×
  • Lajme
  • Lajme

    Mungon prokurori, dështon seanca për korrupsion kundër biznesmenit që Komuna e Prishtinës ia dha ndërtimin e “Rrugës A”

    Insajderi
    04 December 2023 - 21:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte veç mungesa e prokurorit te rastit qe ka bërë dështimin e seancës ku për korrupsion po akuzohet një zyrtar i Qeverise e biznesmeni Naim Sallahu. Firma e këtij te fundit është e njëjta qe nga pushteti i LDK-se në Prishtinë u shpërblye me mbi 8 milionë euro për ndërrimin e projektit “Rruga A”, tender ky që për të dytën herë e ka pezulluar Gjykata Komerciale.

    Në mungesë të prokurorit Bashkim Zeqaj të hënën, ka dështuar gjykimi në rastin ku Begzat Musliu si drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), dhe Naim Sallahu ish-drejtori i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K., po akuzohen për korrupsion.

    Në këtë rast, Musliu po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Sallahu për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me mungesën e prokurorit Zeqaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla tha se i njëjti sot kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të ishte i pranishëm në seancën e sotme për arsye familjare.

    Sipas gjykatësit Syla, prokurori Zeqaj kishte njoftuar se kishte tentuar të gjente zëvendësim por nuk kishte arritur.

    Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty.

    Sipas aktakuzës, i pandehurit Musliu me nëntor të vitit 2020 i ka tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

    Sipas aktakuzës, Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë.

    Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.

    Me këtë, i akuzuari Sallahu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark