17:47 - 26 Tetor 2020

I vetëdorëzuar sot në Policinë e Kosovës, Kadri Shala, pronari i kompanisë private “LDA Group”, do të mbahet në stacion policor edhe për 48 orët e ardhdhme.

Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, Shalës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ka njoftuar sot Policia e Kosovës, raporton Insajderi.

Shala, sot është dorëzuar në polici, pesë ditë pasi u hodh dritë mbi vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Vjedhja ishte ekzekutuar më 9 tetor.

Gazeta Online Insajderi ka publikuar deri më tash shumë fakte për skandalin ku nga Thesari i Shtetit u morën mbi 2 milionë euro dhe përmes kompanisë LDA-Group u shpërndanë në një rrjet të madh kompanish.

Skemën e këtij skandali në njërin nga institucionet që besohej që të ishte i sigurt, Insajderi e ka ekspozuar përmes një serie hulumtimesh.

Pas këtyre hulumtimeve, nëpërmes një letre në publik është paraqitur edhe vet emri kryesor i përmendur në këtë aferë, biznesmeni Kadri Shala. Derisa ndodhej në arrati e jashtë Kosovës, javën që shkoi ai kishte shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express dhe T7, përmes vëllait të tij.

“Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala I cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruden.

Insajderi nga burime të mirë-informuara ka marrë vesh që Shala e Gruda njihen së paku që nga marsi i këtij viti.

Insajderi, nëpërmjet burimeve të mirëinformuara, ka zbuluar bashkëveprimin e dyshimtë mes Kadri Shalës e Labinot Grudës.

Burimet sugjerojnë se ka pasur një plan që dyshja të rregulloj dokumentacionet për të jetuar në Turqi, pas kryerjës së aktit kriminal të vjedhjës së mbi 2 milionë eurove.

Skema dyshohet që nisi të përgatitej që në marsin e këtij viti, prej kur ka edhe fakte që njihen mes vete biznesmeni Kadri Shala si dhe  i arrestuari, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda. Dyshohet se dyshja Shala e Gruda që nga muaji mars kishin filluar të rregullonin dokumentet për të nisur një jetë të re në Turqi.

Provat që i kanë mbledhur organet e rendit hedhin dyshime të forta për arratisjen e planifikuar të dy protagonistëve të vjedhjes 2 milionëshe. Pas vjedhjes në drejtim të Turqisë ka ikur vetëm Kadri Shala, ndërsa Gruda pati fatin e keq që të arrestohet.

Ndërkaq, transaksionet të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”.

Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.

“Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.

Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.

Biznesmeni Koç besohet të ketë lidhje me Kadri dhe Valon Shalën, pronarët e LDA GroupSh.P.K të cilët dyshohet se pas transferimit ilegal të mjeteve janë arratisur në drejtim të Turqisë.