×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Mbrojtja e Shalës: ZPS po peshkon për informacion për çështjen e Thaçit dhe të tjerëve

    Insajderi
    21 September 2023 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Avokati Jean-Louis Gilissen në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po peshkon për informacion për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Këtë avokati Gilissen e ka thënë gjatë kohës sa prokurori  i specializuar Filippo De Minicis. po bën kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit Bardhyl Mahmuti.

    Ai tha se pajtohet me Prokurorinë për të kuptuar pozitën e dëshmitarit por se pjesa tjetër është që të peshkohet për informacione apo të nxjerrin informacione për çështjen 06 (Thaçi dhe të tjerët):

    Gilissen shtoi se është vendosur që të bëhet lidhja mes asaj që dëgjohet dhe çështjes së Pjetër Shalës dhe se ajo çfarë po bëhet në këtë seancë nuk ka fare lidhje sipas tij me çështjen e Shalës.

    Ai sërish tha se këmbëngul në shprehjen ‘‘po peshkojnë informacion” duke shtuar se ishte afër që të largohet nga salla dhe se është mbushur kupa.

    “Mjaftë, u mbush kupa, jemi profesionist këtu, nuk jemi kriminel”, reagoi avokati Gilissen.

    Edhe avokati tjetër, Mohamed Hedi Aouini tha se nga kundër-pyetjet e prokurorit nuk po jepet dëshmi për çështjen e Shalës por se janë duke u bërë politika si ushtrim për të minuar kredibilitetin e dëshmitarit dhe për të nxjerrë dëshmi për çështjen 06 (Thaçi dhe të tjerët).

    Sipas tij, prokuroria po tenton të nxjerrë politikën, strukturën dhe se kjo shkon përtej asaj që ka ndodhur në Kukës duke kërkuar nga trupi gjykues që të mbrohet integriteti i këtij procesi gjyqësor.

    Këto reagime të avokatëve mbrojtës të Shalës erdhën pas prezantimit të një komunikate nga prokurori De Minicis, ku u tha se Shtabi i Përgjithshëm ka bërë publik emrat e gjashtë përfaqësuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

    Prokurori pyeti dëshmitarin se a është shkruar e zeza mbi të bardhë se këto emërime i ka bërë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe se dëshmitari tha se ka dallim shumë të madh në mes asaj që kanë dashur të paraqesin veten para botës si një strukturë e organizuar dhe realitetit.

    Pasi dëshmitari dëshiroi që të sqarojë pasi tha se nuk mund të jetë një përgjigje me po apo jo, prokurori e ka ndërprerë për të mos vazhduar më tej duke insistuar në të njëjtën pyetje por se më tej mbrojtja ka reaguar duke mos kuptuar lidhjen me çështjen e Shalës.

    Pasi që pyetja është lejuar nga trupi gjykues, dëshmitari është përgjigjur se: ”Kemi pasur dëshirë të funksionojmë edhe më mirë se çdo shtet i NATO-s, realiteti nuk mund të përfshihet as në gjitha ngjyrat e ylberit e le më zi e bardh, realiteti në terren dhe ajo që kemi dashtë me pasqyrua janë shumë larg njëri tjetrit”.

    Ai sqaroi se në funksion të bindjes së palëve diplomatike kanë vënë emrin e një organi, Shtabi i Përgjithshëm pasi, sipas tij, për të krijuar përshtypjen se janë strukturë e organizuar me një komandë.

    Më tej Mahmuti tha se ai ka qenë vetëm përfaqësues politik i UÇK-së dhe jo zëdhënës duke shtuar se ka qenë vetëm një zëdhënës i UÇK-së dhe se ai është Jakup Krasniqi.

    Ndërkaq, edhe kur u pyet nëse me komunitetin ndërkombëtar kishte biseduar lidhur me kapjen dhe lirimin e të burgosurve të luftës nga UÇK-ja, mbrojtja ka reaguar duke thënë se këto nuk kanë lidhje me fajësinë apo pafajësinë e Shalës dhe se kjo ka të bëjë me çështjen 06 (Thaçi dhe të tjerët).

    Por me lejimin e pyetjes nga trupi gjykues, dëshmitari tha se i kujtohet të ketë folur për zënien robë të 6-7 ushtarëve në Shalë të Bajgorës dhe se ishte kontaktuar për këtë nga diplomatë amerikanë.

    Po ashtu, ai tha se nuk ka diskutuar me diplomatë të shteteve perëndimore për ndalimin apo arrestimin e civilëve nga UÇK-ja.  Sipas tij ‘‘për shkak të propagandës serbe janë shtruar edhe pyetje të kësaj natyre por përgjigje ka qenë kategorike se nuk ka të burgosur nga ana e UÇK-së’’.

    Ai tha se mbështet qëndrimin se çdo gjë e dorëzuar nga komisionet e shërbimeve sekrete serbe në krye me gazetarin Mirollav Drejquv, sipas tij, janë sajesa që kanë qëllim të diskreditojnë luftën e UÇK-së.

    Paraprakisht dëshmitari Mahmuti ka thënë se është e saktë që ai ka qenë anëtar Kryesie e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe përfaqësues politik i UÇK-së gjatë luftës.

    Lidhur me gazetën “Zëri i Kosovës”, ai tha se ‘‘shpirtnisht ka qenë gazeta ime’’ duke shtuar se është identifikuar me shkrimet e asaj gazete por se dinamika e punës i ka pamundësuar t’ia lexojë gjitha shkrimet.

    Lidhur me postin e përfaqësuesit politik, tha se mund të konsiderohet se emërim publik deklarata politike e gushtit të 1998-ës.

    Ai po ashtu tha se në dy intervista që ka dhënë Xhavit Haliti, sipas tij, ka treguar se e ka autorizuar Mahmutin që të takohet në emër të UÇK-së me delegacionet amerikane.

    Në fillim të kundër-pyetjeve ndaj tij, dëshmitari është pyetur për kontaktin me përfaqësuesit e mbrojtjes së Shalës ku sqaroi se kontakti i parë ka qenë përmes telefonit dhe se kontakti i vetëm fizik ka qenë vetëm një herë për kohë shumë të shkurtë.

    Sipas tij, iu ka dhënë librat e tij dhe kanë biseduar lidhur me përmbajtjen e librave dhe se takimet tjera janë zhvilluar vetëm përmes telefonit.

    Gjatë këtyre pyetjeve, mbrojtja ka pasur kundërshtime duke thënë se qëllimi i pyetjeve nuk ka relevancë apo nuk është me rëndësi se si punojnë ata apo edhe se sipas tyre prokuroria po tenton të hedh hije mbi etikën e punës që ata bëjnë.

    Mirëpo, pyetjet janë lejuar nga trupi gjykues andaj dëshmitari ka vazhduar të përgjigjet duke thënë se lidhur me çështjen e Shalës ka qenë i njoftuar vetëm përmes mediave dhe se as atëherë dhe as tani nuk ka lexuar asnjë pjesë të dosjes së Shalës.

    ‘‘Për të njëjtën arsye sepse kur i lexoj gjitha shpifjet që bëhen në akuza të publikuara në media më shkakton nervoz të madh sepse e i që nuk janë të vërteta dhe për këtë arsye nuk kam dashtë të i hulumtoj më tepër’’, ka thënë Mahmuti.

    Po ashtu, dëshmitari tha se nuk e ka takuar asnjëherë Pjetër Shalën, as para, as gjatë e as pas luftës.

    Madje sqaroi se në vizitën e bërë në Hagë ku kishte vizituar të burgosur të tjerë në vitin 2021, nuk kishte bërë kërkesë për Pjetër Shalës pasi tha se të njëjtin nuk e ka njohur.

    Gjithashtu, dëshmitari ka thënë se ka bërë një publikim në rrjetin ‘Facebook’ se do jetë pjesë e gjykimit të Shalës si dëshmitar me arsyetimin se ka qenë postim objektiv që të shmang përpjekjet e gazetarëve apo të kujtdo që ta kontaktojnë.

    I njëjti tha se pas këtij njoftimi nuk ishte kontaktuar as nga mbrojtja e Shalës a as nga ndonjë tjetër.

    Seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit Mahmuti duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e prokurorit De Minicis./BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark