Kryeministri Albin Kurti, si duket, tashmë ka një “konkurrent” sa i përket gjendjes së kursimeve. Kurti, i cili kishte deklaruar si para të gatshme në emër të tij 16.41 centë, është tejkaluar nga Martin Berishaj. Ambasadori i Kosovës në Kroaci ka deklaruar zero euro kursime.
Berishaj, i përfolur shumë për afera korruptive në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe Kosovë, në deklarimin vjetor të pasurisë ka përmendur si para të gatshme vetëm kursimet e bashkëshortes së tij, në vlerë prej 10 mijë eurosh.

Berishaj i ka deklaruar pasuri të paluajtshme një banesë të cilën e ka blerë në vitin 2001 në shumën prej 180 mijë me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare.
Ai ka një shtëpi të trashëguar nga prindërit në vlerë të 72 mijë eurove, një banesë të blerë me kursime në vlerë të 50 mijë eurove dhe një tokë të trashëguar poashtu nga prindërit në vlerë të 80 mijë eurove.

Gjithashtu, ai ka deklaruar 48 mijë e 500 euro të ardhura nga paga.
Skandali i milionave nga Serbia
Ambasadori ishte bërë lajm ndërkombëtar si i përfshirë në një skandal financiar të zbuluar në Slloveni, ku me ndihmën e tij, kandidati për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob, dyshohet se ka kryer shpëlarje parash.
Sipas televizionit Planet TV, ai ishte pjesë e një skeme ku para të dërguara nga një kompani serbe, degë e një kompanie energjetike ballkanike, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, “MB Consulting”, në pronësi të tij, dhe më pas te politikani slloven, Robert Golob.
Gazeta Insajderi kishte publikuar komplet transaksionet bankare dhe ka zbuluar se kompania GEN gjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të Martin Berisha.
Martin Berishaj, vazhdon të qëndrojë në pozitën e ambasadorit në Kroaci pavarësisht skandalit të madh financiar me kompaninë GEN.
Vet Berishaj i kishte mohuar akuzat, e madje kishte paralajmëruar edhe padi.
Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, dyshohet edhe nga Prokuroria Speciale për shpërlarje parash.
Për këtë ai ishte intervistuar vitin e kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Madje, ndaj Berishajt, në shkurt të vitit 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se kishte filluar hetimet pas raportimeve për përfshirjen e tij në këtë rast.