×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Rasti i heroinës që përfshinë grupin e Pejës dhe “patriotin” nga Llapi – Insajderi sjell detajet e dosjes Reflektori

Insajderi
15 November 2022 - 15:09

Nëntë muaj pas aksionit ku u kapën mbi 80 kilogram drogë në Han të Elezit e u arrestuan shtatë persona, Prokuroria Speciale ka vendosur që ta shënjestroj këtë rast. Heroina që u kap ishte e fshehur në pajisje për ndriçim të ndara në 160 paketime, për çka edhe e mori rasti emrin “Reflektori”. Gazeta Insajderi, ka raportuar në vazhdimësi për këtë aksion të madh ku të arrestuar janë Lorik Tiganin dhe ortaku i tij turk Onur Vizidik, biznesmeni nga llapi Muhamet Hasani dhe katër persona të tjerë. Arrestimit i patën “shpëtuar”, Mentor Imami dhe Agim Rexhepi që dyshoheshin si pjesë e grupit

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka shënjestruar edhe një rast të krimeve të rënda, e që lidhet me grupin prej 11 personave që dyshohet se janë të përfshirë në blerje, posedim e shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

“Prokuroria Speciale njofton se rasti i shënjestruar është i koduar me emrin “Reflektori”, ku janë të përfshirë njëmbëdhjetë (11) persona, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpëlarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ dhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Rasti është i koduar me emërtimin “Reflektori” dhe lidhet me drogën që u kap në pikën kufitare Hani i Elezit, në muajin shkurt të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

Atë kohë policia e prokuroria patën njoftuar zyrtarisht se janë kapur 83 kg 592 gramë heroinë në pikën kufitare në Han të Elezit. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe shtetas turk.

Gazeta Insajderi sjell detaje të rastit ku dyshohen si të përfshirë grupi i Pejës dhe “patrioti” nga Llapi.

Me 23 shkurt në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit, Policia e Kosovës në aksion të përbashkët me Prokurorinë kishte zënë një sasi prej mbi 83 kilogramëve drogë të fshehur në pajisje për ndriçim të ndara në 160 paketime.

Në këtë aksion policia kishte arrestuar 7 persona – Lorik Tiganin, Onur Vizidik, Muhamet Hasani, Shefket Demi, Faik Krosa, Agim Kadriu, Arslan Asanov.

Por, prangave të policies atë ditë i shpëtuan dy personat që ndodheshin në arrati, Mentor Imami e Agim Rexhepi, shkruan Gazeta Insajderi.

Kryeprokurori Shukri Jashari, në një konferencë për media ka dhënë detaje në lidhje me këtë aksion që ka zhvilluar Policia e Kosovës.

Jashari kishte thënë se droga e kapur kishte destinacion qytetin e Prishtinës.

“Destinacion ka pasur Prishtinën, gjatë kontrollës është dyshuar se kanë qenë edhe 32 reflektorë në të cilët kanë qenë të paketuar nga 5 qese të substancave narkotike, gjithsej 160 paketime”, ka treguar Jashari.

Organet e rendit kanë paralajmëruar se pritet të sekuestrohen vetura e villa në Brezovicë.

“Lidhur me operacionin nga të dyshuarit janë sekuestruar: kamioni në të cilin janë gjetur substancat narkotike, një kombibus,  një veturë, dy armë zjarri me 5 fishekë, para të gatshme 11.630 euro, 55 dollarë, 670 dinar të Maqedonisë, 8250 lira turke, 12 telefona celularë, disa dokumente, ndërsa në proces të sekuestrimit janë edhe 12 vetura, një shtëpi dhe villa në Brezovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gazeta Insajderi ka raportuar se i arrestuari Lorik Tigani është dhëndrri i dizajneres së famshme nga Peja, Linda Imami. Ndërsa Mentor Imami vëllau i saj që dyshohet se është i përfshirë në rast ndodhej në arrati.

Përvec Tiganit, i arrestuari tjetër në rastin e drogës ishte edhe biznesmeni nga Turqia, Onur Vizdik.

Onur Vizdik është ortaku i Lorik Tiganit. Ata të dy figurojnë si aksionarë në kompaninë Tada Group SH.P.K., kompani që merret me restorante dhe ushqim, shkruan Gazeta Insajderi.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Lorik Tiganit, Onur Vizdik e personave të tjerë, jepeshin arsyet pse ata nuk duhet të liroheshin në procedurë të rregullt.

“I pandehurin L.T., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Magnum”, me pesë fishekë, e të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Ndërsa, i pandehuri tjetër O.V., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Ëalther”, që me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, vazhdon njoftimi i Prokurorisë, shkruan Gazeta Insajderi.

Gazeta Insajderi, përveç këtyre të arrestuarve pati raportuar se pesoni tjetër i arrestuar në këtë rast të drogës është edhe biznesmeni nga llapi, Muhamet Hasani.

Hasani siç merr vesh Gazeta Insajderi, ka në pronësi “Albba trans SH.P.K.” dhe “Eurotexdantel”. Ai është i njohur në Podujevë edhe për gjestin “patriotik” që kishte bërë në 20 vjetorin e çlirimit të kësaj komune – vendosjen e shqiponjës gjigante në hyrje të qytetit.

Kompania “Albba trans SH.P.K.”, në pronësi të biznesmenit Hasani, sipas regjistrimit të bizneseve (ARBK), merret me transportin rrugor të mallrave, transporti detar dhe bregdetar i mallrave, magazinimi dhe ruajtja, tregtia me shumicë e veshjeve dhe këpucëve dhe aktivitetet të tjera të transportit.

Aksionar në këtë kompani bashkë me Hasanin është edhe biznesmeni tjetër Shefket Demi. I njëjti po ashtu është arrestuar si pjesë e grupit që u kapën me 83 kilogramet e drogës.

Në ARBK ky biznes është regjistruar në vitin 2019 dhe ka të regjistruar dy punëtorë, shkruan Gazeta Insajderi.

Kërkesës së prokurorisë për caktimin e paraburgimit i është përgjigjur pozitivisht Gjykata. Ndaj të arrestuarve ishte caktuar masa e paraburgimit.

Në muajin korrik, nga paraburgimi ishte liruar biznesmeni Muhamet Hasani.

Por në paraburgim ndodhen Lorik Tigani dhe ortaku i tij, shtatasi turk Onur Vizdik.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi, që mbanë datën 11 nëntor avokati i Tiganit Florent Latifi kishte kërkuar që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi.

Në arsyetimin e tij dorëzuar gjykatës, Latifi thoshte se pretendimet e prokurorisë për vazhdim të paraburgimit janë të pa baza.

Madje ai thoshte se vetëm klienti i tij Tigani dhe shtetasi turk Onur Vizdik po mbeteshin në paraburgim derisa të tjerët që ishin pjesë të grupit të arrestuar ishin liruar nga paraburgimi.

“Në arsyetimin e kërkesës për vazhdimin e paraburgimit prokurorja e rastit në vazhdimësi të dyshuarve i referohet si anëtar të grupit, e që çuditërisht si më të rrezikshmit po i konsiderojka të mbrojturin tim Lorik Tigani dhe Onur Vizdik. Kur themi këtë kemi parasysh faktin se prokuroria  të dyshuarve të tjerë të cilëve fillimisht i është caktuar masa e paraburgimit me datën 25.02.2022, me kërkesën e prokurores së rastit kjo masë i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë dhe tani në masën e paraburgimit mbahen vetëm 2 të dyshuar, ndër ta edhe i mbrojturi im”, thuhet në përgjigjen e avoktatit Latifi.

“Konsideroj se në këtë rast kjo mënyrë e trajtimit të të mbrojturit tim nuk paraqet fare drejtësi kur 6 persona janë në liri gjersa vetëm këta dy nën masën e paraburgimit dhe se pretendimet tona për të cilat kërkojmë përgjigje ende kanë mbet të paarsyetuara”, thuhet më tej në përgjigje.

Por gjykata kishte vlerësuar se ekzistojnë dyshime të bazuar mirë se të dyshuarit Tigani e Vizdik duhet të mbeteshin në paraburgim.

Për aksionin e kapjes së drogës ishte mburrur edhe i pari i sigurisë.  

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e thoshte se dy kriminel më shumë i ishin shtuar burgjeve në Kosovë, në ditën kur në pikën doganore në Han të Elezit u kapën mbi 80 kilogram drogë.

“Kur mes institucioneve të ndryshme ekziston vullneti për bashkëpunim të sinqertë për të siguruar sundim të ligjit e luftë ndaj krimit të organizuar, rezultatet nuk mungojnë. Përgëzime Doganës, Policisë dhe Prokurorisë!”

“83.5 kilogram heroinë më pak në treg, dy kriminel më shumë në burgjet e Kosovës”, thoshte Sveçla.

Por pavarësisht kësaj, në arrati ndodheshin Mentor Imami dhe Agim Rexhepi.

Se Imami dhe Rexhepi ndodheshin në arrati, e pati konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe Policia e Kosovës.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me rastin ne fjalë Policia e Kosovës ka ndërmarr te gjitha veprimet e saj konform autorizimeve ligjore qe ka”.

“Lidhur me rastin PK-ja ne bashkëpunim me organet e drejtësisë është duke kryer hetime edhe për arrestimin e personit/va te tjerë të mundshëm të involvuar në rast, përfshirë lëshimin e urdhër arrestit”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Insajderi. /Gazeta Insajderi

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark