×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Ne, dhunuesit veteranë

    Insajderi
    12 March 2017 - 23:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sa herë që veteranët e luftës çohen në protesta për të marrë pagesat e tyre në para si kompensim për mundin që e kanë bërë gjatë luftës, gati i gjithë shteti ngrihet në këmbë.

    Për ta, shteti është në gjendje që ta shkaktojë termet në buxhetin e vendit, para të cilat na takojnë të gjithëve dhe krijohen prej taksave që i paguajmë ne.

    Janë dy arsye pse ndodhë një gjë e tillë.

    E para është se shteti me qëllim i ka lartësuar veteranët të cilëve ua ka krijuar një imazh si shpëtimtar dhe meritorë të lirisë dhe e dyta, shteti, duke luajtur me ta në bazë të nevojave partiake ose elektorale, i ka shndërruar në votues potencial.

    Kur elementi i dytë, votuesi potencial, ka hyrë në lojë, edhe numri i veteranëve është rritur. Të gjithë e mbajmë mend debatin me fakte që ka ndodhur vitin e kaluar mbi atë sesi është falsifikuar numri i veteranëve.

    Në këtë mënyrë shteti ka falsifikuar meritorët e lirisë, e kësisoj edhe ka falsifikuar lirinë vetvetiu.

    Duke qenë të paaftë që të ballafaqohemi me vetën, me ligësinë tonë, që edhe lirinë e falsifikojmë për një votë ose për një rrogë mujore, ne jemi shndërruar në një shoqëri falso, që nuk ka as pikën e guximit të ballafaqohet me vetën, me të vërtetën e vet.

    E pikërisht në këtë çmendur të një shoqërie komplet të rreme, ne jemi shndërruar në idiotë të së vërtetës.

    Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, është argumenti kryesor i kësaj idiotësie.

    Veteranët dhe të mbijetuarit e mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të duhej që të trajtoheshin barabartë nga shteti.

    Bile viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës – për dallim prej veteranëve, normalisht ata të vërtetit, kanë hyrë në luftë vullnetarisht – do të duhej të trajtoheshin me më shumë kujdes sepse janë viktima dhe kanë sakrifikuar për këtë vend pa dëshirën e tyre. Duke u dhunuar.

    Por cila është e vërteta jonë idioteske?

    Ne kemi një ligj dhe miliona euro gati të shpenzohen për qindra mijëra veteranë të luftës, ndërsa nuk kemi asnjë ligj e asnjë cent të ndarë për viktimat e luftës.

    Krejt kjo për shkak se ky shtet është i prishur aq keq, sa nuk mund ta pranojë se të mbijetuarat e dhunës seksuale janë viktima të cilat duhet të trajtohen njëjtë sikur veteranët ose si gjithkush që ka dhënë diçka për këtë vend.

    Por sikur kjo të mos mjaftonte, një qasje e tillë e shtetit ndaj këtyre grave, ka mundësuar vazhdimin e mentalitetit të prapambetur të kësaj shoqërie, që e sheh gruan si një objekt seksi, e që në momentin kur seksi i kapërcen bazat e moralit provincial të kësaj shoqërie, gruas i humbet kuptimi, bëhet e pavlerë.

    Kësisoj, edhe deklarimi i një deputeti që kërkon “ekzaminimin  e grave të dhunuara” si kusht për ta njohur atë si viktimë, është krejtësisht normale në një shoqëri që e ka humbur arsyen pse ekziston.

    Deputeti Shaip Muja e ka thënë këtë në mënyrë aq të lehtë dhe normale, duke u bazuar në përvojën e veteranëve, të cilët janë bërë veteranë pa qenë asnjë ditë në luftë, pa dhënë asgjë për këtë vend.

    Deputeti i tillë, është përfaqësues i qindra mijëra kosovarëve që e kanë votuar e në këtë mënyrë është përfaqësues i mentalitetit që e sheh viktimën e dhunimit si të tillë që është e aftë të paraqitet e dhunuar, për të marrë një pagë nga shteti, njësoj sikurse një veteran që është në gjendje të thotë se ka luftuar për të marrë një pagë nga shteti.

    Prandaj një shoqëri e tillë që është në gjendje ta marrë si të mirëqenë një gjë të tillë, është ne gjendje që ta trajtojë viktimën e dhunimit, si një leckë të pavlerë, ashtu si edhe trajtohen viktimat e dhunimit.

    Duke mos i dhënë statusin e merituar në shoqëri, këtyre viktimave u është mohuar edhe ekzistenca si njerëz normal. Sepse ne jemi shoqëri jo normale.

    Një shoqëri jo normale, e kriminalizuar në filozofinë e të jetuarit, e kalbur nga morali i prapambetur, prodhon fëmijë të cilët nuk i flasin nënës së saj sepse ajo është dhunuar.

    Një shoqëri e tillë prodhon familje të cilat e martojnë një viktimë të dhunës seksuale me një burrë të sëmurë mendor.

    Pra një shoqëri kriminale sikur e jona, është në gjendje që jo ta barazojë viktimën e dhunimit me veteranët, por me të sëmurët.

    Mbi të gjitha një shoqëri e tillë e lejon heshtjen e gjithë këtij tmerri sepse në thelb është e marrë fund.

    E pikërisht për këtë arsye, ne jemi një shoqëri dhunuesish. Që nuk e pranojmë vitkimën e dhunës, por vazhdojmë ta dhunojmë atë në forma të ndryshme.

    Përpos që e dhunojmë ne edhe heshtim edhe bëhemi sikur kjo fazë do të kalojë ndonnjëherë. E vërteta është se viktimat e dhunës do të vdesin por nuk vdes dhuna jonë.

    E një ditë ne do të shndërrohemi në dhunues veteranë.

    Një shoqëri e mbushur me dhunues të cilët e kapercejnë dhunën sikur të mos kishte ndodhur. Sepse jemi të paaftë për të krijuar një copë jete,një fije sinqeriteti e guximi për ta thënë të vërtetën e mbi të gjitha për ta mbrojtur të vërtetën.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark