×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja me PDK-në për ambasador, Dedaj pyetet se a ndikoi kjo në ndryshimin e dëshmisë së tij

    Insajderi
    08 November 2023 - 15:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dëshmitari Gjergj Dedaj, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës të mërkurën, tha se pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, i erdhi në saje të një marrëveshjeje parazgjedhore që kishte pasur me Partinë Demokratike të Kosovës në fund të vitit 2018.

    “Në fund të vitit 2018, në saje të një marrëveshjeje parazgjedhore, të nënshkrume me Partinë Demokratike të Kosovës jam emëru ambasador i jashtëzakonshëm, fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë, në Shkup”, tha Dedaj.

    Dedaj tha se këtë marrëveshje e ka nënshkruar me Kadri Veselin dhe se me PDK-në janë në koalicion që nga viti 2007.

    “Të qenurit liberal në Kosovë, miqtë e mi amerikan ma kanë thanë se është sakrificë, mirëpo unë e kam bërë për qëllime të caktume të cilat i kam thënë disa herë, nuk po du me folë tash për parti politike. Në pamundësi për me fitu ulëse në Kuvendin e Kosovës se në krejt Ballkanin, partitë liberale kanë probleme, atëherë kam bërë koalicion. Që nga vitit 2007 jam në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës edhe deri sa të jem gjallë do të jem votues i saj”, tha Dedaj.

    Sipas tij, në atë marrëveshje është specifikuar postet që do mund t’i ketë.

    “Në këtë marrëveshje e kemi specifiku, do të kemi naj zëvendësministër, naj këshilltar ose mbase një ambasador. E kam nënshkru me të nderumin kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin”, tha Dedaj.

    Avokati i Thaçit, Luka Misetiq e pyeti nëse marrëveshja përfshinte ndryshimin e dëshmisë së tij të dhënë për EULEX-in, kurse Dedaj tha se nuk lidhet me pjesën për të cilën po flasin.

    “Kryeministër me m’pas ba, President me m’pas ba edhe President të Evropës me m’pas ba, kjo nuk lidhet me këtë pjesën për të cilën jemi këtu”, tha Dedaj.

    Tutje, Dedaj u pyet për një person me emrin Zymber Zymberi, për të cilin tha se e njeh.

    “Ka punu në sigurimin e përparshëm serb të policisë përpara, domethënë para luftës në vitet e ‘80-‘90-ta. Thuajse e njohin të gjithë në Kosovë. Është njeri i gjatë, nuk ka njeri ma të gjatë gati në Kosovë”, tha Dedaj.

    Kurse, për personin me emrin Zoran Stioviq, tha se e ai e kishte arrestuar.

    “Më ka arrestu. Nashta kur jam kthy prej një demonstrate në Bon të Gjermanisë, kam folë në demonstratë në Bon, para lufte dhe posa jam kthy në Prishtinë më ka arrestu dhe më ka marrë në pyetje me armë në tavolinë, ka nxjerrë revolen në tavolinë. Aty kam bërë kërkesë, mos me prek me dorë, vrajëm me dorë mos gabo me m’prek”, tha Dedaj.

    Me këtë, avokati Luka Misetiq mbaroi pyetjet për Gjergj Dedajn, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit nuk kishte pyetje.

    Ndërsa, pyetjet për dëshmitarin ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Eric Tully.

    Avokati Tully tha se pyetjet për dëshmitarin Dedaj do të mbarojnë brenda një seance për një periudhë kohore prej 1 orë e gjysmë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark