×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ministrja Haxhiu bën një marrëveshje me Shqipërinë, Oda e Avokatëve të Kosovës pretendon se nuk u koordinuan paraprakisht

    Insajderi
    07 July 2023 - 19:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditën e djeshme ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë.

    Marrëveshja ka të bëjë me ‘njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve’.

    Kundër kësaj marrëveshje ka reaguar ashpër Oda e Avokatëve të Kosovës. Në një email dërguar avokatëve thuhet se kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministria pa marrë mendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe si e tillë nuk do të zbatohet pasi bie në kundërshtim me ligjin dhe se nuk është nën kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë, shkruan Insajderi.

    Tutje në këtë email thuhet se Ministria e Drejtësisë nuk ka përfshirë asnjë anëtar të OAK në grupin punues për përgatitjen e deklaratave të reciprocitetit për fushën e avokatisë, ndërmjetësimit dhe njohjen e provimit të Jurisprudencës së Republikës së Shqipërisë.

    Po ashtu, në takimin e mbajtur me 5 qershor 2023 mes avokatëve nga Kosova dhe Shqipëria nuk kishte qenë i pranishëm as kryetari i OAK’së, Behar Ejupi dhe as ai nga Shqipëria, Maksim Haxhiaj.

    OAK ka shtuar se nuk do të lejoj të cenohet pavarësia administrative e Odës./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark