×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Mbi 2 milionë euro investime – Zona Ekonomike e Lipjanit që solli në ‘dritë’ vetëm bërrllogun

    Insajderi
    22 September 2023 - 16:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    U themelua në vitin 2016, por në Zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit nuk gjendet asnjë biznes edhe pas 8 vitesh. Madje, ajo zonë është mbushur me mbeturina e mbetje inerte. Opozita thotë se ky projekt u planifikua keq. Ndërsa nga pushteti lokal tregojnë se vetëm një biznes është pajisur me kushte ndërtimore deri tani.

    Gazeta Insajderi

    Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka kritikuar pushtetin e Imri Ahmetit për planifikim të keq dhe realizimin e projekteve vetëm për qëllime elektorale.

    Sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Valenton Amerllahi tha për Gazetën Insajderi se në këtë zonë janë investuar mbi 2 milionë euro dhe se ky projekt po del të jetë i dështuar.

    Siç po e shihni edhe nga pamjet, rrethina aty veçse ka filluar të degradohet dhe nuk ka interesim të bizneseve për të investuar aty. Ka pasur thirrje të njëpasnjëshme nga Komuna, por që interesimi i bizneseve ka munguar. Ne konsiderojmë që problemi kryesor qëndron në planifikimin e keq dhe realizimin e projekteve vetëm për qëllime elektorale“, u shpreh Amerllahi.

    Ai tha se zyrtarët e LDK’së nuk kanë bërë vlerësim paraprak të fizibilitetit dhe nuk kanë zgjedhur lokacionin adekuat.

    Nuk ka vlerësim paraprak të fizibilitetit e qëndrueshëmirë, vlerësim për përzgjedhjen e lokacionit adekuat nga Komuna e Lipjanit për ta themeluar si Zonë Ekonomike, ashtu siç janë edhe shumë projekte të tjera të Komunës, të pa menduara mirë. Dikush duhet të jap përgjegjësi për miliona euro të shkuara dëmë“, deklaroi sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje për Insajderin.

    Ndërsa, drejtori për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Lipjanit, Valon Pacolli ka thënë se janë nënshkruar kontratat me tre përfituesit e parë të përzgjedhur për të ushtruar veprimtari ekonomike në këtë zonë. Ndërsa, vetëm një biznes është pajisur me kushtet ndërtimore.

    Në vitin 2022 janë proceduar 7 prona për dhënie në shfrytëzim në kuadër të kësaj zone ekonomike duke u bazuar në Ligjin për zonat ekonomike. Në pjesën e parë të vitit 2023 janë nënshkruar kontratat e para me tre përfituesit e parë të përzgjedhur për ushtrimin e veprimtarisë së tyre brenda kësaj zone ekonomike. Një biznes është pajisur me kushtet ndërtimore dhe është në pritje të lejes ndërtimore“, theksoi ai.

    Pacolli tha se së shpejti do të jetësohen këto projekte në Zonën Ekonomike, derisa shtoi se vitin e kaluar komuna ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e tregtisë dhe industrisë së Kosovës për këtë projekt.

    Komuna e Lipjanit në vitin e kaluar ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e tregtisë dhe industrisë së Kosovës, dhe kemi dorëzuar projektin me paramasën për vazhdimin e rregullimit të infrastrukturës dhe finalizimin e saj, ku konkretisht në mes tjerash në memorandumin e nënshkruar në mes Komunës dhe MTI-së pritet të finalizohet çështja e energjisë elektrike, ujësjellësi, rampa për mbrojtjen e hyrje daljeve për personat e pa autorizuar dhe të papërgjegjshëm brenda zonës ekonomike dhe fazat tjera të nivelizimit të sipërfaqeve brenda zonës ekonomike në tërësi“, u shpreh drejtori për Ekonomi dhe Zhvillim, Valon Pacolli.

    Tutje, ai tha se janë në pritje të implementimit të këtij memorandumi, pasi që tani procesi është në fazën e ankesave.

    Jemi në pritje të implementimit të këtij memorandumi për të cilin informatat e fundit i kemi nga KIESA e cila ka zhvilluar procedurat e prokurimit se procesi është në fazën e ankesave (pothuajse në përfundim të fazës së ankesave) pas rivlerësimit të lëndëve“, tha Pacolli./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark