×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Më në fund e binda babain”, vajza që iu bë forcë nënës së përdhunuar në luftë

    Insajderi
    23 February 2024 - 10:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte vetëm 11 vjeçe kur pa me sy tmerrin e nënës së saj. Forcat serbe tërhoqën zvarrë atë dhe disa gra të tjera.

    “Unë dhe motrat e mia nuk donim ta lejonim të shkonte…E tërhiqnim nga rrobat, por paramilitarët e morën me forcë”, thotë Flutura.

    Sot 36 vjeçe, ajo shpërthen në vaj teksa kujton ditën kur e ëma iu përdhunua gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

    “Dua gra të bukura”, ishin fjalët e ushtarit serb, që thotë se i ushtojnë ende në vesh.

    Bashkë me rreth 100 persona të tjerë – kryesisht gra e fëmijë – ajo me nënën dhe motrat po strehoheshin në një shtëpi të madhe, për t’u mbrojtur nga sulmet.

    Ishte një lloj taktike e luftës e ushtrisë serbe që burrat t’i ndanin nga gratë. Nuk e kujton saktësisht se sa qëndruan të sigurta në atë shtëpi, por thotë se “shumë shpejt” e bastisën.

    Thirrjet e fëmijëve përreth “mami, nënë, gjyshe…”, kur ata ndaheshin nga personat e dashur, i sillen ende në kujtesë.

    “Nënën time e morën të dytën. Një grua tjetër e morën të parën… Pastaj, i morën edhe gjashtë gra të tjera”, tregon Flutura.

    Për katër orë thotë se dëgjoi britmat e grave që përdhunoheshin e rriheshin vetëm pak metra jashtë shtëpisë. Atëkohë thotë se nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte.

    “Tash e di. Kur erdhi pas katër orësh, nëna ishte e zhveshur, vetëm me një gjë në krah”, kujton Flutura.

    Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ulur pranë i qëndron nëna. Me shikimin e ngrirë në një pikë, ajo nuk dëshiron të flasë shumë.

    “Kam hequr shumë… Jam frikësuar… I kam pasur fëmijët e vegjël”, thotë 63-vjeçarja.

    Ajo është vetëm një nga rreth 20.000 personat që besohet se u përdhunuan gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.

    Tash e dy vjet ka edhe statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, i cili i siguron një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si shërbime shëndetësore falas.

    Me ligjin në Kosovë, i miratuar nga viti 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.

    E, Flutura ishte ajo që e bindi nënën e saj për të aplikuar për këtë status, pasi fillimisht bindi babain.

    Ishte ajo që i tregoi babait se nëna ishte përdhunuar, por ai nuk e priti mirë.

    “Më ka thënë: a e di se ku jeton, nuk dua të më thonë njerëzit që e ke gruan të dhunuar në luftë”, kujton Flutura fjalët e të atit.

    Për një kohë, ajo e kishte lënë mënjanë çështjen, por vetëm fizikisht, e jo në mendje. Dhe, pastaj, bisedoi sërish me babain. Donte me çdo kusht që e ëma të merrte statusin që i takonte.

    “Kundërshtimet nga babai vazhduan gjatë, më shumë se pesë muaj, derisa në fund e binda”, thotë Flutura.

    Pas miratimit të tij, iu desh më pak kohë për ta bindur të ëmën që kishte mbyllur në vete kujtimin e llahtarshëm. Të dyja bashkë iu drejtuan një organizate, përmes së cilës bëhej aplikimi për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë.

    Prej aty e deri te paraqitja përpara një komisioni qeveritar, që bën verifikimin e aplikuesit, Flutura nuk i ishte ndarë në asnjë moment.

    “Kur nëna ka dalë para komisionit, jam lutur dhe kam thënë: o Zot, jepi fuqi që të tregohet e fortë”, rrëfen Flutura në vaj.

    Dhe, përgjigjen pozitive nga komisioni e morën pas gjashtë muajsh.

    “Kur i kam treguar babait se ka pasur sukses, ai ka filluar të qajë si fëmijë”. Edhe pse “shpesh hidhërohet”, ajo shprehet e sigurt se edhe ai ndjen një lloj lehtësimi sikurse nëna dhe gjithë pjesa tjetër e familjes.

    Sa persona e kanë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës në Kosovë?

    Nga shkurti i vitit 2018, kur nisi aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, atë e siguruan mbi 1.600 persona.

    Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), të siguruara nga REL-i, në vitin 2023, statusi i tillë iu njoh 54 personave – tetë prej tyre burra, pjesa tjetër gra.

    Viktimat e dhunës seksuale aplikojnë për njohje të statusit të tyre përmes disa organizatave të përzgjedhura nga Qeveria e Kosovës dhe miratimin, pastaj, e bën një komision qeveritar.

    Për aplikim, viktima duhet të plotësojë një formular me të dhëna e detaje për vendin dhe periudhën kur ka ndodhur përdhunimi, me deklarata nga dëshmitarët dhe me raporte eventuale mjekësore.

    Ato kalojnë te komisioni, e nëse komisioni nuk bindet, viktima duhet të dalë fizikisht para tij.

    Organizata joqeveritare, që merren me të drejtat e grave, thonë se shumë viktima hezitojnë ende të aplikojnë për statusin, nga frika e stigmatizimit, përjashtimit dhe paragjykimit.

    Por, pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar, viktimat nuk mundën të aplikojnë për këtë status edhe për faktin se afati për aplikim të tillë kishte skaduar më 5 shkurt të vitit 2023

    Muajin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ky afat është vazhduar deri më 15 maj, 2025.

    “Zëri juaj ka rëndësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet. Guximi juaj në kërkim të drejtësisë e në zbardhjen e së vërtetës është një dëshmi e shpirtit tuaj të paepur. Ne qëndrojmë me ju dhe pranë jush në ndjekjen e drejtësisë”, tha atëkohë Osmani.

    Më herët, ajo kishte deklaruar se “afati i aplikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale duhet të jetë i pakufizuar”.

    Të njëjtën gjë e kishte kërkuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke thënë se kufizimi i tillë është në kundërshtim me konventat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

    Organizata si kjo e kanë kritikuar disa herë edhe  punën e komisionit qeveritar , duke thënë se ajo shpesh zhargitet, por vetë komisioni ka këmbëngulur se vepron në përputhje me ligjin.

    Gati njëzet e pesë vjet pas luftës, autoritetet në Kosovë dënuan vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës.

    Ish-rezervisti i policisë serbe,  Zoran Vukotiq , u dënua në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim, ndërsa në nëntor të vitit 2022 atij  iu rikonfirmua dënimi .

    Flutura thotë se për nënën dhe familjen e saj, nuk ka rëndësi pensioni që siguron statusi, por “mllefi që ka hequr nëna prej vetes”.

    “…sepse kur të del dikush në përkrahje, e largon pak prej trupit tënd”, thotë Flutura, e cila sot është edhe vetë nënë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark