nga kuptimet e shtresimeve të tjera të fjalës e cila zhvillon këtë diskurs me poetët e tjerë, madje në trajtën e regjistrave të “poetikës”, si vërtetësia, mungesa e emfazës, kënga e lirë, për të cilat poeti duhet të paraqitet në “gjyqin e mbramë”, si kategori morale ndaj “shekujve” si në poemën tipike të “artit poetik”, “Atë e thirrën zërat e shekujve”. 5)

    Pasi pa krijuar pikën e kontaktit me dedikimin ndaj “Poetit A.T, botuar së pari në gazetën “Drita”, autori e ka ndryshuar emrin e dedikuesit në ribotimin e kësaj poezie në librin “Më jepni një emër” në: “Poetit A.”.6)

    “Me se ushqehen këngët?

    Me larva kufomash, inspirimesh të vdekura?

    dhe ka pastaj, që na thonë,

    se këngët ushqehen me mikromejtime

    me mikrondjenja, që në ajër gjallojnë,

    lëvizin…”

    Dedikimet dhe funksioni i tyre

    (Poetit A.T. dhe Pizonët)

    Për autorin, konsiderohen si pika të sigurimit të kontaktit të komunikimit disa receptues të “Dedikimeve”, shpesh subjekte të pacaktuara, për të adresuar mesazhet e tija përmes sigurimit të këtij kanali të “artit poetik” për t’u shpërndarë në rrjetin e receptuesve duke i përfshirë dedikuesit në sistemin letrar me mesazhe të filozofisë të së drejtës dhe të meditimeve botkuptimore:

    2. Dedikimi, “T.”

    tek poezia “Tek unë”, ndonëse me gjini të pacaktuar, përmes “syve të bajamtë” krijon asosacion të një femre me sy “bizantinë” sipas ikonografisë së Krishtit prej nga “fluturonin fazanët e Baptisterit” (pallojtë eukaristikë të mozaikut të Butrintit). Kjo poezi formulon një analogji sipas interpretimit të hermetikëve të: “luftës kundër fesë dhe shembjes së objekteve të kultit” apo ‘shkrirjes së kambanave për ta kthyer metalin e tyre në antena’, në Shqipërinë e viteve 1967-1971 ku autori flet në vetë të parë, në një poetizim tipik hermetik duke përshkruar disharmoninë midis këmbanave dhe antenave në një krahasim të dy botëve të asaj tradicionale dhe të “revolucionit” që “rrëzon me alarme perënditë nëpër altaret e vdekura”, metonimi për objektet e kultit të shkatërruara. I gjithë ky meditim është ndërkallur brenda një regjistri erotik të poezisë, që mund të ketë shërbyer si “ambalazh”.

    “Tek unë edhe të fundmet këmbana

    Gjokset i grisnin nëpër antena dhe hekur.

    Dhe binin perënditë me alarme

    Përmbi altare të vdekur.

    Tek unë linjat e britshme të profilit tënd oriental

    Treteshin, shkriheshin…” 7)

    3. Dedikimi “N.”

    te poezia “Është një lojë”, ku në një intertekst nga Eugenio Montale autori vendos dialogun e “artit poetik” duke krijuar një similitudë midis “lojës së gjithanshme” të dashurisë dhe lojës poetike:

    “Është një lojë e madhe, e dashur,

    Lodrojnë fjalët, ritmet, rimat:

    Përqafohen figurat, vijnë rreth dritave,

    Si fluturave rreth rrezeve të diellit

    U përzhiten krahët” -8)

    Eugenio Montale:

    “penetrò la farfalla, al paralume

    giunse e le conterie che l’avvolgevano

    segnando i muri di riflessi ombrati” 9)

    Lasgush Poradeci, e metaforizon konceptin e dashurisë si dikotomi: me mallin dhe këngën e durimit, me lirinë dhe robërinë

    “Dashuri! Heu! mall i ri !

    Dashuri! këng’ e durimit !

    Ti liri ! Ti robëri !

    Ti valim i shkrepëtimit!” 10)

    Ashtu si Fatos Arapi që në invers e metaforizon dashurinë me: mallin e dhimbjen me bukurinë, vdekjen me përjetësinë, koncepte këto të interteksteve lasgushiane por të aktualizuara në përvojën e tij personale prej “mashkulli, burri”.

    “Lojë e mallit, e dhimbjes të bukurisë,

    …..

    Lojë e vdekjes dhe e përjetësisë,

    …..

    Të fytyrës sate, në dorën time prej mashkulli, burri;

    Është një lojë e gjithanshme, e mira ime,

    që quhet: dashuri…” 11)

    4. Dedikimi: “T.”,

    ku sfondet e tablove zymtësohen nga “zërat e vjeshtës me pluhura të verdhë trishtimesh” ndërsa dialogu i brendshëm me pikënisje nga një ndarje dashurore, pregatit këtë ngjarje të subjektit lirik me tablo të trishta ku marrin pjesë mjetet tipike të hermetikëve: terri, gjethet e vyshkura, pluhurat e verdhë, sarkofagët e kujtimeve, fundet e detit dhe shirat e gjatë për të pasqyruar një gjendje të rëndë shpirtërore të subjektit dhe me ngjyrime të një trishtimi universal. Shuarja e kujtimeve të një dashurie e motivon subjektin lirik: të arrijë t’i shohë me sy tjetër ditët dhe t’i modifikojë, për hir të vijimit të konceptit të dashurisë, të ciklit të saj shumëformësh, duke ndjekur një filozofi ekzistencialiste:

    “në veten time varrosa sarkofagë të tërë kujtimesh.

    …………………………………………………………………..

    E në ball të çdo dite krijova nga një sy tjetër:

    Ndryshe të shoh udhët e njerëzit,” 12)

    5. Dedikimi “N.”

    është një inicial real, te poezia “Lamtumirë N.”, 13) por mbyllja ndaj kësaj ndarje është krejtësisht hermetike, subjekti nuk jep asnjë argument, për të theksuar një ndarje të dhunshme, mbase politikisht të motivuar, gjë që konotohet nga një dhimbje që bëhet më e efektshme nga përdorimi i konceptit moral të “fjalës së djegur”. Ky koncept i djegjes apo shkeljes së fjalës shërben për të krijuar një analogji të ringjalljes së Dashurisë me zogun e mitologjisë “Feniksin” që ringjallej nga hiri i vet.

    Përdrimi tri herë i fjalës “Lamtumirë” transmeton një kod shenjtërimi te kjo poezi që mbetet në kufirin e komunikimit me të dedikuarën N., por duke e perceptuar si kod të shpresës mitike.

    6. Dedikimi “A.”,

    në poezinë “Atë e thirrën zërat e shekujve”, ku evokon betimin e “atij” heroit poet në “të vërtetën” dhe trajton çështjet morale të shfaqjeve të tilla në art duke i kundërvënë ndëshkimin e “kohëve”. Dialogu i brendshëm zhvillohet me dy zëra nga subjekti dhe dikush. Autori paraqet dy opinione, që siç duket në këtë vjershë i ndan poetët moralisht. Poezia është e ngritur në këtë fiksion të “Gjyqit të mbramë” ose i së vërtetës, ku i peshohen tekstet që “Ai” ka shkruar, a thënë dhe “Ai” përgjigjet në mënyrë pohuese: “Ashtu është” pyetjeve retorike të subjektit që personalizohet me “dikush”-in që pohon:

    “- Kohë e madhërishme, thirri dikush

    Dhe enigmë e madhërishme…” 14)

    Në këtë poezi Arapi ndërton analogjinë më burleske të krijimtarisë hermetike, pasi paralelizon në vetë të parë, “unë isha i vogël kur”: pjelljen e një lope në baltërat e Myzeqesë rrethuar nga një kope çakejsh me pjelljen e komunizmit që mbrohej nga popujt që nga analogjia e ndërtimit të figurës poetike përputhet me “lopët e tjera” 15). Kjo anatemë për kohën ka qenë sëmbuese, dhe mund të ketë qenë nga arsyet që libri “Më jepni një emër” u hoq nga qarkullimi.

    Në këtë poezi një ndërtekst i epitafit të Xhon Kitsit “emri i tij është shkruar në ujë” funksionalizohet për Arapin në antitezë me poetin “Dikush” duke dialoguar mes tyre: “Unë emrin e shkruaj në ajër,/ nëpër efir.” Poezia mbaron me elipsën “mund të shkosh nga erdhe”, thanë zërat e shekujve” që mbyll ekspozenë e poezisë “Atë e thirrën zërat e shekujve,/ E ngritën nga heshtj’e të vdekurve”.

    Morali i poetit “dikush” nuk e kapërcen “gjyqin e mbramë” për mëkatin e “artit poetik” si tepër të fryrë, madhështor, që ndoshta sipas koncepsionit dantesk do t’i bëhej vend në terracën e parë të “Purgatorit” ku vuajnë dënimin “superbët”, por sipas interpretimit teologjik të Arapit ky poet do të kthehet në “heshtjen e të vdekurve” më saktë në Antipurgator.

    7. Dedikimi “B.”

    në poezinë “Kur vinte pranvera” 16), në një nga poezitë erotike poeti e ndërton analogjinë e pranverës me detajet e saj, lulet e bajames, dallëndyshes, për të metaforizuar ardhjen e vajzës flokëverdhë e cila ia jep semantikën e vërtetë të pranverës së magjepsur shpirtërore poetit, duke krijuar këtë efekt të realizuar me lulet, erën e lulelimonit, duke e konceptuar erosin me metaforën e pranverës së vendlindjes.

    Kesaj here në poezinë: “E fundit dashuri” që poeti e ndërton në formën dëshirore të foljeve si: qofsh, u tretshin, i mbuloftë, dhe me intertekstin migjenian në “Kangët e pakëndueme”:“unë – djepi juej, ndoshta vorr’ i juej” 17), por në një analogji të re:

    “Cili altar është më i denjë për këngët e vdekura

    Pos këngëve vetë?

    Dhe ne ku mund ta vendosim dashurinë tonë,

    veçse në një tjetër dashuri?” 18)

    8. Dedikimi M.H.

    në poezinë “Kaktuse në vjeshtë” 19) ku subjekti qëndron 21 ditë shtrirë në shpinë në dërrasat e spitalit mes “jodit dhe narkozës” duke vëzhguar retrospektivën e jetës i bllokuar nga shiu vjeshtor “i ngrohtë”. Në ndërkohë përsiatjet e poetit rreth ndarjes nga dashuria, ia mbushin vizionin me shfaqjen simbol të “kaktusëve të kuq” në dritare. Simbol ky i të dashurës thuajse të harruar, që mishërohet para poetit.

    Simbolizimi i kaktusit me të dashurën tek ky autor, të ngjizur poetikisht me bregdetin, përcjell një semiotikë që kumton karakterin e fortë dhe erosin ose pamundësinë e këtij lloj komunikimi në një moshë, në homologji me vjeshtën, si një triumf erotik jashtë stinës.

    9. Dedikimi… Doktor Niko Lezos 20)

    përmbyll librin “Më jepni një emër”, kronologjikisht është vendosur pas poezisë “Kaktuse në vjeshtë” por me një urim për të shtyrë pikëtakimin me vdekjen në një afat të pacaktuar poetik.

    Lidhur me funksionin e dedikimeve, tek poezia hermetike e Arapit mund të dallojmë elementë të sigurimit të marrëveshjes së kontaktit çift, për t’u receptuar nga gjithë sistemi letrar (kolegë e institucione), komunikim që u dështua me daljen nga qarkullimi të këtij libri, por jo tërësisht, pasi ciklet poetike ishin shfaqur në shtypin kulturor në gazetën letrare “Drita” dhe revistën “Nëntori” gjatë vitit 1972.

    Funksioni i dedikimeve ia lehtësoi përcelljen e mesazheve poetit duke e ngushtuar receptimin në një “dialog” çift, thuajse një rutinë mes poetësh, për të bërë të receptuaeshëm traktatin e tij të një “arti poetik” që u konsiderua “hermetik”, “narçizist”, “borgjez” ose i dëmshëm për kohën.

    10. Intertekste të bashkohësve

    Fatos Arapi në poezinë “Duke u larguar prej Vlore” në librin “Më jepni një emër”, 1972,

    Vetëm nëpër të plasurat e buzëve

    Më djeg jodi e kripa e detit.

    Ndërsa Agolli në poezinë: “Duke udhëtuar anës detit”, realizon të njëjtën figurë:

    “Era flokët m’i krip me kripën e shkrirë,

    Jodi i padukshëm m’i lyen buzët e plasura.

    “Drita”, Nr. 42. 15 tetor 1972, f. 8.

    11. Analogjitë politike dhe autoironia

    Në të vërtetë autori është shërbyer nga analogjitë për t’iu drejtuar, institucioneve që kufizonin lirinë në një nga komponentët atë poetik e të artit në përgjithësi, shkrimtarët arritën ta rroknin mesazhin e poetit duke e qarkulluar mes tyre librin me mesazhet e fshehura por edhe të guximshme përmes analogjive.

    Titulli i përmbledhjes “Më jepni një emër” iu dha emri damkë: ‘libër hermetik’ si përgjigje ndaj pyetjes retorike të teatrit të absurdit të Fatos Arapit. Tirazhi prej 6 000 kopjesh u hoq nga qarkullimi, u kthye në karton në vitin 1973, pas pleniumit të K.Q. të qershorit 1973 dhe të pleniumit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve më 24-25 korrik 1973. Gjithsesi me librin “Më jepni një emër”, përfundon epoka e poemave të mëdha si “Caduto per la patria”, poemë totale e meditimit post konfliktual botëror të autorëve të viteve ’60 me të cilët dialogonte Arapi. Këta autorë përveç Arapit mbetën në udhëkryq t’u përshtateshin ekzigjencave të reja artistike apo të kalonin në rezyme pasojat e konfliktit të përthyer në jehona epike të kontaminuar nga propaganda e gjithëkundshme e sistemeve politike të kthyer në betejë midis “perdes së hekurt” të reflektuar ndër poezitë e kësaj periudhe.

    Në këtë dilemë të përcaktimit të motiveve erdhën edhe Viktor Qurku e Frederik Reshpja por pezullia e lirikës për rreth tre dekada merr udhën e duhur me lirikat e Fatos Arapit dhe hermetistëve të tjerë që e kthyen poezinë në shtratin e vet këngëtor por edhe të meditimit humanist madje deri tek ai antropomorfist si poezitë e Zeqos, Xhevahir Spahiut dhe Roland Gjozës.

    Gjoza aplikoi motivet mistike arbëreshe mjete të shfrytëzuara edhe nga Agolli në intertekstet e tij me Gjozën.

    Poezia e Arapit si poezi tipike e hermetizmit europian interesohej për temat e mëdha humaniste e iu kundërvu pllakatizmit e tambureve madje duke kundërshtuar edhe përvojën e tij përuruese në poezitë e tij që reflektuan tek pema “Caduto per la patria” poemë introduktive e librit “Më jepni një emër”.

    Këtë poemë poeti e vendosi në ballë të librit më të njohur të viteve ’70 duke përmbyllur përvojën e këtyre poemave me një rezultante ambige të një fitoreje pa trofe, të një analogjie universale të fitoreve relative njerëzore për t’i ricikluar në një humbje edhe më të madhe në atë të zëvendësimit të diktaturave, nga retorika fashiste në atë komuniste.

    Reflekse të këtyre dilemave siç e përmendëm janë shënuar në këtë libër por edhe në cikle të tjerë të këtij autori të botuar në revistën nëntori 1974.

    Poezia e Fatos Arapit iu largua provincializmit, pllakatizmit dhe emfazës në lirikat e tij, të cilat marrin një formë tepër plastike nga një varg meditativ, kompozuar më së shumti me koncepte sesa me rima, asonanca apo ritme, falë aplikimit të fjalëve kyç me ngjyrim lokal si:

    “Pikojnë ullinjtë ndër varre”, naforë kungimi, “lulebeçkë”, “kaktusët e kuq”, “sy të bajamtë”, “aromë lulelimoni”, ovulla e jetës apo të letërsisë moderne si: “fushat e detit”, “profil oriental”, “mendim turk”, “dashuri pasagjere”, “flirtimi me plagët”, “muzgje harrimi”, “avalanzh’ poetik”, “apathi otomane”, eci nëpër veten time, “inspirime të vdekura”

    ku vargjet nuk ngurtësohen nga metrika e ngulitur ose folklorizmi.

    Përsa i përket tematikës, Fatos Arapi ndonëse nuk largohet tërësisht nga klishetë e luftës ashtu si edhe Viktor Qurku në librin “”Stinë pas stine” (1970) , apo të bestytnive, të theksimit të laicizmit që te Frederik Reshpja do të shkonte deri në “paganizëm”, Arapi rifunksionalizon termat biblike larg përdorimit sarkastik të kohës. Figuracioni i porporcionuar me dialogun dhe me vargun muzikal e të dendur me shenjime, i jep poezisë së Arapit veti të poezisë hermetike dhe me shpërfaqjen e një “uni” deri narcizist si te poezia “Duke shkelur mbi gjelbërimin e ditëve” ku strofat hapen, mbyllen apo përshkohen nga emri Fatos, në një autoironi:

    “Dola jashtë Fatosit

    Tungjatjeta Fatos

    Po më dhimsesh Fatos

    Ëndërronjësi, Fatos

    Ç’po më thua Fatos

    Ti ndale i heshtur Fatos

    Nëpër trupin tënd Fatos” 21)

    Sidomos analogjia sarkastike e përshëndetjes: “Tungjatjeta Fatos”, duke dialoguar me krijimet e mëparshme, parodizon vargun e propaganduar: “Tungjatjeta republikë”, si pozicion i tij kritik ndaj emfazës, pozave e pompozitetit.

    —–

    Shënime

    1) Horaci (Quintus Horatius Flacus): “Mbi artin poetik”, në “Satira dhe epistula” përk. Mark Ndoja, Tiranë 2005, f. 87.

    2) Arapi, Fatos: “Me se ushqehen këngët”, poetit A.T., “Drita” Nr. 17, 23 prill 1972, f. 9.

    3) “Ja ç‘thotë, p.sh. Fatos Arapi në vjershat e tij të botuara nga N.SH. Botimeve “Naim Frashëri”:

    Shkoj nëpër rrugë të porsa çelura

    Dhe fishkëllej ndër buzë tani

    Këngët e mia që askush nuk i njeh…

    D.m.th. ai është futur në “rrugë të porsa çelura” por që as këto rrugë të tija dhe as mejtimet e tija s’i njeh kush, si njeh populli. Pse? Sepse ato janë të huaja për popullin.

    Dhe më poshtë, ai konkludon:

    Lumturi tjetër

    Botës i duhet! Dhe më e drejtë

    Dhe më njerëzore…”

    D.m.th. sipas tij, tek ne s’ka lumturi sepse s’ka drejtësi, s’ka ndjenja njerëzore.

    Ose, në një tjetër vjershë:

    Un’ erdha të kuptoj

    Që jeta është e bukur, e madhe sa shpesh herë,

    Në madhështinë e saj gëzim e frikë ndjejmë

    d.m.th, se ai ndjen gëzim por ndjen dhe shumë frikë në shoqërinë tonë. Pse të kesh frikë në qoftë se s’e ndjen vehten fajtor? Ose nga kush ke frikë? Frikë nga armiqt e atdheut? Atëhere s’je poet poet por je frikacak. Frikë nga diktatura e proletariatit? Ahere e ndjen veten fajtor para saj.

    Ky është një poet i ri që ka bërë edhe ndonjë vjershë të mirë. Por me këto vargje që cituam, dhe me shumë të tjera si këto, ai paraqet pikëpamjet politike të tij nëpërmjet fragmenteve të ndryshme, të mbira nëpër vargjet e tij si bari i keq në kopsht, ja seç thotë ai vetë në një vjershë të pabotuar:

    Unë s’ju kuptoj dot që të gjithëve

    Ju s’më kuptoni dot të gjithë.

    Po… qoftë një grimcë

    Prej meje në kapët, –

    Ahere më kapët ju tërësisht.

    Unë jam i tëri

    nëpër fragmente.

    Ka nëpër botë plot të pangrënë

    Ecin mbi tokë barkuritur.

    A nuk kemi të drejtë të mejtojmë se ky poet nuk pajtohet plotësisht me botëkuptimin dhe me realitetin e jetës sonë?….” Shehu, Mehmet: “Raport mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”., Pleniumi XV i K.Q. i P.P.SH., 25-26 tetor 1965. A.Q.SH. F. 14 f. 112-113.*

    4) Arapi, Fatos: “Më lodhi avalansh’ e figurave poetike”, “Drita” Nr. 17, 23 prill 1972, f. 9.

    5) Në “Më jepni një emër”, Sh.B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1972, f. 43.

    6) “Me se ushqehen këngët” Poetit A., në op. cit. f. 23.

    7) Arapi, Fatos: “Tek unë” T. në op. cit. f. 26.

    -8) Arapi, Fatos: “Është një lojë” N. në op. cit. f. 28.

    9) Montale, Eugenio: “Vecchi versi”, në “Poesie” Eugenio Montale, “Fabbri editori”, Milano, 1999, f. 133: “depërtoi flutura, tek abazhuri/ mbërriti dhe vargjet qelqi, që e rrethonin

    linin ndër mure pasqyrime hijesh…”

    10) Poradeci, Lasgush: “Vallja e yjve”, në “Ylli i zemrës”, Bukuresht, 1937, f. 94.

    11) Arapi, Fatos: “Është një lojë”, log. cit. f. 29.

    12) Arapi, Fatos: * * * “T.”, në op. cit., f. 31.

    13) Arapi, Fatos: “Lamtumirë N.”, në op. cit., f. 34.

    14) Arapi, Fatos: “Atë e thirrën zërat e shekujve” poemë A., në op. cit. f. 47.

    15) Idem f. 48.

    16) Arapi, Fatos: në op. cit. f. 76-77.

    17) “Kangët e pakëndueme”, Migjeni, “Vepra”, Naim Frashëri, Tiranë, 1957, f. 65.

    18) Arapi, Fatos: në op. cit. f. 95.

    19) Arapi, Fatos: në op. cit. f. 111.

    20) Arapi, Fatos: në op. cit. f. 114.

    21) Arapi, Fatos: në op. cit. f. 97-110.

    * AQSH, F. 14, Pleniumi XV i KQ.

    (Analiza e marr nga libri “Hermetizmi në letërsinë shqipe” i studiuesit Leka Ndoja)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark