×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Marrëveshja përfundimtare – “adhurimi” i Albin Kurtit ndaj Gjermanisë dhe Francës që mund t’i kthehet boomerang

    Insajderi
    27 April 2021 - 15:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kosova dhe Serbia pritet t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës, thuhet në një dokument që besohet të jetë një Non-Paper.

    Ky dokument i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, thuhet të jetë si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale.

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe ajo e Francës, kanë thënë se dokumenti nuk ka rrjedhur nga ata, dhe se nuk është prodhim i tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

    Megjithatë, diskutimi për marrëveshjen finale ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij serb – ku përfshihen Gjermania dhe Franca e ka gjenezën shumë më herët.

    Në prill të 2020-ës, presidenti francez, Emmanuel Macron, e kishte telefonuar Albin Kurtin, atë kohë kryeministër në detyrë, dhe kishin biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

    Macron dhe Kurti ishin dakorduar se duhet të kishte pjesëmarrje të vërtetë të palëve në dialogun ndërmjet dy shteteve fqinje.

    Madje presidenti francez pati premtuar se shteti i tij do të ndikojë në lehtësimin e dialogut.

    Kurti gjatë bisedës telefonike nënvizoi faktin se efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës.

    “Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër, dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, pati thënë Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pavarësisht besimit të Kurtit në politikën europiane, duke mos e përfshirë edhe atë amerikane, Gjermania dhe Franca duket se e kanë menduar një plan tjetër për Kosovën.

    Në dokumentin jozyrtar të cilin e kanë publikuar mediat përveç idesë se krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosovës po i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

    Në këtë letër, theksohet se veriu i vendit duhet të jetë një Rajon Autonom dhe po ashtu në këtë letër theksohet edhe krijimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

    “Ky Non-Paper paraqet një nismë të përbashkët gjermano-franceze për të rinisur Dialogun për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, z. Josep Borell, dhe z. Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, me mbështetjen e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, theksohet në fillim të kësaj letre.

    Tutje në letër theksohet se: “Presidenti Aleksandër Vuçiq, i cili përfaqëson Beogradin dhe Kryeministri Albin Kurti, i cili përfaqëson Prishtinën, do të udhëheqin diskutimet mbi finalizimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve midis të dy palëve. Ky proces duhet të përfundojë para fundit të shkurtit 2022. Procesi duhet të bazohet në elementet kryesore të marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës me qëllim që të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve duke respektuar Kartën e Parisit dhe Aktin Final të Helsinkit si dhe parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës të vitit 2005 dhe sigurimin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë Dialogut të Brukselit”.

    Në këtë letër po ashtu theksohet se: “Arritja e një marrëveshjeje të tillë midis palëve është e një rëndësie strategjike për Bashkimin Evropian. Palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme duhet të sigurojë krijimin e një marrëdhënie të re në Kosovë dhe në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Palët do ta respektojnë njëra-tjetrën si Shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta brenda kufijve/vijave kufitare të tyre ndërkombëtarë. Secila Palë do të respektojë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Palës tjetër. Palët konfirmojnë se do të kryejnë rregullimin e kufijve të tyre dhe demarkacionin vetëm përmes marrëveshjes së përbashkët, se do të zgjidhin mospajtimet me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i dhunës në përputhje me frymën evropiane të zgjidhjes së mospajtimeve përmes dialogut”.

    Në këtë letër në të cilën kërkohet krijimi i Asociacionit të Komunave më shumicë serbe, po ashtu përmendet edhe një status autonom i katër komunave në veri të Kosovës.

    Në letër theksohet që palët do të duhej të pajtoheshin edhe për vendosjen e një “distrikti autonom të Kosovës veriore” si një “njësi e veçante administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, e cila do të kishte të drejtë të rregullonte legjislacionin në baza rajonale në fushat e ekonomisë, financave, pronësisë së infrastrukturës, kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, gjyqësorit, shërbimit policor, zhvillimit urban dhe bashkëpunimit evropian, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisjen lokale”.

    “Distrikti Autonom i Kosovës së Veriut do të përfshijë territorin e qyteteve të Zveçanit dhe 35 fshatra të tij, Leposaviq dhe 72 fshatrat e tij, Mitrovicën e Veriut dhe zonën kadastrale të qytetit të Zubin Potokut dhe 63 fshatrat e tij. Distrikti Autonom i Kosovës së Veriut do ta ketë Guvernatorin e tij i cili do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Kuvendin që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë një organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë dhe Bashkimi Evropian”, thuhet në Non-Paper.

    Kryeministri Albin Kurti do të udhëtoj sot për në Bruksel për t’u takuar me krerë të Bashkimit Evropian. Një ditë para se të nisej për në Bruksel, në opinion ka rrjedhur një letër e gjatë në të cilët flitet për një propozim për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila mund të diskutohet sot./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark