×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Marrëveshja për kredi prej 50 milionë euro – Hoti kritikon ashpër qeverinë

    Insajderi
    15 July 2022 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputet i LDK-së njëherit profesori i ekonomisë , Avdullah Hoti i ka reaguar sërish Qeverisë Kurti lidhur me menaxhimin e krizës ekonomike.

    Hoti ka shkruar në Facebook se inflacioni (rritja e çmimeve) ka rritur të hyrat buxhetore ndërsa qeveria po merr kredi për të rritur bilancin e saj bankar. Marrëveshjen për kredi ai e cilëson paradoksale.

    “paradoksale është marrëveshja për kredi në shumë prej rreth 50 milionë euro, që Qeveria e ka sjellë për ratifikim në Kuvend para tri dite”, deklaroi ai.

    Sipas tij “mungesa e shpenzimeve për investime kapitale është duke shkaktuar efekte negative zinxhirore në ekonomi”.

    Reagimi i plotë:

    INFLACIONI I KA RRITUR TË HYRAT BUXHETORE, E QEVERIA MERR KREDI PËR TË RRITUR BILANCIN E SAJ BANKAR!!!

    1. ÇMIMET janë rritur mesatarisht me 14%, ndërkaq vetëm për mallrat nga importi me 24%, duke ulur menjëherë fuqisë blerëse. E vetmja masë e ndërmarrë për të zbutur krizën është kufizimi i çmimit të naftës. Sikur kjo masë të përcillej me heqje të përkohshme të akcizës dhe përgjysmim të TVSH-së në naftë, siç ka propozuar LDK-ja, çmimi i naftës sot do të ishte rreth 1.30 euro për litër. Vetëm kështu kjo masë do të zbuste barrën për qytetarët. Masë tjetër që mungon është rritja e listës së mallrave me TVSH të përgjysmuar prej 8%, siç e parasheh ligji në fuqi për TVSH.
    2. TË HYRAT BUXHETORE janë rritur dukshëm kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve, në veçanti të çmimeve të mallrave nga importi. Nisur nga fakti se rreth 2/3 e buxhetit mblidhet në kufi, atëherë është e qartë se nga ka ardhur rritja e të hyrave buxhetore. Prandaj, është paradoksale që Qeveria të krenohet me rritje të të hyrave buxhetore.
    3. PARADOKSALE është marrëveshja për kredi në shumë prej rreth 50 milionë euro, që Qeveria e ka sjellë për ratifikim në Kuvend para tri dite. Kjo kredi, e cila ka për qëllim përmirësimin e bilancit bankar të qeverisë, nuk ka asnjë kuptim në një situatë kur të hyrat buxhetore janë rritur dhe është përmirësuar dukshëm bilanci bankar i qeverisë. Kjo kredi do të kishte kuptim vetëm nëse do të ishte për ndonjë rrugë apo hekurudhë, për ujitje të tokave, për impiante apo projekte të tjera kapitale, që e përmirësojnë jetën e qytetarëve në afat të gjatë dhe që rrjedhimisht paguhet në afat të gjatë nga ata që e shfrytëzojnë atë të mirë publike që ndërtohet me këtë kredi. Atë çfarë duhet të bëjë qeveria është të sjellë në Kuvend e rishikimin e buxhetit. Komunat janë bllokuar në investimet kapitale dhe kanë nevojë urgjente për mbështetje. Mungesa e shpenzimeve për investime kapitale është duke shkaktuar efekte negative zinxhirore në ekonomi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark