×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ministria e Punëve të Jashtme paguan rreth 3 mijë euro më shumë qera për objektin që nuk e përdori Francë

    Insajderi
    29 June 2022 - 15:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka paguar qera për një objekt banimi në Francë ani pse ajo nuk është përdoruar gjatë tërë kohës. Mirëpo, auditori ka gjetur se as pagesa për të nuk është bërë me rregull, e që me vendim të gjykatës atje, MPJ është detyruar të paguaj rreth 3 mijë euro më shumë.

    Gjykata në Francë, e ka detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës që të paguaj rreth 3 mijë euro më shumë për qeranë e banesën që është shfrytëzuar nga ish-konsulli në këtë vend.

    Sipas gjetjeve të Zyrës së Auditorit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka menaxhuar mirë më objekt që ka marrë me qera në shtetin e Francës.

    Zyra e Auditimit ka gjetur se konsullata në Strasburg kishte paguar qeranë deri në muajin maj 2021 për banesën e cila kishte qenë në shfrytëzim të ish-zëvendës konsullit i cili e kishte përfunduar mandatin në dhjetor 2020.

    Në total vlera e këtyre pagesave ishte 7 mijë e 569 euro, prej të cilave shpenzimet e qerasë ishin 6 mijë e 200 euro dhe shpenzimet e kaucionit 1 mijë e 300 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, që kërkesa për ndërprerjen e kontratës së qerasë ishte bërë në muajin prill 2021.

    Për shkak që ishin bërë vonesa në pagesën e kësaj qeraje dhe për shkak të ndryshimit të çmimit sipas Entit të Statistikave në Francë, gjykata e ka detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të paguaj rreth 3 mijë euro më shumë.

    “Me vendim të gjykatës në Francë, Ambasada e Kosovës në muajin shkurt 2021 kishte bërë pagesën e qerasë në vlerë 13,507€, për banesë të ish konsullit në Paris. Ambasada nuk kishte kryer pagesën e qerasë në plotëni si dhe nuk kishte marrë parasyshë ndryshimin e çmimit sipas Entit të Statistikave që bënë rivlerësimin e çmimit. Për shkak të vonesave në pagesën e obligimeve vlera prej 2,998€ ishte diferenca e qerasë që ishte vlerësuar nga Enti i Statistikave, shpenzimet gjyqësore dhe penalet”, shkruan në gjetjet e Auditorit.

    Zyrtarët e ministrisë janë arsyetuar se pagesa e qerasë në Strasburg ishte bërë për ruajtjen e saj për të emëruarit e rinj.

    Por sipas Auditorit askush nga diplomatët e rinj nuk kishte pranuar të akomodohej në këtë banesë, ndërsa sa i përket pagesës për banesën në Paris arsyeja ka qenë se pagesat ishin bërë vetëm për qeranë bazë, “edhe pse në bazë të e-mailave të shkëmbyera nga ish konsulli drejtuar MPJD shihet se ishin bërë përpjekje të vazhdueshme për pagesë, mirëpo nuk ishte paguar kjo diferencë ku në fillim shuma e borxhit ishte më e vogël mirëpo për shkak të vonesave ishin aplikuar edhe penalet”, thuhet në gjetje.

    Auditori alarmon se mbajtja e objekteve me qera pa u shfrytëzuar, vonesat në pagesa dhe shpenzimet shtesë siç janë shpenzimet e kaucionit, të gjykatave dhe penalet ndikojnë në rritjen e shpenzimeve dhe dëmtim të buxhetit të ministrisë.

    Prandaj edhe i rekomandon ministrisë së duhet të sigurojë përmes shefave të MDK-ve menaxhim efikas të objekteve të marra me qera me qëllim të ruajtjes së parasë publike.

    “Në rastet e përfundimit të mandatit të stafit të MDK-ve duhet informuar me kohë agjencionet përkatëse për ndërprerjen e kontratës. Po ashtu, mirëmbajtja e duhur e objekteve të marra me qera do të krijonte mundësinë që vlera e kaucionit në përfundim të kontratës t’i kthehet buxhetit të Ambasadës”, thuhet në rekomandimet e ZKA-së. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark