×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Mashtroi Standard Bank, BKT’në e Bankën Ekonomike, Apeli vërteton dënimin ndaj biznesmenit Jeton Sadiku

    Insajderi
    12 March 2023 - 21:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin dënues, me të cilin biznesmeni me shtetësi angleze Jeton Sadiku u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për dy pika të aktakuzës për veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” dhe u dënua me dy vite burgim.

    Apeli ka vërtetuar refuzimin e akuzës ndaj A.J. për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, lirimin nga akuza të të njëjtit për “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve”, si dhe lirimin nga akuza të N.K. dhe I.Z., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Vendimi i Apelit me të cilin u vërtetua aktgjykimi i Themelores, është marrë më 4 nëntor 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi tre pjesësh (dënues, refuzues dhe lirues) ndaj J.S., A.J., N.K. dhe I.Z., është shpallur nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 18 mars 2022.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, brenda afatit ligjor kundër aktgjykimit të Themelores kishte paraqitur ankesë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që Gjykata e Apelit ta anulojë aktgjykimin në pikën 5, 6 dhe 7, si dhe të ndryshohet në pjesën e vendimit mbi sanksionin penal, në pikën 2 dhe 3.

    Brenda afatit ligjor, ankesë kundër aktgjykimit të Themelores kishte paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit J.S., avokati Basri Jupolli për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që ankesa të aprovohet dhe aktgjykimi të ndryshohet, ashtu që i akuzuari të lirohet nga dënimi i shqiptuar.

    Ndryshe, përgjigje në ankesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kanë paraqitur të akuzuarit J.S., A.J. dhe I.K, duke propozuar që ankesa të refuzohet dhe aktgjykimi të vërtetohet.

    Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Pasi Gjykata e Apelit kishte mbajtur seancën e kolegjit, kishte shqyrtuar aktgjykimin e ankimuar, dhe pasi ka vlerësuar pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe mbrojtësve të të akuzuarve, së bashku me shkresat tjera të lëndës, ka gjetur se ankesat janë të pabazuara.

    Në pretendimet ankimore të Prokurorisë, është theksuar edhe deklarata e dëshmitarit Sh.J., i cili ka deklaruar se nuk i kujtohet se është përkthyer kërkesa “S…”, se përkthimi nuk është i kompanisë së tij e as vula dhe përmbajtja, dhe dallohet nga dokumenti i cili është përkthyer.

    “Të gjitha përkthimet e kryera nga kompania e tij, shënojnë datën e përkthimit, logon në pjesën anësore dhe shton se tek ai nuk është parashtruar asnjë kërkesë nga ana e “S…”. Thekson, se as nga i akuzuari A. nuk është parashtruar asnjë kërkesë, duke theksuar se vëllai i tij i ka thënë se e ka njohur të akuzuarin, i cili është interesuar për një dokument dhe ka kërkuar që ai ta nënshkruajë dhe vulosë pa tekst, sepse ka të bëjë me një sekret të biznesit, por nuk i kujtohet që është dërguar ndonjë kërkesë dhe nuk i kujtohet nëse vëllai ka aprovuar asi lloj përkthimi. Vëllai i tij, nuk punon në përkthimin e dokumenteve, ndërsa procedura është e tillë që kërkesa duhet të parashtrohet”, thuhet në arsyetimin e ankesës së prokurorisë.

    Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se në këtë rast, Gjykata nuk ia ka falë besimin dhe nuk i ka dhënë rëndësi deklaratës së dëshmitarit, i cili ka vërtetuar se dokumenti nuk është origjinal, i vulosur tek ata, por është i vërtetë fakti se ky lloj i dokumentit është dorëzuar në Komunën e Vushtrrisë, në mënyrë që i akuzuari J. të lirohet nga hipoteka, duke shtuar se ky dokument, është dorëzuar në komunë andaj N.K. – drejtor i drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër dhe I.Z. – personi përgjegjës për sektorin e kadastrit pranë Komunës së Vushtrrisë e kanë liruar nga hipoteka të akuzuarin J. dhe në këtë mënyrë e kanë aprovuar marrjen e kredisë për të, dhe ai ka përfituar në këtë dobi materiale, kurse dy të akuzuarit tjerë me veprimet e tyre kanë keqpërdorë pozitën zyrtare apo autorizimin.

    Në arsyetimin e ankesës së Prokurorisë, thuhet se të gjitha këto fakte janë të rëndësishme dhe po të ishin vlerësuar drejt, të akuzuarit nuk do të duhej të liroheshin, sepse tek të pranishmit ka ekzistuar paramendimi dhe të gjithë kanë ndërmarrë veprime në mënyrë që i akuzuari J. të përfitojë dobi pasurore.

    Ndërsa, me rastin e vendosjes, mbi peshimin dhe lartësinë e dënimit, gjykata thuhet se nuk i ka vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese dhe rënduese, si dhe nuk ka marrë parasysh vërtetimin e faktit se tek të akuzuarit ka ekzistuar qëllimi i përvetësimit të përfitimit material, pasi sipas prokurorisë me një sanksion penal kaq të butë nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit.

    Ndryshe, në ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit J.S. avokati Basri Jupolli, në raport me pikën e dytë të aktgjykimit të ankimuar, theksohet se në kuptim të mashtrimit të kreditorëve, ligjvënësi ka paraparë që mashtrimi mund të ndodhë vetëm në një kohë të shkurtër pas ngjarjes, e jo kur shoqëria “Coresteel SH.P.K.”, pas mbi një viti të marrjes së mbitërheqjes nga “B..”, pasi ka rënë në vështirësi financiare të konsiderohet mashtrim, duke qenë se “B..” ka strukturë organizative dhe është e pamundur të mashtrohet si institucion, duke shtuar se mospagesa e kredisë, apo mbitërheqjes nuk paraqet vepër penale.

    “Nga ekspertiza financiare rezulton se nga pasqyra e llogarive bankare të “Coresteel Sh.P.K.” janë paguar vetëm pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e tjera rreth mbajtjes së fabrikës në vlerë mbi 1.2 milion euro që shumëfish kalon kredinë e marrë nga “B..” në nivel 250 mijë euro. Familja e të akuzuarit J.S., për blerjen e këtij aseti, funksionalizimin e ndërmarrjes, blerje të materialit prodhues ka shpenzuar miliona, andaj është normale për një subjekt për të rënë në vështirësi financiare sidomos kur ka mbajtur 437 punëtorë në punë. Përfaqësuesi i bankës “B..” ka deklaruar, se janë kompensuar në tërësi”, thuhet tutje në pretendimet e mbrojtjes.

    Tutje, mbrojtja konsideron se “B..” si rrjedhojë e marrjes së kësaj kredie nga “Coresteel SH.P.K.”, as nuk është riorganizuar e as nuk ka falimentuar, por është një bankë e qëndrueshme dhe e suksesshme duke afaruar me profite substanciale, duke shtuar se kryesorja në interpretimin e gabuar të gjykatës së shkallës së parë në lidhje me këtë pikë të akuzës është se shuma e supozuar e mashtrimit nuk e kalon 250 mijë euro.

    Lidhur me pikën e tretë të aktgjykimit të ankimuar, mbrojtja ka theksuar se mungon në tërësi mënyra e kryerjes së veprës penale nga i akuzuari J.S. dhe si rrjedhojë mungon kundërligjshmëria në tërësi, dhe si rrjedhojë mbrojtja konsideron se gjykata me rastin e vendosjes ka bërë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike duke mos i vërtetuar faktet plotësisht lidhur me këto dy pika të akuzës, dhe si rrjedhojë edhe gabimisht ka aplikuar dispozitat materiale juridike.

    Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota lidhur me faktet vendimtare dhe nuk ekziston asnjë kundërthënie në mes të dispozitivit të aktgjykimit dhe arsyeve të paraqitura në arsyetimin e saj, si në pjesën dënuese, liruese dhe refuzuese.

    Në vendimin e Apelit në raport me të akuzuarin J.S. si në pikën e dytë dhe të tretë të dispozitivit të aktgjykimit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, pasi i akuzuari J.S. ka qenë drejtor me autorizime të plota i kompanisë “Coresteel SH.P.K” , dhe i njëjti ka nënshkruar marrëveshjen për mbitërheqje si dhe marrëveshjen mbi pengun me bankën në fjalë, dhe se i njëjti ka qenë në dijeni për kushtet e marrëveshjeve të lartcekura si dhe obligimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje, konkretisht faktit se debitori ka qenë i obliguar që të ruajë në depozitën e tyre pengun në fjalë, si garancion për kreditorin në rastin e mospërmbushjes së marrëveshjes për mbitërheqje.

    “Mirëpo, i akuzuari S. nuk ka vepruar në përputhje me marrëveshjet e lartcekura dhe me këtë rast e ka vënë kreditorin në pozitë të atillë që e ka zvogëluar mundësinë e realizimit të kërkesave si dhe i ka shkaktuar dëm kreditorit mbi shumën 250 mijë euro. Për dallim nga i akuzuari, këtu kreditori “B..”, ka vepruar në përputhje me marrëveshjet e lartcekura të cilat i kanë lidhur me debitorin, kompaninë “Coresteel SH.P.K.” me të akuzuarin J.S. në cilësinë e drejtorit me autorizime të plota, ashtu që në rastin kur nuk i ka përmbushur obligimet kompania “Coresteel SH.P.K.” të njëjtit kanë vepruar për realizimin e kërkesës së tyre, ku sipas procedurës së përmbarimit kanë tentuar që të përmbarojnë pengun e lartcekur”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

    Sipas vendimit, edhe pse kreditori “B..”, ka vepruar sipas procedurës përmbarimore për përmbarimin e pengut, të njëjtit nuk kanë mundur që të realizojnë kërkesën e tyre për faktin se në rastin e procedurës së përmbarimit kanë hasur faktin se pengu nuk është gjetur i depozituar në depon e debitorit, konkretisht pengu është zhvendosur nga depoja e kompanisë “Coresteel SH.P.K.” me J.S. në cilësinë e drejtorit me autorizime të plota, ku sipas obligimit që ka rrjedhur nga marrëveshja mbi pengun, kanë qenë të obliguar që të njëjtin ta depozitojnë në depo.

    Kështu, sipas Apelit, fakti se është zhvendosur pengu, e që ka qenë obligim që të depozitohet në depot e kompanisë “Coresteel SH.P.K.” me J.S. në cilësinë e drejtorit me autorizime të plota, përbën veprim mashtrues nga ana e të akuzuarit J.S. duke pasur parasysh faktin se i njëjti ka nënshkruar marrëveshjet e lartcekura dhe se ka qenë në dijeni për kushtet e marrëveshjeve.

    Tutje, në vendim thuhet se kreditori është vënë në pozitën e atillë që i është pamundësuar realizimi i kërkesës së tyre që ka rrjedhur nga marrëveshjet e lartcekur ku me këtë rast i është shkaktuar dëm në shumën prej 274 mijë 588 euro 62 cent.

    “Se dëmi, i është shkaktuar kreditorit “B..”, vërtetohet edhe nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit EN.nr.02/2017 i datës 30 nëntor 2017, ku në pikën 1.3 të këtij vendimi theksohet se “APROVOHET pjesërisht si e bazuar kërkesa e kreditorit “B…” dhe pranohet kërkesa në lartësi prej 274 mijë 588 euro 62 cent. Duke u vënë në pozitën e tillë, e dëmtuara ka mundur ta realizojë kërkesën vetëm kur ka arritur procedura e falimentimit për kompaninë “Coresteel SH.P.K.” që vërtetohet edhe nga Fletëpagesa, po ashtu fakti se i akuzuari J.S. ka nënshkruar të gjitha marrëveshjet për kompaninë “Coresteel SH.P.K.”  në cilësinë e drejtorit me autorizime të plota”, thuhet tutje në vendimin e shkallës së dytë.

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar edhe pikën e tretë të dispozitivit të aktgjykimit të Themelores, ku janë dhënë arsye të mjaftueshme se i akuzuari J.S. ka kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve”.

    Në lidhje me këtë pikë, Apeli ka vërtetuar se qëndrojnë faktet e konstatuara në aktgjykimin e ankimuar, se është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet kompanisë së debitorit “Coresteel SH.P.K.” ku J.S. ka qenë në cilësinë e drejtorit me autorizime të plota, dhe kreditorit Bankës Ekonomike dhe atë Marrëveshja Kryesore për financimin e debitorit Kompanisë “Coresteel SHPK”, deri në shumë prej 480 mijë euro. Po ashtu ndërmjet palëve të lartcekura në vendim thuhet se është nënshkruar edhe Kontrata mbi hipotekën pranë noterit B.D, Marrëveshja mbi pengun, Marrëveshja kreditore për kredi në shumën prej 80 mijë euro, si dhe Marrëveshja Kreditore për Mbitërheqje në shumën prej 400 mijë euro.

    “Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka gjetur se i akuzuari S., ka qenë drejtor me autorizime të plota i kompanisë “Coresteel SH.P.K.”, dhe i njëjti ka nënshkruar marrëveshjet e lartcekura me “BA….”, ku për secilën marrëveshje ka qenë në dijeni për kushtet, obligimet dhe detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje. Konkretisht i akuzuari me dashje ka nënshkruar marrëveshjet e lartcekura me “BA….” duke ndërmarrë veprimin mashtrues dhe lidhur kontratat-marrëveshje të cilat e kanë vënë kreditorin në pozitë të atillë që e ka pamundësuar realizmin e kërkesave si në marrëveshjet e lartcekura, ashtu që i është shkaktuar dëm në shumën prej 496 mijë 434 euro 23 cent”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

    Pra, sipas vendimit të Apelit, në rastin konkret kreditori “BA….” për shkak të veprimeve mashtruese nga ana e të akuzuarit J.S., është vënë në pozitën e tillë ku i është pamundësuar realizimi i kërkesës së tyre si dhe i është shkaktuar dëm në cilësinë e kreditorit dhe kërkesën e saj ka munduar ta realizojë vetëm kur ka arritur procedura e likuidimit për kompaninë “Coresteel SH.P.K.” e që ky fakt se i është paguar dëmi palës së dëmtuar, “Banka Ekonomike”, vërtetohet edhe nga fletëpagesa.

    Sipas Gjykatës së Apelit, janë të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit J.S., se nuk kemi të bëjmë me vepër penale të mashtrimit, me pretendimin se janë paguar pagat e punëtorëve, apo se bankat nuk janë ndodhur në vështirësi financiare, por kanë deklaruar se u janë kryer pagesat e detyrimeve.

    “Kjo për faktin, se ashtu siç u elaborua më lartë, i akuzuari me veprimet e tij i ka mashtruar të dëmtuarat, në kohën për të cilën akuzohet. Ndërsa, fakti se më vonë janë paguar detyrimet, nuk e zhbën veprimin inkriminues, në kohën kur edhe e ka ndërmarrë”, thuhet tutje në vendimin e shkallës së dytë.

    Gjykata e Apelit konsideron se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të llojit të dënimit dhe matjes së lartësisë së dënimit për të akuzuarin J.S., ka vlerësuar drejt të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

    “Kjo Gjykatë pajtohet në tërësi me rrethanat e vlerësuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, dhe gjen se dënimi i shqiptuar të akuzuarit është në përputhje me peshën e veprave penale, me shkallën e përgjegjësisë penale të tij dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

    Në lidhje me pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit, ku gjykata e shkallës së parë ka gjetur se nuk është provuar se i akuzuari J.S. ka kryer veprën penale – Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve dhe se nuk ka pasur kreditor, konkretisht “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër nuk e ka pasur cilësinë e kreditorit në raport me “Coresteel SH.P.K.” me seli në Vushtrri në të cilën i akuzuari J.S. ka pasur cilësinë e drejtorit.

    “Po ashtu, nuk ekziston një kontratë origjinale mbi huanë e lidhur në mes “Coresteel SH.P.K.”  dhe “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër, e për më tepër duke u bazuar në faktin se “Standard Bank” (PCL) nuk ka pasur të drejtën ligjore që të operojë në Republikën e Kosovës për lëshimin e kredive komerciale”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Në këtë pikë, Apeli thotë se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka gjetur se mungon elementi i “mashtrimit të kreditorit” pasi subjekti “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër nuk e ka pasur cilësinë e kreditorit në raport me “Coresteel SH.P.K.” me seli në Vushtrri, e po ashtu mungon edhe elementi i “shkaktimit të dëmit”.

    Ndryshe, në lidhje me pjesën refuzuese të aktgjykimit, për pikën e pestë të dispozitivit të aktgjykimit, Apeli ka gjetur se Themelorja ka vendosur drejt, si dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të drejta në vendimin se akuza ndaj të akuzuarve J.S. dhe A.J. për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398, par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e cila vepër dyshohet se është kryer më 31 dhjetor 2012, është refuzuar.

    Në vendim, thuhet se duke marrë parasysh kohën e kryerjes së veprës penale dhe zbatimin e ligjit më të favorshëm, gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka rikualifikuar veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga Kodi Penal i vitit 2013, në Kodin e Përkohshëm Penal.

    Kështu, pas rikualifikimit të veprës penale, ka arritur parashkrimi absolut sipas nenit 90, par.1 lidhur me par.5, lidhur me nenin 91 par.6 të KPK-së.

    Tutje, në lidhje me pjesën liruese të aktgjykimit, ku A.J. akuzohej për veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” në bashkëkryerje me të akuzuarin J.S., Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë, edhe në raport me këtë pikë, ka vepruar drejt duke konstatuar se nuk është provuar se A.J. ka kryer veprën penale në fjalë.

    “Sipas përshkrimit faktik në pikën e dytë të dispozitivit të Aktakuzës si veprime inkriminuese të ndërmarra nga ana e të akuzuarit është “… A.J. ka qenë në dijeni për dëmtimin e kreditorit dhe shfrytëzimin e kolateralit të lënë peng dhe shitjen e kolateralit por nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim parandalues dhe me këtë ka kontribuar në kryerjen e veprës penale”, pra e gjithë çështja e ngritjes së Aktakuzës ndaj të akuzuarit A.J. për veprën penale si në pikën e dytë të dispozitivit të Aktakuzës ka qenë “dijenia e tij për dëmtimin e kreditorit “B…..” dhe mos ndërmarrja e ndonjë veprimi parandalues për mos shitjen e kolateralit” dhe si rezultat i kësaj ka kontribuar në kryerjen e veprës penale si në pikën e dytë të dispozitivit të Aktakuzës”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Por, sipas Apelit, përkundër se A.J. ka qenë i punësuar në kompaninë “Coresteel SH.P.K.”, në asnjërën nga marrëveshjet e lartëpërmendura, nuk figuron nënshkrimi i të akuzuarit A.J., madje as që përmendet ndokund në këto marrëveshje emri i tij.

    Kështu, në vendimin e Apelit thuhet se në këtë rast gjykata e shkallës së parë me të drejtë, ka dhënë arsyet e saj në raport me bashkëkryerjen dhe faktin se elementi i “dijenisë” nga i akuzuari A.J. për faktet e lartcekura, se është lidhur marrëveshja me bankën në fjalë, po ashtu se është shitur kolaterali, nuk hynë në kuadër të elementeve të bashkëkryerjes nga neni 31 i KPRK-së dhe nuk mund të qëndrojë si veprim inkriminues.

    Përfundimisht, Gjykata e Apelit ka gjetur se edhe në raport me pjesën tjetër liruese të aktgjykimit, pikën e shtatë të dispozitivit të tij, Themelorja ka vendosur drejtë duke i liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të akuzuarit N.K. dhe I.Z.

    “Nuk është kontestues fakti, se të akuzuarit kanë bërë regjistrimin dhe shuarjen e hipotekës në raport me kreditorin “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër si dhe debitorin, kompaninë “Coresteel SH.P.K.” me drejtor me autorizime të plota të akuzuarin J.S. Pra, të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet në kuadër të kompetencave të tyre me rastin e regjistrimit dhe shuarjes së hipotekës për hipotekat e theksuara si në përshkrimin faktik, e po ashtu se këto veprime (regjistrimi dhe shuarja e hipotekave) kanë qenë në kuadër të autorizimeve të tyre në përputhje me detyrat, kompetencat – autorizimet e drejtorit të drejtorisë dhe përgjegjësit të sektorit”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën ndaj J.S, A.J, N.K dhe I.Z, e kishte ngritur më 30 korrik 2015, e cila më pas ishte konfirmuar dhe procesi gjyqësor kishte filluar qysh në mars të vitit 2016.

    Ndryshe, sipas aktakuzës, J.S, si pronar i kompanisë “Coresteel SHPK” dhe “Coresteel DMCC”, ka mashtruar dhe i ka shkaktuar dëm kreditorit “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër- Britani e Madhe, duke lidhur disa marrëveshje ashtu që gjerë më 25 shtator 2014 kreditorit “Standard Bank” nuk i është paguar sipas marrëveshjes shuma totale prej 26.156.060,26 euro.

    Me këto veprime, J.S, akuzohej për veprën penale “mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.

    Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, prokuroria akuzonte J.S, se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Coresteel” dhe A.J, si zyrtar ligjor dhe agjent i regjistruar në këtë kompani, në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë mashtruar dhe i kanë shkaktuar dëm kreditorit “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT).

    Siç thuhet në aktakuzë, J. dhe R.S, më 18 prill 2013 kanë lidhë marrëveshje për mbitërheqje dhe mbi pengun me BKT në vlerë prej 250 mijë euro dhe janë obliguar se minimumi i pengut që duhet të ruhej sipas kërkesës së kreditorit ka qenë 500 mijë euro dhe janë vonuar në kthimin e mbitërheqjes në shumë prej 250 mijë euro përfshirë këtu edhe kamatat, kurse kanë shfrytëzuar kolateralin e lënë peng-zink Ajax Bath: 157,860 700 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 268 mijë euro, Ëarehouse Stock 178,018 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 302 mijë euro, metal 99.99% ZN MIN, Lme Brend i regjistruar, tarifa e kodit 79011100 me vlerë të tregut 570 mijë euro.

    Ndërsa, D.H dhe A.J, sipas aktakuzës kanë qenë në dijeni për dëmtimin e kreditorit dhe shfrytëzimin e kolateralit të lënë peng dhe shitjen e tij, por që nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim parandalues dhe me këtë kanë kontribuar në kryerje të veprës penale.

    Me këtë, J.S dhe A.J, akuzoheshin se në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I të dispozitivit.

    J.S, akuzohej se më 16 shkurt 2014, në cilësinë e drejtorit të kompanisë së lartcekur ka lidhë marrëveshje mbi huan dhe mbi pengun me “Bankën Ekonomike” në cilësinë e huadhënësit në shumë prej 480,000.00 euro, ndërsa D.H, si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Coresteel SHPK” ka qenë garantues i kësaj marrëveshje dhe që të dy e kanë ditur se parcelat që janë lënë hipotekë nuk janë liruar nga hipoteka, me ç’rast është realizuar kredia në shumën prej 480 mijë euro dhe të dëmtuarës nuk i janë paguar obligimet sipas marrëveshjes.

    Me këtë, J.S, akuzohej se në bashkëkryerje me D.H, ka kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I dhe II të aktakuzës.

    Tutje, prokuroria i ngarkonte J.S dhe A.J se më 31 dhjetor 2012, J.S, kishte përpiluar një dokument të falsifikuar në lidhje me regjistrin që ruhet në bazë të ligjit-autorizimin dhe kërkesën për çregjistrimin të hipotekës në emër të “Standard Bank” drejtuar Komunës në Vushtrri-Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Zyra Kadastrale Komunale në Vushtrri, se J.S si huamarrës ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet me kreditorin, siç theksohet në pikën I të dispozitivit, edhe pse nuk është paguar shuma totale prej 26.156.060,26 euro.

    Ndërsa, A.J, akuzohej se me dije i ka përdorur ato dhe me T.M.A ka shkuar në Komunën e Vushtrrisë, pastaj dokumentet e falsifikuara janë prezantuar në Zyrën Kadastrale e cila më pas ka nxjerrë vendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, të datës 10 janar 2013.

    Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e i akuzuari J.S në bashkim real me veprën penale nën pikën I, II e III të dispozitivit.

    Ndërsa, dy të pandehurit tjerë, N.K dhe I.Z, akuzoheshin se si zyrtarë për gjeodezi dhe kadastër në Komunën e Vushtrrisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të përfitojë dobi i pandehuri J.S. Aty thuhet se N.K, si drejtori për gjeodezi dhe kadastër, ndërsa I.Z, si përgjegjës i sektorit në kadastër, edhe pse kanë qenë të obliguar sipas ligjit që të kontrollojnë dhe verifikojë dokumentet e nevojshme se a plotësohen kushtet për lirim të hipotekës së kredimarrësit “Coresteel SHPK” me pronar J.S, a i ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj kredidhënësit “Standard Bank PLC” në Londër, ketë nuk e kanë bërë. Aty thuhet se të njëjtit kanë nënshkruar aktvendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, pa i përmbushur obligimet kredimarrësi.

    Prokuroria i ngarkonte ata se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 e lidhur me nenin 31. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark