×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Më shtrenjtë se “San Siro”- Ky është Gusani që do të gllabërojë 1.3 milion euro për barin e stadiumit

    Insajderi
    01 April 2024 - 15:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Veç 800 mijë euro më pak se institucionet e Kosovës paguajtën klubet milaneze për shtrimin e barit hibrid. Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Ministrisë së Kulturës i kushtoi 1.3 milion për shtrimin e këtij lloji të barit në ‘Fadil Vokrri’, që pritet të kryhet para ndeshjeve të “Ligës së Kombeve” në shtator. Kompania fituese e kontratës një-burimore është ‘Hatko Sports Technologies‘ me bazë në Turqi. Pronar i saj është Gusan Hatko, i cili ka qenë edhe në videon promovuese të fillimit të punimeve në ‘Fadil Vokrri’, bashkë me kryetarin e FFK’së, Agim Ademin dhe ministrin e MKRS’së, Hajrulla Çeku.

    Kontrata për rregullimin e barit në ‘Fadil Vokrri’ është një-burimore dhe dihen fare pak detaje prej saj. Krejt çka dihet është shuma prej 1.3 milion eurosh që do t’i jepet kompanisë turke për shtrimin e barit hibrid – i përzier mes atij natyral dhe sintetik.

    Kompania fituese që e ka arritur kontratën me FFK’në e MKRS’në është ‘Hatko Sports Technologies’. Haptazi e ka bërë të ditur angazhimin vetë kompania turke dhe pronari i saj, Gusan Hatko, në rrjetet sociale.

    Sot patëm fillimin e projektit tonë më të ri në Kosovë me pjesëmarrjen e Ministrit të Kulturës dhe Sportit z. HAJRULLA ÇEKU. dhe Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës z. Agim Ademi HATKO SPOR TEKNOLOJİLERİ A.Ş. Është shpërblyer me kontratën e Projektit të Rinovimit të Stadiumit dhe Konvertimit të Hybridgrass Fadil Vokri”, shkruajti Gusani në ‘Facebook’.

    Postim në rrjetin social ‘Linkedin’ ka bërë edhe vetë kompania. Në përshkrimin e postimit thuhet se stadiumi do të rinovohet me një sistem të ri ngrohjeje për mbrojtjen e fushës gjatë dimrit. Në atë postim ngatërrohet mbiemri i ministrit Çeku, duke iu referuar si “Geku”.

    “Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe ministri i Sportit, Hajrulla Geku morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së terrenit të stadiumit Fadil Vokkri në Kosovë. Stadiumi do të rinovohet me Hatko Hybridgrass si dhe me një sistem të ri ngrohjeje në tokë për të mbrojtur sipërfaqen e lojës gjatë dimrit. Gusan HATKO informoi z.Ademi dhe z.Geku për sistemin e ri hibrid të përforcuar që do të instalohet. Ndeshja e parë zyrtare është caktuar më 7 korrik”, thuhet në postimin në ‘Linkedin’.

    Kush është ‘Hatko Sports Technologies’?

    Kompania turke prezantohet në webfaqen zyrtare si e licencuar nga FIFA, ITF, FIH dhe IAAF. Ata i referohen vetes si ‘një nga 10 prodhuesit më të mëdhenj të barit artificial’.

    Kjo kompani turke thotë se ka qenë e angazhuar projekte në ‘Wembley Stadium’. Përveç tjerash, ‘HATKO Sports Technologies’ në webfaqen zyrtare njofton se ka intervenuar edhe në barin e stadiumit të Kombëtares së Shqipërisë, ‘Air Albania’.

    Vetë pronari Hatko me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka bërë të ditur se kompania e tij ka intervenuar edhe në stadiumin ‘Atatürk Olympic Stadium’ në finalen e Ligës së Kampionëve më 2023-ën, ku luajtën Manchester City kundër Interit.

    Gazeta Insajderi raportoi më herët për kosto të lartë të kontratës dhe kohëzgjatje të punimeve. Mediumi krahasoi koston dhe kohën që iu desh stadiumit të ekipeve të Milanit në Itali për ta ndryshuar barin me atë të stadiumit ‘Fadil Vokrri’.

    Ekipeve italiane iu deshën 500 mijë euro dhe 10 ditë pune për ta kompletuar fushën me bari hibrid, ndërkaq Kosovës 1.3 milion euro e disa muaj punë që t’ia mundësojë kombëtares t’i zhvillojë ndeshjet në kuadër të ‘Ligës së Kombeve’.

    “Punimet e kësaj fushe do të vazhdojnë me intensitet të lartë për disa muaj në vazhdim, derisa ndeshja e parë në fushën e rinovuar pritet të zhvillohet në korrik”, thuhej në njoftimin e FFK’së për fillimin e punimeve, ku për t’iu bërë promocion punëve ishin Agim Ademi e Hajrulla Çeku, bashkë me Gusanin.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ngritur dyshime për kontratën një-burimore të arritur për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

    Haxhiu me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se kontrata një-burimore për fushën me bari sintetik hibrid kushton 1.3 milion euro. Teksa sipas tij në çmimet e tregut s’kushton më shumë sesa 270-300 mijë euro.

    “Ministri duhet te tregoj për kontratën një burimore për fushën me bari sintetik hibrid në vlerë 1.3 milion qe në çmimet e tregut nuk kushton me shumë se 270-300 mijë euro. Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoj këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore?”, ka deklaruar ai.

    “Si u transferuan paret nga MKRS në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS-FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove”.

    “Degradim i sportit, keqpërdorime, zhvatje, dështime në infrastrukturën sportive, dështime në organizim, dhunë fizike edhe në garat e fëmijëve – kjo është pasojë e keqmenaxhimit që po ndodh në sektorin e sportit”.

    Insajderi kishte raportuar më herët se Zyra Kombëtare e Auditimit në pasqyrimin financiar të FFK-së për vitin 2021 njoftonte se buxhetit të federatës i kishte kushtuar për një vit 35,278 euro mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri”. Kjo shifër është më e ulët sesa shpenzimet e internetit (29,863 euro) dhe telefonit (25,943 euro) bashkë përbrenda Federatës.

    Ademi dhe Çeku filluan të reflektojnë pas një sërë kritikash që Kosova mori lidhur me gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”.

    Gjendja e fushës i kishte rënë në sy edhe yllit kosovar që luan në kombëtaren e Zvicrës, Xherdan Shaqiri. Ai e kishte quajtur fushën “turpi i botës”.

    “Shpresoj që një ditë Kosova të kualifikohet. Duhet të ketë ambient të mirë mes lojtarëve. Të rregullohet stadiumi, sepse është turp të shikojë bota atë fushë. Dhe kur të rregullohen këto gjëra të vogla, Kosova do të kualifikohet, sepse ka shumë futbollistë të talentuar”, deklaronte ai pas ballafaqimit të Zvicrës me Kosovën në Basel. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark