10:57 - 14 Shtator 2022

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Projektligjin për Prokurorinë Speciale, shkruan Insajderi.

Me këto projektligje sipas Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të ketë funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë.

“Hartimi dhe finalizimi i këtij drafti është bërë në konsultim edhe me shoqërinë civile, po ashtu janë caktuar kompetencat e kryeprokurorit dhe kryeprokurorëve që punojnë në prokuroritë e Kosovës. Gjithashtu është rregulluar edhe funksionimi i zyrës së dhunës që do të funksionojë pranë zyrës së kryeprokurorit të shtetit”, tha Haxhiu gjatë mbledhjes së qeverisë.

Përveç këtyre dy projektligjeve, në këtë mbledhje u miratua edhe Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka thënë me këtë rast se vetëm me respektimin e së kaluarës mund të ketë një të ardhme të ndritur.

“Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhshme të ndritur”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se projektligji përcakton kompetencat dhe përgjegjësit e Institutit.