×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Menaxhimi i dobët nga Policia në protestën e PSD-së, IPK ndërmerr veprime

    Insajderi
    13 December 2023 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet preliminare ndaj disa prej zyrtarëve policorë që po e menaxhonin situatën në protestën e PSD-së kundër Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, të mërkurën e 29 nëntorit.

    Kështu konfirmoi për Insajderin zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka derisa shtoi se janë duke punuar në këtë aspekt.

    Hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare (ex officio) kanë filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale“.

    Beka përmendi se hetimi ka nisur pas reagimit publik që kishin bërë vet gazetarët.

    “Lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asosiacionit të Gazetarëve të Kosovës“.

    Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e hetimit paraprak kurse veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit dhe autorizimeve ligjore të IPK-së“, tha Beka.

    Me 29 nëntor, PSD ka protestuar duke përdorur edhe mjete tymuese kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë.

    Theksojmë se në këtë protestë, Policia e Kosovës kishte përdorur sprej edhe kundrejt gazetarëve, duke i lënduar disa prej tyre. Njëri nga gazetarët ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

    Pas përfundimit të protestës, AGK reagoi duke deklaruar se policia pengoi edhe punën e gazetarëve.

    Në njoftim thuhet se gjatë protestës disa gazetarë u lënduan.“Nga ky veprim i policisë, kanë pësuar kolegët Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë”, thuhej në njoftimin e AGK-së.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark